Lexoni edhe:
Çështja e dyshtetësisë është çështje e brendshme që rregullohet vetëm me ligjet e Kosovës
Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri
Duke pasur parasysh faktin se pajisja e një ushtrie me armatim modern e teknikë bashkëkohore ushtarake, si dhe stërvitja e vazhdueshme e pjesëtarëve të saj, është një nga parakushtet për bashkimin Aleancës Veriatlantike, sjelljet kontradiktore të Serbisë hegjemoniste e kanë bindur përfundimisht faktorin ndërkombëtar, se zgjidhja më e mirë për sigurinë e Republikës së Kosovës dhe paqësimin e rajonit, është angazhimi serioz, që ta përgatis sa më mirë dhe me hapa të përshpejtuar terrenin për anëtarësimin e Kosovës në NATO, proces ky, i cili me veprimet e fundit të SHBA-ve dhe Mbretërisë së Bashkuar, tanimë ka filluar të plotësohet, me pajisjet ushtarake dhe përgatitjet profesionale të Ushtrisë së Kosovës me mjete e teknologji moderne të fjalës së fundit dhe standardeve më të përparuara të ushtrive të Paktit të NATO-s.
-Edhe në këtë proces, njëjtë si në çlirimin e Kosovës dhe shtet ndërtimin e saj, rolin vendimtar e bartin SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar (Britania e Madhe), SHBA-të, bëjnë pajisjen e FSK-së me armët më moderne mbrojtëse dhe raketat më efektive kundër tankiste si "Javelin", ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka hapur dyert për të gjitha llojet e trajnimeve profesionale të ushtarëve dhe oficerëve të ushtrisë tonë, e cila sapo ka hequr edhe vizat për përgatitjen e të gjithë personelit të stafit ushtarak dhe ati komandues të Ministrisë së Mbrojtjes, për nevojat ushtarake të Republikës së Kosovës. Vendimin e mirëpritur të Mbretërisë së Bashkuar për ndihmë dhe bashkëpunim ushtarak me Republikën e Kosovës e ka komunikuar dhe përshëndetur publikisht vet Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës gjatë ditës së martë, pas takimit që ka zhvilluar Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci me nënkolonelin britanik Steve Forrest nga i cili është informuar prej dorës së parë se autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar, kanë marr vendim që ta mundësojnë udhëtimin e lirë dhe pa viza, për personelin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë të Kosovës të cilët zhvillojnë aktivitete ushtarake dhe zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar.
“Ky vendim vjen si rezultat i thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe angazhimin e Republikës së Kosovës në aktivitetet e mbrojtjes të cilat udhëhiqen nga Mbretëria e Bashkuar, shtet i madh dhe mik i sinqertë i vendit tonë, i cili në vazhdimësi ka luajtur rol kyç në të gjithë procesin e shtet ndërtimit dhe në veçanti, në fuqizimin e përgjithshëm të kapaciteteve mbrojtëse të vendit tonë. Kjo është edhe një dëshmi, për kredibilitetin e lartë që Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës gëzon te vendet e mëdha mike dhe partnerët tanë më të fuqishëm ndërkombëtar, gjë që ceket edhe në njoftimin nga takimi i ministrit Maqedonci me nënkolonelin e Mbretërisë së Bashkuar Steve Forrest. Me këta hapa kaq të mirëseardhur dhe shumë madhorë, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar si dy vendet më të besuara dhe miket më të sinqerta të shtetit tonë të ri, po pajisin dhe përgatitin ushtarakisht Forcën e Sigurisë-FSK-në, dhe krijojnë mundësi reale që Kosova si shtet i ri, të lëviz sa më shpejtë drejtë përgatitjes profesionale dhe arritjes së standardeve bashkëkohore ushtarake, për integrim dhe pranim në NATO!
Parakushte këto, tanimë të njohura për bashkëpunim dhe standarde parësore që kërkohen nga një vend i cili konsiston për integrim në Paktin e Aleancës Veriatlantike, pasi që siç edhe dihet, tanimë botërisht, kjo është garancia më e mirë dhe e vetme fondamentale e paqes dhe sigurisë në rajon, për mbrojtjen e tërësisë territoriale e sovranitetit të shtetit të lirë të Kosovës dhe fuqizimit të pavarësisë, me integrimin dhe anëtarësimin e plotë të vendit tonë në NATO, BE dhe OKB.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".