OKB-ja vendos për statusin e Kosovës, por kur?
Prof. Dr. Mehdi Hyseni
Shkruan: Prof.Dr. Mehdi Hyseni
-Jo as Josep Borelli e as Miroslav Lajçaku; as Spanja, as Rumania, as Sllovakia, as Qiproja Greke e as Greqia ( ndërmjetësues të BE-së në procesin e Dialogut të Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë) nuk kanë kapacitet as politik, as diplomatik e as juridik ndërkombëtar, që të vendosin për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, por vetëm OKB-ja është ajo që de fakto dhe de jure mund ta zgjidhë çështjen koloniale të Kosovës (1912-1999).
Për më tepër, edhe sikur BE-ja të kishte caktuar emisarë special të saj ndonjë politikan shqiptar si bie fjala: Veton Suroin, Shkëlzen Maliqin, Nexhmedin Spahiun, Sali Berishën, Ali Ahmetin, Edi Ramën. Blendi Fevziun…., etj. nuk do të kishin mundur të bënin asgjë më shumë se Miroslav Lajçaku dhe Josep Borelli në ndërmjetësimin e Dialogut të Brukselit (pavarësisht se sa do të ishin objektivë në observimet e tyre për t’i pajtuar palët në konflikt), mbase brenda kësaj kohe disavjeçare (2011-2024) BE-ja ende nuk e ka shtruar problemin e Kosovës për zgjidhje si çështje koloniale, ngase pala shqiptare e Kosovës asnjëherë nuk ka kërkuar një gjë të tillë nga BE-ja, as nga OKB-ja e as nga Amerika).
Prandaj, duhet të jemi realistë dhe objektivë, se këta emisarë paqësorë të BE-së (Borell dhe Lajçak), si dhe cilido qoftë ndonjë tjetër (evropianoperëndimor apo evropianolindor) , përpos liderëve të njohur politikë serbë: Nenad Çanak, Vuk Drashkoviq dhe Çedomir Jovanoviq. Vetëm sikur këta të ishin përfaqësues të BE-së, do të mund të zgjidhnin përfundimisht dhe në mënyrë objekive statusin e Kosovës në kuadrin e Dialogut të Brukselit. Ndryshe, askush tjetër (qoftë ai edhe Borut Pahor (ish-kryetar ii Sllovenisë) apo Stipe Mesiq, ish kryetar i Kroacisë) , duke qenë se aty në Bruksel palët negociuese po debatojnë për statusin e minoritet serb në Kosovë, jo për zgjidhjen e statusit kolonial të Kosovës.
Prandaj, kot fajësohet dhe kritikohet Borelli dhe, Lajçaku (Spanja, Greqia, Qiproja Greke, Rumania dhe Sllovakia), sepse problemi është i shtruar gabimisht nga ana Prishtinës zyrtare (2011-2024) në vend se të debatojë për shkolonizimin e Kosovës, ata debatojnë qe 15 vjet për të drejtyat dhe liritë elementare të minoritet serb në Veriun e Kosovës!?
-Derisa të debatohet kështu, në këtë “nivel të qoroditur” jashtë arsyes së drejtës së brendshme dhe të jashtme të vetëvendosjes së Kosovës, jo Borelli dhe Lajçkau, por as dreqi nuk mund t’iu ndihmojë për shkapjen përfundimtare nga sundimi kolonial shekullor i Serbisë.
Natyrisht se pala zyrtare e Kosovës çdo ditë mund të kërkojë ndërrimin e emisarëve të BE-së në Dialogun fatkeq dhe fatal politik të Brukselit, por statusi juridiko-politik i Kosovës nuk ndryshon, dersia atë ta ndryshojë Asambleja e Përgjithshme ose Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i cili hëpërhë është i bllokuar nga VETO-ja e Rusisë, duke u bazuar në Rezolutën 1244 të KS-së për Kosovën, të miratuar më 10 qershor 1999, e cila as de fakto e as de jure nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Këtë e kemi pohuar me dhjetëra e qindra herë (1999-2024).
Pse Prishtina zyrtare dhe OKB-ja nuk po kërkojnë shkolonizimin de fakto dhe de jure të Serbisë? !
-Pse Ballkani të mos shkundet nga kolonializmi serb, ashtu sikurse kontinentet e tjera të botës (Afrika, Azia dhe Amerika Latine) ?
