Lexoni edhe:
Ja kush po e kërkon dorëheqjen e Mimoza Kusarit
Shkruan:ANALISTI-Gani Qarri
Qeverisë së Kosovës duhet ti shërbejë veçanërisht regjistrimi i fundit i popullsisë i cili këto ditë, sapo ka përfunduar, përpos afatit që vazhdon edhe në muajin gusht për diasporën dhe në bazë të cenzusit i cili do të del nga ky numërim, të ndërmarr hapa konkret duke autorizuar grupin punues për hartimin e një draft statuti për një formë apo një lloj "Këshilli Nacional" , për minoritetin serb, në Kosovë, njëjtë si në Kroaci. Kjo për faktin se tanimë dihet mirëfilli, rezultati i cenzusit, dhe përqindja e saktë e minoritarëve serb, në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës apo edhe të tjerat ku serbët paraqesin një shumicë relative, që nuk është ai me të cilin për më tepër se dy dekada, ka spekuluar Vuçiqi dhe Serbia.
Ja kush po e kërkon dorëheqjen e Mimoza KusaritLexoni edhe:
Me shënimet e detajuara rreth këtij procesi, do të vërtetohet se edhe komunat në veri të Kosovës pas cenzusit, nuk do të dalin më me përqindjen e pretenduar, të shumicës serbe, me të cilën kanë propaganduar qeveritë e kaluara, duke dhënë shifra marramendëse se gjoja arrinin deri "90% "?!-popullsi serbe, veçanërisht kur dihet se edhe në vitin 2011 minoritarët lokal serb, patën bojkotuar regjistrimin kështu që shifra e saktë është manipuluar dhe fryrë vazhdimisht, për interesa politike, nga Serbia hegjemoniste. Duke qenë se faktori ndërkombëtar nuk po heq dorë nga presioni ndaj institucioneve të Kosovës, me kërkesa për ta bërë asociacionin, me çdo kusht, pas regjistrimit të popullsisë, i ashtuquajturi asociacion, edhe nëse bëhet, duhet pasur medoemos parasysh përfaqësimin në instancat e institucioneve të shtetit dhe nivelin proporcional të përbërjes së popullsisë! Dhe nëse përpara në veri të Kosovës një patrullë policore dilte në terren me tre veta,ku dy kanë qenë serb e një shqiptar, tani duhet ndryshuar niveli i përfaqësimit, e duhet të shkohet me dy shqiptar e tre serb, dhe të arrihet një balancim sipas përkatësisë etnike, në mënyrë që të ketë siguri të plotë të zbatimit 100% të ligjeve dhe kushtetutës të Republikës së Kosovës, duke mos lejuar që të jen për asgjë të ndikuar nga Serbia.
Kjo për vet faktin e ditur, se deri më tani nën ndikimin e Serbisë, edhe qytetarët lokal dhe zyrtarët nëpër institucione , kanë folur dhe kanë vepruar hapur, kundër institucioneve të shtetit të Kosovës, duke mos zbatuar ligjet dhe mos i pranuar ato. Kurse me masat që ka ndërmarr tash e një vit Qeveria aktuale e Kosovës, veçanërisht me mekanizmat e sundimit të ligjit në veri, ka ndërruar tërësisht edhe situata dhe shteti i Kosovës e ka nën kontroll të plotë, komplet veriun e Kosovës, që nuk e kishte deri para një viti. Prandaj edhe nëse duhet autorizuar një grup punues për ta rishkruar një statut për një lloj asociacioni për komunat me shumicë serbe, në atë statut, duhet të përshkruhen dhe përcaktohen, sa më qartë për cilindo anëtar të asociacionit, se nëse ai vepron kundër shtetit të Kosovës, mbanë anën e Serbisë apo ndikohet nga Serbia, dhe atë ndikim e qon deri në aktin e shkeljes së ligjeve e kushtetutës së shtetit të Kosovës, do të hapen procedura të menjëhershme për shkarkim, dhe do të shkohet deri në procedura penale, varësisht nga pesha e shkeljes dhe vlerësimit nga prokuroria. Është koha e fundit, që asnjë shtetas i Kosovës qoftë ai edhe minoritar serb, nuk duhet lejuar që të angazhohet dhe veprojë kundër shtetit të Kosovës dhe pastaj edhe të mbetet përsëri i pa sanksionuar dhe mbaj pozitën që kishte aty. Në rast se ndodhë shkelja e ligjit dhe kushtetutës, institucionet e shtetit, Policia dhe prokuroria duhet të ndërmarrin urgjentisht, masat e nevojshme ligjore dhe personi në fjalë, ti nënshtrohet procesit të shkarkimit, për ta zgjedhur një anëtar tjetër në postin e tij. Madje edhe pritjet për ndryshim të madh të përqindjes së qytetarëve me përkatësi serbe në komunat e veriut janë më tepër se reale, për faktin e ditur botërisht, se shumë kriminel serb, të cilët kanë kryer krime në jug të Mitrovicës dhe pjesët e tjera të Kosovës gjatë luftës, janë vendosur në veri, madje të njëjtit edhe e kanë mbajtur nën kontroll, gjithë atë pjesë deri me ardhjen e Qeverisë Kurti.
