Edhe OSBE e ka zbuluar lidhjen e fuqishme të sistemit të drejtësisë në Kosovë me krimin e organizuar

Edhe OSBE e ka zbuluar lidhjen e fuqishme të sistemit të drejtësisë në Kosovë me krimin e organizuar
Edhe OSBE e ka zbuluar lidhjen e fuqishme të sistemit të drejtësisë në Kosovë me krimin e organizuar

Gani Qarri

  • 09 June 2024 - 09:00

Shkruan:ANALISTI-Gani Qarri

Siç është njoftuar edhe opinioni, në fillim të kësaj jave, misioni i OSBE-së në Kosovë ka publikuar raportin e detajuar të monitorimit të punës së gjykatave në vendin tonë, i cili për fat të keq, serish evidenton edhe një dështim super të madh të drejtësisë së kalbur, se si gjykatat vendore, nuk e kanë trajtuar, pothuajse fare korrupsionin dhe krimin e organizuar të nivelit më të lartë në Kosovë. Andaj vet ky raport analitik i OSBE-së, i cili vije si raporti më kritik për performancën tepër të ulët të sistemi të drejtësisë së kalbur në Kosovë, u kritika ashpër se sa thellë është i uzurpuar dhe kontrolluar ky sistem i dështuar nga rrjetet mafioze dhe nga krimi i organizuar!

 

 

Raporti në fjalë, është pjesë e një programi më të gjerë të monitorimit të gjyqeve nga ana e OSBE-së në rajon, që në Kosovë ka analizuar mbi 52 raste të krimit të organizuar dhe korrupsionit (përfshirë 670 seanca dëgjimore) të monitoruara nga Misioni midis viteve 2021 dhe 2024, pra për plotë tre vjet rresht, për (mos)punën e të cilave, OSBE vërtetë ka kritikat më të rënda. Ky veprim i OSBE-së, ndërmerret me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, një raport që bënë rekomandime praktike dhe u vije në ndihmë institucioneve shtetërore për adresimin e mangësive në ndjekjen e korrupsionit dhe gjykimin e rasteve të krimit të organizuar. Raporti jep detaje të tmerrshme, për zvarritje të trishta dhe tepër të papërgjegjësi, mbi rastet e lirimeve të shumta paushallë nga akuzat!? Madje edhe vet Shefi i misionit të OSBEsë në Kosovë, Michael Davenport tha se misioni që ai udhëheqë, ka vërejtur zhvillime pozitive vetëm kohëve të fundit dhe në vitet e qeverisjes aktuale, të cilat janë drejtpërdrejtë të lidhura me administrimin e drejtësisë në rastet e korrupsionit dhe të krimit të organizuar.

Davenport, përmendi edhe miratimin e strategjisë së sundimit të ligjit 2021-2026 , si dhe miratimin e planit për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022-2024. Por me gjithë përparimet e fundit, OSBE vlerëson se Kosovës i duhet akoma shumë kohë që ta përmirësojë imazhin e dëmtuar me dekada të sistemit të kalbur të drejtësisë, i cili pikërisht, për shkak të mosfunksionimit Professional dhe të pa varur, shihet me sy shumë negativ në opinionin publik, sepse vazhdon lidhjet e fuqishme dhe mbetet nën ndikim të vazhdueshëm të krimit të organizuar Andaj perceptimi i opinionit dhe sondazhet e perceptimit publik paraqesin një mungesë të theksuar të besimit në gjyqësorin vendor, ndërsa të anketuarit shprehin hapur dyshime edhe sa i përket aftësisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve për të hetuar rastet dhe kërkuar llogari nga zyrtarët e korruptuar. Për aq më tepër, këto dyshime janë padyshim të bazuara dhe të nxitura edhe nga shkalla e lartë e lirimit të personave të akuzuar për rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërsa frustrim të rëndë dhe të përgjithshëm, ka edhe për ritmin e ngadaltë të reformës gjyqësore, si dhe mungesën e informatave të aksesueshme transparente për këto lëndë, gjë që është mese e qartë për të gjithë, se monitorimi i tillë është një mjet i dobishëm për institucionet e shtetit dhe qytetarët. OSBE, është ajo, që për shumë vite ka publikuar raportet që kanë të bëjnë me monitorimin e gjykatave bazuar në fakte dhe prova autentike, në bazë të të cilave, janë nxjerr konkluzione reale dhe rekomandime të domosdoshme ” , ka deklaruar shefi I Misionit të OSBE-së në Kosovë Michael Davenport, gjatë prezantimit të të gjeturave të periudhës së fundit të monitorimit.