-Ku është problemi, pse Aleksandër Vuçiq po kërcënon Kosovën me luftë, duke mos pranuar njohjen e vetëvendosjes së Kosovës?
-Derisa OKB-ja, Amerika dhe BE-ja nuk kërkojnë shkolonizimin e Serbisë, Beogradi zyrtar, pavarësisht se kush e drejton Serbinë, Vuçqi, Vulini apo Daçiqi etj. Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën e pavarur dhe sovrane (17 shkurt 2008).
Shansi i vetëm i ligjshëm dhe paqësor, që Kosova de fakto dhe de jure të dalë nga kthetrat kolonialiste shekullore të Serbisë (Kushtetuta në fuqi e vitit 2006, Kosovën e ka sanksionuar si autonomi legale në kuadrin e integritetit territorial të saj), është debatimi i saj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Kjo do të ishte rruga e drejtë paqësore dhe demokratike. (këtë të vërtetë e kemi thënë qe 15 vjet. Mirëpo, gjatë kësaj kohe, lidershipi i Kosovës është fokusuar në zgjidhjen e statusit autonom të minoritetit serb në veroun e Kosovës, jo në zgjidhjen e sttausiot kolonial të Kosovës!
Ndryshe, Serbia nuk do të heqë dorë nga pretendimet e saj territoriale ndaj Kosovës, duke e konsideruar si pjesë të tërësisë së saj territoriale, administrative dhe shtetërore.
Gjithashtu, derisa Tirana zyrtare të ketë marrëdhënie të ngrohta miqësore, diplomatike, politike, ekonomike, tregtare, biznesore, kulturore etj. me Serbinë kolonialiste të Vuçiqëve, të Daçiqëve dhe të Vulinëve etj, të cilët edhe ditën duke ecur po ëndërrojnë “botën serbe”, Beogradi zyrtar kurrë nuk do ta njohë Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës (17 shkurt 2008).
Pavarësisht se çfarë marrëveshjesh ka lidhur ose do të lidhë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me presidentin serb Aleksandër Vuçiq apo me Ivica Daçiqin, problemi kolonial i Kosovës, do të mbetet i pazgjidhur derisa Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ose Këshilli i Sigurimit të mos e sanksionojë kolonializmin e Serbisë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Preshevë, në Bujanoc dhe në Medvegjë etj.
Kosova mund të hyjë në NATO apo në BE. Mirëpo, pa njohjen e saj nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, do të mbetet një pikëpyetje e madhe sa i përket zgjidhjes de fakto dhe de jure të vetëvendosjes së saj sipas së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara, pavarësisht shkallës së bashkëpunimit të saj me partnerët evropianoperëndimorë.
Sa më sipër, kot është “përjashtuar” Miroslav Lajçaku si ndërmjetësues i BE-së në Dialogun e Brukselit mes Serbisë dhe Kosovës, sepse zgjidhja e drejtë dhe përfundimtare e statusit të Kosovës varet nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, jo as nga Lajçaku, as nga Borelli e as nga Borut Pahor (ish-president i Sllovenisë).
Pra, (mund t’i justifikojmë dyshimet e krijuara lidhur me Lajçakun, për shkak se Sllovakia nuk po e njeh Kosovën) mund të vazhdojmë me kërkesën për ndërrimin e emisarëve të BE-së në Dialogun e Brukselit, por rezultati juridiko-politik dhe diplomatik, do të mebetet i njëjtë-status quo , i pandryshuar në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së OKB-së, s’do të ketë njohje as de fakto e a de jure të Kosovës nga ana e Kombeve të Bashkuara. Kjo do të thotë s’ka shtet të pavarur dhe sovran sipas normave, rregullave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare.
-Qeveria e Kosovës mund t’i njohë çfarëdo lloj autonomie minoritetit serb të Kosovës, mirëpo, derisa BE-ja dhe OKB-ja nuk e detyrojnë qeverinë dhe kuvendin e Serbisë, që Kosovën ta heqë nga Kushtetuta e saj (2006), sipas së cilës është krahinë e Serbisë, Kosova do të mbetet jashtë OKB-së si shtet i papërfunduar sipas së drejtës ndërkombëtare.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".