Kurse pas ndërmarrjes së hapave konsekuent të Qeverisë Kurti, institucionet e sigurisë së Kosovës e kontrollojnë tërësisht veriun dhe kriminelët serb, të cilët në kooketim me qeveritë e kaluara, e kishin kthyer veriun në oazë të krimit të organizuar dhe e bënin ligjin e xhunglës, tanimë as që guxojnë të qëndrojnë aty dhe në atë pjesë, kështu që edhe situata është stabilizuar dhe normalizuar në masë shumë të mirë, bile aktualisht edhe më mirë se në shumë pjesë tjera të Republikës së Kosovës. Kështu që derisa tereni në veri është pastruar nga strukturat kriminale dhe cenzusi i cili gjatë muajit qershor, pritet të bëhet publik, do të dëshmoj përfundimisht me fakte autentike, se sa janë ata që janë regjistruar dhe sa është përbërja e tyre, e sa janë që nuk janë regjistruar, që edhe nuk është më me aq rëndësi sepse as nuk mundë të ndryshojnë të dhënat përtej asaj që është faktuar. E nëse vërtetë ka nevojë për heqje të dyshimeve, mundë edhe të organizohet një regjistrim shtesë vetëm për ato komuna me shumicë serbe që të bëhet edhe një riverifikim i detajuar, pas daljes së rezultateve, proces që mundë të shpallet brenda një muaj ditësh. Asociacioni që kërkohej të formohej në të kaluarën, pa regjistrimin e popullsisë, mundë të paraqiste rrezik, për vet faktin se edhe votat nëpër komuna, në të kaluarën nuk kanë qenë reale, kanë qenë vota të ndyta, të pa besueshme dhe tërësisht të manipuluara, që në mënyra të ndryshme i ka bërë vetë Serbia, kurse këtu në Kosovë pastaj vetëm është vazhduar procedura me të njëjtat lista. Kurse për fatin tonë të mirë, tanimë edhe cenzusi real ekziston, përndryshe në rast nevoje eventuale, mundë të shpallet regjistrimi për dy javë ditë, vetëm për komunitetin serb në veri dhe gjithçka të saktësohet e të vërtetohet deri në detaje. Por pas këtyre masave që ka ndërmarr Qeveria e vendit, të gjithë qytetarëve duhet tu mundësohet kthimi në pronat e tyre edhe në veri të Kosovës, përfshi kthimin e shqiptarëve që kanë jetuar më parë në veri të Kosovës, të cilët janë dëbuar me dhunë nga veriu, të kthehen ne pjesën veriore, Mitrovicën e veriut dhe Zveçan, respektivisht tu ndërtohen edhe shtëpit dhe banesa nga ana e shtetit, si dhe të bëhet një balancim në kuptimin e gjendjes së vërtetë, ku qytetarët e të dyja komuniteteve të mundë të bashkëjetojnë si në jug, ashtu edhe në veri, në pronat e tyre.
Madje mu në këto veprime, duhet të bazohet edhe krijimi i asociacionit e nëse, Bashkësia Ndërkombëtare, megjithatë insiston për draftin evropian të hartuar nga Borell, Lajcak dhe Eskobar, që edhe ai të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, atëherë le të shkojnë të dyja versionet. Edhe drafti evropian mundë të shkojë i dërguar sipas autoritetit kushtetues të Presidentes së shtetit, kurse grupi punues i autorizuar nga Qeveria, le ta dërgojë draftin tjetër, të bazuar 100% në ligjet dhe kushtetutën e Republikës, pa lënë asnjë mundësi të ndikimit nga Serbia, por as të abuzimit nga kriminelët serb dhe Serbia, gjatë zbatimit dhe funksionimit të Asociacionit. Presidentja ka autoritet dhe legjitimitet kushtetues e ligjor, që ti dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të dyja dokumentet dhe pastaj Gjykata Kushtetuese ti analizojë e të vendosë për ligjshmërinë e tyre, duke dalë më sqarimet dhe rekomandimet ligjore e kushtetuese, të shoqëruara me një akt përcjellës mbi versionin e përshtatshëm, mbi bazën e të cilit do të mundë të themelohej një formë e përshtatshme asociacioni, bie fjala një formë Këshilli Nacional të serbëve, si në Kroaci, në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, pasi që po kërkohet me kaq këmbëngulje, nga faktori ndërkombëtar. Kosova nuk mund të vendnumërojë dhe duhet pa vonesë të avancojë e ecë përpara në të gjitha nivelet e integrimeve ndërkombëtare, përderisa jemi shtet dhe pjesë e këtij kontinenti, andaj edhe nëse nuk mundë të bëhemi akoma anëtarë në OKB, duhet të avancojmë dhe të ngjitemi në të gjitha strukturat e BE-së.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".