Lexoni edhe:
Vota ka peshë të madhe sovrane, ide-projekti për vendosjen e kamerave siguron transparencë
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Deklarata e habitshme e ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill se Serbia, është më afër NATO-s sesa Kosova, ra si rrufe, ditën me diell, e cila me shumë të drejtë, ka irrituar tej mase shqiptarët dhe zgjuar reagime të fuqishme tek qytetarët dhe opinion publik kosovar, si dhe ka trazuar aktorë të ndryshëm politik, në mesin e të cilëve edhe vet Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, e cila me arsye u shpreh se Serbia nuk mund të ëndërrojë të jetë pjesë e NATO-s, derisa ajo vazhdon ti shkel vlerat kryesore mbi të cilat qëndron dhe bazohet aleanca veri-atlantike.
-Rëndësi parësore, ka fakti që Kosovën e kanë njohur SHBA-të dhe partnerët e saj euro-atlantik dhe duke e ditur ë mirë, se për dallim nga Serbia, Kosova ka zgjedhur të ecë, pa ekuivokë në rrugën drejt NATO-s, SHBA-të, kanë bërë çdo gjë për të avancuar sa më shumë Kosova dhe realizuar sa më shpejt këtë qëllim, duke bërë trajnime të përhershme të pjesëtarëve të FSK-së, furnizuar me armatim e pajisje ushtrinë e saj, dhe mbështetur Kosovën që të bëhet, anëtare e plotë e NATO-s, si akti më jetik, që garanton sigurinë e të ardhmen e vendit tonë, dhe vendosë paqen afatgjate në rajonin e trazuar, në vijimësi nga ndërhyrjet e vazhdueshme të Serbisë fashiste.
Andaj edhe përgjigja që dha Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë Jeffrey Hovenier, duke e demantuar hapur, homologun e tij në Beograd Christopher Hill, lidhur me shanset e Kosovës dhe Serbisë për anëtarësim në NATO, ishte mesazhi më i qartë e përgjigja më domethënëse për institucionet e shtetit dhe politikën si tërësi të Kosovës, që të tregohen më të unisuara në veprime, të angazhohen më seriozisht, të bashkëpunojnë dhe bashkëveprojnë në partneritet të fortë me faktorin ndërkombëtar, për ti zgjidhur, bashkërisht, të gjitha çështjet e hapura me Serbinë dhe zënë vendin meritor në Aleancën Veri-Atlantike-NATO, që është hapi më jetik dhe qëllimi më fondamental e strategjik i shtetit të ri të Kosovës. Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier e ka demantuar plotësisht, homologun e tij në Begrad,Christopher Hill për deklaratën e pamatur, para medieve serbe të kontrolluara nga Vuçiq, kur u pyet nga gazetarët për shprehjet e ambasadorit amerikan në Serbi, duke sqaruar për opinion, se edhe pyetja që i është parashtruar Hill-it, mbase ka qenë e porositur nga vetë sponsori dhe kontrollori i këtyre medieve, e që në fakt, është vet Aleksandër Vuçiqi. Për ta bërë edhe më të qartë përgjigjen e tij dhe bindur mbarë opinionin mbi realitetin në terren, Jeffery Hovenier, e tha hapur se: “Unë do t’i kontestoj të gjithë ata që duan të bëjnë krahasime të tilla dhe përdorin kontraste se kush ku qëndron në marrëdhënie me dikë, duke folur me argumente dhe treguar me fakte se SHBA-të po angazhohen me përkushtimin më të madh për avancimin e shtetit të Kosovës, si në rrafshin politik e diplomatik ndërkombëtar, ashtu edhe në atë ushtarak dhe të sigurisë rajonale, në kuadër të NATO-s! Madje ka edhe një angazhim të jashtëzakonshëm në avancimin e sigurisë së Kosovës përfshirë të drejtën e saj për të lëvizur edhe drejt anëtarësimit në NATO”, tha ambasadori amerikan.
Ai shtoi po ashtu, se politika fondamentale e SHBA-së është që secili vend të jetë i lirë, t`i bëjë zgjidhjet e veta për aleancat dhe organizatat, duke folur në këtë kontekst edhe për mbështetjen që SHBA i jep popullit të Ukrainës sikur që i jep dhe do të vazhdojë ti jap edhe Republikës së Kosovës. Kurse sa i përket stabilitetit rajonal, ambasadori Hovenier ka përmendur edhe akte e veprime konkrete me të cilat demantohet homologu i tij në Beograd, duke faktuar përkushtimin me të cilin angazhohet pareshtur edhe vet Kosova, që sa më shpejtë të bëhet pjesë e NATO-s, prandaj gëzon mbështetje të vazhdueshme teknike e logjistike, nga SHBA!.
Për këtë arsye “SHBA-të përkrahin pa rezervë popullin e Kosovës dhe ndihmojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës”, sepse e dinë mirë, që për dallim nga Serbia, Kosova ka zgjedhur të ecë drejt NATO-s, ndaj edhe ne si SHBA, bëjmë çdo gjë për ta avancuar këtë qëllim të drejtë të saj”. Kemi bërë shumë përpjekje, trajnime, furnizuar me pajisje dhe armatime të nevojshme, për ta mbështetur këtë angazhim, i cili mbetet edhe qëllimi ynë, ka thënë Hovenier duke cekur se pengesën e vetme, që mund ta vonojë përkohësisht, procesin e anëtarësimit të plotë të Kosovës në NATO, është sfida, që disa anëtarë të NATO-s ende nuk e kanë njohur shtetin e pavarur të Kosovës. Por me rëndësi kryesore, është fakti që Kosovën e kanë njohur SHBA-të dhe partnerët e saj dhe duke ju kundërvënë publikisht deklaratave të homologut të tij në Beograd Christopher Hill, tha se ne dëshirojmë ta shohim të ardhmen e Kosovës në NATO… po punojmë në këtë drejtim dhe presim që Kosova të jetë anëtare e plotë e NATO-s”, theksoi fortë dhe u shpreh hapur e shumë qartë ambasadori i SHBA-ve në Kosovë Jeffery Hovenier.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".