Davenport tha gjithashtu, se gjatë hartimit të raportit kanë vërejtur një numër të madh të seancave joproduktive, shumë zvarritje të rasteve dhe mangësi të mëdha në vetë menaxhimin e rasteve, kapacitet joadekuat e shpeshherë edhe mungesë resursesh, si dhe llogaridhënie të dobët dhe performancë të ulët, të mekanizmave përkatës, që pengojnë konfiskimin efektiv të pasurive të fituara kundërligjshëm dhe me vepra penale. Andaj raporti monitorues i OSBE-së rekomandon dhe thekson fort nevojën për të forcuar transparencën dhe qasjen në informata, me një qasje më konsistente për publikimin e aktakuzave që do të jenë të qasshme për qytetarët, si dhe nevojën për të rritur efikasitetin e gjykatave dhe masat e veçanta hetimore, të cilat duhet të nxiten dhe të zbatohen në praktikë. Përveç kësaj kërkohet urgjentisht futja në veprim e udhëzimeve ekzistuese për konfiskim dhe sekuestrim të pasurive të kundërligjshme, si dhe ndërmarrja e hapave specifik, sidomos nga KGJ dhe Gjykata Supreme që të sigurohet një menaxhim më efektiv i rasteve dhe të ulet numri i zvarritjeve dhe vonesave të paarsyetuara. “Ekipi ynë ka monitoruar gjithsej 52 çështje, ku janë përshirë 670 seanca dëgjimore, nga korriku 2021 deri në mars 2024, 38 raste të korrupsionit të profilit të larë dhe 16 të krimit të organizuar. Në këto pesë juridiksione, disa prej këtyre çështjeve të nënvizuara përfshijnë, pronësinë e pamjaftueshme të procesit të reformës, vështirësi me resurse njerëzore e materiale, performancë jo efektive të sistemit të menaxhimit për gjyqtarë dhe prokurorë, duke përfshirë shpeshherë kritere që favorizojnë sasinë mbi cilësinë dhe tolerojnë performancë të dobët, si sfidat më të shpeshta, sa i përket drejtësisë efikasitetit dhe kapacitetit gjyqësor në gjykimin e rasteve të nivelit të lartë.

Në jo pak raste, janë vërejtur edhe politikan që kanë prirje të minojnë përpjekjet për trajtimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, për të mbajtur nën ndikim pavarësinë e gjyqësorit” , e sa i përket asaj se ku qëndron përgjegjësia përkatëse, ndonjëherë ka pasur edhe mungesë konsensusi të atyre që shtyjnë përpara reformat gjyqësore, thuhet në raport. Kështu që një raport si ky, flet më tepër se qartë dhe shumë zëshëm për nevojën urgjente të përfundimit dhe miratimit të pakos legjislative mbi reformën e thellë në sistemin e drejtësisë, para fundit të mandatit të kësaj Qeverie, sepse është pikërisht Ligji Vetting ai që është premtuar, si kontratë me qytetarët, por ende edhe sot nuk është miratuar, i cili ka rrezik, të mbetet edhe i pa realizuar, një dështim që mezi e pret veçanërisht nëntoka e krimit të organizuar që vazhdon të bashkëjetojë në paqe, me sistemin e kalbur dhe të korruptuar deri në palcë, të “drejtësisë”.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".