Mos ju besoni politikanëve mashtrues!
Florim Zeqa
Shkruan: Florim Zeqa
Mbase ne shqiptarët jemi i vetmi komb në botë, që më shumë ju besojmë ngjarjeve nga distanca kohore sesa realitetit që e jetojmë! Më shumë i beojmë një tregimi mitologjik sesa një realiteti të ditëve nëpër të cilat po kalojmë!
Familja burim i atdhedashurisë
Në të kaluaren, patriotët e mëdhenj e me zë e me namë si Hasan Prishtina, Haxhi Zeka, e shumë të tjerë e kishin shkrirë tërë pasurinë e tyre për çështjen kombëtare, ndërsa "patriotët" e ditëve të sotme vetëm çirren e shtirren në emër të kauzës kombëtare, pa dhenë asgjë nga vetja e tyre, duke marrë gjithçka nga pasuria shoqërore dhe ajo shtetërore.
Patriotizmi është dashuria dhe besnikëria, përkushtimi dhe gatishmeria e të qënurit në shërbim të popullit dhe atdheut në çdo rrethanë kohore e politike, pa kursyer asgjë nga vetja, pasi atdheu është mbi të gjitha, është i shenjt.
Patriotizmi burimin e ka tek familja, rrethi shoqëror, tek arsimimi dhe edukata e shëndoshë në frymën e pastër kombëtare. Një kryefamiljar i mirë i cili e don dhe kontribon në mënyrë të barabart për familjen e vet, do të jetë i aftë të kontriboj pa diskriminim për rrethin shoqëror, në të kundërtën, nese kryefamiljari nuk arrin t’i trajtojë në mënyrë të barabart familjen e tij, nuk ka pse të shkoi me tutje promovimin e patriotizmit fals dhe inekzistent tek të tjerët.
Familja, shoqëria, morali, sinqeriteti, humaniteti, besa, guximi, durimi, vendosmëria, burrëria, qëndresa dhe atdhedashuria janë elemente që e bëjnë njeriun të jetë patriot (atdhetarë) i devotshëm.
Pseudopatriotet pushtetitn e kanë burim të pasurimit
Populli edhe atëherë kur hesht e nuk flet, din t'i dallojë patriotët nga pseudopatriotët, i dallon dhe i çmon lartë veteranët e vërtetë nga ata mashtrues, të cilët, përveq gënjeshtrave dhe trillimeve nuk e kanë dhënë asnjë kontribut për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.
"Patriotët" e ditëve të sotme, pushtetin e kanë burim të pasurimit, kurse popullin e përdorin si instrument (gjatë fushatave zgjedhore) për marrjen e pushtetit.
Disa qëllimshëm po mundohen të harrojnë se ka kaluar koha e krijimit të miteve të rrejshme, duke u munduar të krijojnë mite të reja nën paragjykim dhe mashtrim të qytetarëve. Tani kur jemi në fund të çerekshekullit të parë në mileniumin e tretë, distanca mes mitit dhe realitetit është tepër e largët dhe e paarritshme.
Zhvillimi i hovshëm teknologjik më nuk e lejon krijimin e miteve të rrejshme sikurse në të kaluarën për të falsifikuar historinë dhe mbuluar veprimtarinë antishtetërore dhe antikombëtare me pseudopatriotizëm nën maskën e demokracisë!
Pasi, çdo material i shkruar apo vizual, deklaratë publike apo intervistë e secilit politikan është e arkivuar në internet, përkatësisht në faqet e gazetave dhe portaleve, të cilat pamësirshëm e ç'montojnë çdo tendencë për krijimin e miteve të rrejshme.
Andaj, qytetar të dashur të Kosovës dhe bashkatdhetar mos ju besoni politikanëve mashtrues, pasi ata nuk e kanë hallin tuaj, por të pushtetit dhe pasurimit nga djersa e juaj. Politikanët e papërgjegjshëm dhe mashtrues na shfrytëzojnë vetëm si “mish për topa” (vota) të partive politike në prag të fushatave zgjedhore”. Ata që ju kanë mashtruar qoftë edhe një herë të vetme, ndëshkoni me votë! Vota e pastron skenën politike nga mashtruesit dhe hipokritët, nga karrieristët dhe abuzuesit e pushtetit!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".