Lexoni edhe:
Trajtimi që po i bëhet Kosovës është i padrejtë
Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri
Alarmi të cilin e ka përçuar në mënyrë të qartë dhe aq koncize analisti politik dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Janusz Bugajski për një mobilizim serioz mbrojtës të NATO-s kundër shtrirjes së shtuar të ndikimit rus në Ballkan përmes Serbisë, është paralajmërim me vend, i dhënë në kohën e duhur dhe për tu marrë shumë seriozisht, ngase realisht shihet hapur, që ka rrezik për montimin e një konflikti të ri, shkas i të cilit do të ishte gjendja e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë.
-Bugajski me të drejtë, ka deklaruar se përforcimet e planifikuara të NATO-s në rajon, duhet të jenë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të penguar dhe mbrojtur kundër çdo kërcënimi ushtarak nga Rusia dhe “vëllai i saj i vogël, si Serbia”, dhe pas vitesh mohimi e hezitimi, udhëheqja e SHBA-së dhe NATO-s, duhet të zgjohen dhe më në fund edhe po zgjohen nga kërcënimi i konfliktit të armatosur që birim ka Beogradin dhe Moskën në Ballkanin Perëndimor. Madje ai ka konstatuar se edhe bllokimi i fundit i Kongresit të SHBA për ofrimin e më shumë ndihmave ushtarake për Ukrainën ka bindur disa anëtarë të NATO-s, se njëmend duhet të përgatiten për një luftë më të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Trajtimi që po i bëhet Kosovës është i padrejtë Lexoni edhe:
Ndërsa; “Ministrat e mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Polonisë, Norvegjisë dhe disa aleatëve të tjerë po punojnë për të hartuar edhe plane emergjente për një konflikt në përshkallëzim, përderisa paralajmërimet e tyre tërheqin vëmendjen për faktin se pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropa është e papërgatitur, ushtarakisht dhe aktualisht e pajisur keq, ka deklaruar Bugajski. Sipas Bugajskit, për shkak të mosveprimit të Kongresit Amerikan në javët e fundit, sado që tingëllon në mënyrë paradoksale, Evropa po bëhet më serioze për mbrojtjen e saj, madje disa vende të NATO-s janë ri angazhuar për të rritur shpenzimet e mbrojtjes, prodhimin e armëve dhe ndihmën ushtarake për Kievin.
Por, Bugajski thotë se në anën tjetër, sikur po harrohet Ballkani Perëndimor dhe shtrirja e ndikimit rus në këtë pjesë të Evropës, prandaj NATO duhet të përqendrohet atje akoma më shumë. “Ballkani po njihet gjithnjë e më shumë, i rëndësishëm strategjikisht në konfliktin në rritje me Rusinë dhe është pjesë e procesit të planifikimit të NATO-s kundër kërcënimeve të reja, kështu që ripërtëritja e NATO-s bazohet në disa komponentë, siç është rihapja zyrtare e bazës ajrore shqiptare të Kuçovës, e cila synohet të bëhet një qendër moderne për operacionet ajrore të aleancës në gadishullin ballkanik. Qendër bashkëkohore e cila do të mbështesë logjistikën, operacionet ajrore, përgatitjen dhe stërvitjet e Shqipërisë, si dhe do të ushtrojë fuqi në vendet fqinje të NATO-s, si në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë, ka deklaruar Bugajski. Pozitive në aspektin e preventivës mbrojtëse për Ballkanin Perëndimor, sipas tij është edhe deklarimi i Sekretarit të Përgjithshëm Jens Stoltenberg, se NATO po planifikon një rritje të përhershme të trupave në Ballkanin Perëndimor, ku misioni i KFOR-it në Kosovë aktualisht përfshin mbi 4500 ushtarë nga 27 vende.
“Pas sulmit të armatosur terrorist nga milicitë serbe në veri të Kosovës shtatorin e kaluar, qindra forca shtesë u dislokuan në vend nga Mbretëria e Bashkuar dhe Rumania. Në atë kohë, inteligjenca amerikane raportoi gjithashtu se forcat serbe, duke përfshirë artilerinë e avancuar, tanket dhe njësitë e mekanizuara të këmbësorisë, po grumbulloheshin përgjatë kufijve të Kosovës dhe dukej se ishin të përgatitura për një pushtim, por megjithëse ky kërcënim i menjëhershëm është zbutur paksa, Bugajski ka në analizën e ti ka ngritur alarmin se Uashingtoni ka akoma dyshime të forta mbi qëllimet e ardhshme të Serbisë.
Andaj, ai edhe porositë, që hapi i ardhshëm i NATO-s, të jetë rritja e përhershme e numrit të forcave të saj shumëkombëshe në rajon për të parandaluar përshkallëzimin e mundshëm nga Beogradi dhe provokimet e armatosura nga agjentët rus dhe përfaqësuesit e Moskës.
Kështu që, pikërisht me qëllim të përmirësimit të gatishmërisë, për të luftuar Rusinë e aleatët e saj, NATO po krijon një “Shengen ushtarak” në të gjithë Evropën për të lehtësuar lëvizjen e lirë të trupave dhe burimeve të aleancës përtej kufijve, thotë Bugajski.
E disa qeveri ballkanike kanë bërë thirrje për përfshirjen e tyre në “Shengenin ushtarak dhe nëse Serbia serish kërkon konflikt të armatosur në rajon, NATO duhet të përgatitet për ta penguar atë kërcënim dhe për të mposhtur forcat e Beogradit edhe më me intensitet se sa e bëri gjatë çlirimit të Kosovës në 1999, ka deklaruar Bugajski.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".