Rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si akt përgatitor për anëtarësim në Bashkimin Evropian

Rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si akt përgatitor për anëtarësim në Bashkimin Evropian
Rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si akt përgatitor për anëtarësim në Bashkimin Evropian

Gjon Keka

  • 09 May 2024 - 07:45

Shkruan:Politologu- Gjon Keka

Tani po afrohet data(16 ose 17 maj 2024) kur eventualisht mund të bëhet edhe datë historike për Kosovën dhe fatin e saj brenda Këshillit të Evropës si anëtarja më e re dhe me aspirata drejtë anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO si dhe në organizata tjera ndërkombëtare dhe evropiane.

-Sa më afër po afrohemi kësaj date aq më shumë mjegull po hedhin skeptikët dhe ata që nuk e duan Kosovën ta shohin në dritë dhe pjesë të botës demokratike dhe organizatave të tilla sikur është Këshilli i Evropës. Se Kosova i ka plotësuar kushtet për të qenë pjesë e Këshillit të Evropës ,kjo është tani më ditur botërisht, prandaj çdo tendencë për ta penguar apo hedh gurë rrugës tani kur është tepër afër anëtarësimit dhe hyrjes së Kosovës brenda historikut të organizatës së rëndësishme evropiane sikur është Këshilli i Evropës është e dëmshme dhe nuk i shërben as demokracisë, as parimeve dhe as respektimit të punës që është bërë në plotësimin e kushteve nga Kosova ,por edhe e dëmshme për vlerat dhe parimet që kanë ato vende që duan ta pengojnë Kosovën të jetë pjesë e kësaj organizate.

Në fakt anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është aq i rëndësishme për kohën në të cilën jemi ,aq më tepër kur Kosova është një shtet i ri dhe me demokraci të re dhe institucionet që duan më shumë energji evropiane ,më shumë shkollë apo edukim demokratik ,më shumë kuptim apo respektim të të drejtave të njeriut dhe të shtetit të së drejtës etj , dhe këto nuk mund t'i marrë apo gjejë askund tjetër pos në organizatën e Këshillit të Evropës, prandaj edhe anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës është tepër i natyrshëm, i domosdoshëm dhe më shumë rëndësi jo vetëm për Kosovën si shtet por edhe për vetë Këshillin e Evropës.

Shkolla e demokracisë dhe të fushës së drejtave të njeriut ,që do të hyjë Kosova me anë të anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës është në dobi edhe të vetë shkollës së demokracisë së këtij këshilli ,sepse edhe Kosova si një shtet me kushtetutë ku pakicat dhe të drejtat e njeriut janë pjesë e pakos së Ahtisarit ,dhe që tejkalojnë të drejtat ndaj pakicave tjera që janë edhe në vendet e Bashkimit Evropian, pra në njërën anë përfiton Këshilli i Evropës me futjen e Kosovës në gjirin e saj dhe shkollën e saj të demokracisë ,dhe në anën tjetër përfiton Kosova sepse do të gjejë frymën dhe shkollën që do të arrijë pjekurin e saj dhe respektin ndaj parimeve të demokracisë ,të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës etj.

Statuti i Këshillit të Evropës i detyron shtetet anëtare t'i përmbahen standardeve të tyre. Kështu që „sundimi i ligjit (parimi i shtetit së drejtës) dhe njohja e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut janë parakushte për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Vetëm për këtë arsye, shtetet e Evropës Lindore nuk mund të anëtarësoheshin para trazirave politike të viteve 1989/90 .Ku më pas pothuajse të gjitha shtetet e këtij rajoni janë bërë anëtarë. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës konsiderohet gjithashtu një akt përgatitor për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Megjithatë, dilema në të cilën është gjetur Këshilli i Evropës si rezultat i këtij zhvillimi është e dukshme.

Nga njëra anë, është evidente se shumë prej këtyre shteteve nuk e përmbushin ende standardin e zhvilluar ligjor të të drejtave të njeriut, përfshirja e tyre mbart rrezikun që standardi të ulet ose të krijohet një ligj "ndarës".Krijimi i një mekanizmi të diferencuar këshillues dhe monitorues (Monitoring) për periudhën pas anëtarësimit përmes asamblesë parlamentare dhe komitetit të ministrave nuk mund ta pengojë këtë zhvillim.“(Völkerrecht,A.P.,2023) Pra sikur shihet me anëtarësimin në Këshillin e Evropës nuk përfundon gjithçka ,sepse në rast se një vend nuk i përmbahet statutit dhe kushteve të pranimit,mund të suspendohet sepse sikur dihet pas anëtarësimit ekziston një kohë e monitorimit të vendeve të reja që janë anëtarësuar.

Është tepër i rëndësishëm anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës,nga njëra anë për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike dhe në anën tjetër për shkak historisë së saj të largët dhe të afërt, sepse Këshilli i Evropës është organizata ideale për një shtet si Kosova,ngase përçon në të njëjtën kohë identitetin evropian dhe legjitimitetin demokratik. Me pak fjalë anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte një gurë themeli për demokracinë e Kosovës, shtetin e së drejtës , të drejtave të njeriut etj dhe për rrugën e saj të integrimin në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimit në NATO. Me këtë shkrim uroj nga zemra që Kosova shteti im të arrijë të bëhet anëtari më i ri i Këshillit të Evropës, paq fat Kosova ime!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".