Është koha e fundit për ta dhënë provimin Prokuroria dhe Gjyqësori, duke vepruar të pandikuar nga nëntoka e krimit të organizuar

Është koha e fundit për ta dhënë provimin Prokuroria dhe Gjyqësori, duke vepruar të pandikuar nga nëntoka e krimit të organizuar
Është koha e fundit për ta dhënë provimin Prokuroria dhe Gjyqësori, duke vepruar të pandikuar nga nëntoka e krimit të organizuar

Gani Qarri

  • 01 February 2024 - 17:42

Shkruan:ANALISTI- Gani Qarri

Rasti impozantë i gjykimit të guximshëm, të skandalit për aferën 53 milionëshe, si dhe shqiptimi i dënimit meritor, me 3. 5 vite burg kundër një ministri të ish Qeverisë së korruptuar, që për herë të parë, ndodhi nga gjyqësori i Kosovës, përveçse është shumë i drejtë, sado që ndoshta minor, është edhe një vendim tepër shpresëdhënës se më në fund edhe drejtësia në Kosovë po fillon të kthjellet, pavarësohet dhe të veprojë e pa ndikuar nga rrjetet kriminale dhe nëntoka e krimit të organizuar.

 

Vendim i parë i guximshëm, i një gjykate vendore, pa ndikim nga grupet e interesit, pa shikuar djathtas e majtas, dhe vetëm duke u bazuar në ligjin e kushtetutën e vendit dhe në interesin publik të shtetit tonë të ri. Rast ky, që tregon lëvizjet e para pozitive, pas kritikave të shumta nga opinioni publik dhe shoqëria civile për dështimin e madh të sistemit të kalbur të drejtësisë, në dy dekadat e kaluara, për shkak të mos ndëshkimit në vazhdimësi, të krimit dhe lënies në liri, për më tepër se dy dekada, të kriminelëve dhe zhvatësve të parasë publike. Dhe vendim që dëshmon më në fund se, në mesin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të vendit, ka edhe profesionist të guximshëm e vullnetmirë, të cilët meritojnë të stimulohen, si dhe të mbrohen e mbështeten pa kursim nga shoqëria dhe shteti, për veprime profesionale, të pa ndikuara nga individë të dyshimtë e kriminal dhe vetëm në bazë të ligjit. Gjyqtar e prokuror të njëmendtë, të cilët duhet evidentuar dhe avancuar nga Ministria, përveç me rritje page edhe me ngritje në pozicionet udhëheqëse, për të ecur sa më sigurt përpara dhe ndërtuar e përsosur një sistem krejtësisht të pavarur të drejtësisë. Pra një sistem gjyqësor dhe drejtësi të profesionalizuar, të spastruar nga individ të dyshimtë dhe persona të kriminalizuar, e cila duhet udhëhequr nga njerëz që nuk u frikësohen individëve të inkriminuar dhe nuk ndikohen nga persona të korruptuar, të instaluar nga ish pushtetarët e dyshimtë, në pozita të larta me qëllime përfitimi dhe pasurimi të kundërligjshëm, përmes zhvatjes dhe abuzimit të buxhetit të shtetit. Ky pothuajse është rasti i parë që një grup të akuzuarish, si këta në rastin e 53 milionëshit, në krye me ish ministrin Pal Lekaj dhe zyrtarët Nebih Shatri, Besim Tahiri dhe Eset Berisha, shpallen fajtorë nga Gjykata Themelore e Prishtinës, të cilët (bashkërisht), janë dënuar me mbi dhjetë vjet burgim efektiv për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe buxhetit të shtetit. Madje ky është edhe një rast i rrallë, ku përveç dënimit me burgim, atyre u është shqiptuar edhe dënim plotësues, ani pse këto dënime do të ekzekutohen vetëm kur aktgjykimi të marrë vendimin e formës së prerë, dhe pasi të jenë shteruar të gjitha mundësitë e ankimimit të lejuar me ligj. Pra një vendim model, për tu marrë shembull, nga të gjithë, se si ka edhe një gjykatë e cila merr guximin, të konstatojë ligjërisht, përgjegjësinë penale të drejtuesit të dikasterit, të vet ish ministrit Lekaj dhe vartësve të tij për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe buxhetit të shtetit. Një praktikë shumë pozitive, hetimi dhe gjykimi, e cila nuk duhet ndaluar, vetëm me këtë rast, por duhet quar përpara dhe vijuar në të gjitha nivelet e qeverisjes kudo, që kishte, apo ka sinjale abuzimi dhe shpërdorimi, duke filluar me nivelin lokal, nga kryetarët e komunave e deri te kupola më e lartë e pushtetit qendror, Kuvend, Qeveri dhe Presidencë, kudo dhe ngado që politika e inkriminuar ka lënë argumente për abuzime dhe shkelje të ligjeve të shtetit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".