Sistemi gjyqësor dhe prokurorial, vazhdon të jetë i kapur thellë nga nëntoka e krimit të organizuar

Sistemi gjyqësor dhe prokurorial, vazhdon të jetë i kapur thellë nga nëntoka e krimit të organizuar
Sistemi gjyqësor dhe prokurorial, vazhdon të jetë i kapur thellë nga nëntoka e krimit të organizuar

Gani Qarri

  • 19 June 2024 - 17:13

Shkruën: : ANALISTI-Gani Qarri

Parë nga zhvillimet aktuale të sistemit të kalbur dhe gjyqësisë së kapur nga mafia politike, kriminelët dhe mafiozët e kapur në vepër, ndonëse gjyqësori i korruptuar dhe i lidhur ngushtë në bashkëjetesë me krimin e organizuar, nga frika e reagimit të opinionit publik, nuk e ka guximin për ti liruar krejtësisht nga veprat penale, fatkeqësisht edhe kriminelët i dënon vetëm me kusht e fare simbolikisht dhe sa për “sy e faqe” e të dhëna statistikore.

 

Rasti më i freskët është shqiptimi i të ashtuquajturave dënime me nga gjashtë muaj burgim me kusht dhe me nga 1 mijë euro gjobë, për katër të akuzuarit për dhënie ryshfeti në pikën kufitare Hani i Elezit! Të akuzuarit për dhënie ryshfeti në pikën kufitare Hani i Elezit, Bajram Krasniqi, Ahmet Abazi, Sabri Spahiu dhe Dardan Isaj u “dënuan” të martën me nga 6 muaj burgim me kusht dhe 4 mijë euro gjobë (së bashku), pasi u aprovua marrëveshja e arritur mes tyre dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për pranimin e fajësisë. Andaj dhe lind pyetja e patejkalueshme "një-milionëshe" se deri kur do të vazhdojë kjo padrejtësi e kapur dhe korruptuar deri në fyt, ta bëjë, pa u penguar nga askush, bashkëjetesën me nëntokën e krimit të organizuar, duke amnistuar krimin me gjykime formale, vetëm sa për tu shënuar dhe shpenzuar kot letër, të cilat për kryesit e krimit, nuk kanë asnjë pasojë ndëshkimi dhe as prodhojnë asnjë efekt edukimi?! Pra deri kur në vendin tonë, do të çalojë sistemi i kalbur i drejtësisë dhe me pa përgjegjësinë e tij, ti ofroj publikisht krimit amnistinë me ndëshkime vetëm formale, që nuk e kanë efektin e ndëshkimi meritor penal dhe nuk prodhojnë asnjë ndikim a pasojë!?

Këtë më së miri e dëshmon rasti i 18 qershorit, me aktgjykimin e katër të akuzuarve të lartcekur, ku secili veç e veç për veprën penale “Dhënie e ryshfetit” u dënuan vetëm formalisht me nga 6 muaj burgim "me kusht" dhe me nga 1 mijë euro gjobë, që nuk është asgjë tjetër përveçse një lajm qesharak e denigrues dhe akt rrënues i besimit të qytetarëve në sistemin aktual të kalbur të drejtësisë, Prokurorisë dhe Gjykatave të cilat, si askund në botë, bëjnë marrëveshje, për mënyrën dhe masën e dënimit me vet kryesit e veprave penale. Madje sipas vendimit të gjykatës, edhe dënimi i shqiptuar me burgim, nuk do të ekzekutohet fare, nëse brenda periudhës verifikuese prej dy viteve, të akuzuarit nuk kryejnë vepër tjetër penale. Edhe sipas prokurorit special të rastit Naim Abazi, marrëveshja për pranimin e fajësisë është arritur me vullnet të lirë dhe në prani të mbrojtësve të të akuzuarve, si dhe në pajtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale?!. Kështu që, prokurori Abazi, vetëm i ka propozuar gjykatës që marrëveshja për pranimin e fajësisë me dënimin e rekomanduar, të aprovohet nga gjykata. Kjo tregon botërisht për jo-seriozitetin total të gjykatësve e prokurorëve, ku favor më të mirë nuk mundë të ketë për askënd në botë, ani pse i akuzuari kapet në flagrancë me krim e korrupsion, pasi që pazarin me sistemin e drejtësisë, njëjtë si edhe në këtë marrëveshje, e kanë mbështetur mbrojtësit e të akuzuarve, të cilët kanë deklaruar se e njëjta është arritur me vullnet të lirë nga të mbrojturit e tyre dhe njëjtë si prokurori edhe ata kanë rekomanduar, që si e tillë të aprovohet nga gjykata.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 21 maj 2024, gjykata kishte veçuar procedurën penale për të akuzuarit Ahmet Abazi, Sabri Spahiu, Bajram Krasniqi dhe Dardan Isaj, pasi që, të njëjtit kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë. Kurse, të akuzuarit tjerë në këtë rast: Tomislav Dimiq, Mensur Stagova, Vladan Ljubiq, Verodrag Miletiq, Admir Sejdiu, Andrija Çaviq, Mirko Jevtiq dhe Arben Aliu ishin deklaruar të pafajshëm për marrje dhe dhënie ryshfeti në pikën kufitare Hani i Elezit. Sipas aktakuzës së përpiluar më 13 shkurt 2024, shtatë zyrtarët doganorë: Tomislav Dimiq, Mensur Stagova, Vladan Ljubiq, Verodrag Miletiq, Admir Sejdiu, Andrija Saviq dhe Mirko Jevtiq, si dhe zyrtari policor Arben Aliu, po akuzohen për “Marrje ryshfeti”. Ndërsa, Bajram Krasniqi, Ahmet Abazi, Sabri Spahiu dhe Dardan Isaj akuzoheshin për “Dhënie ryshfeti” , sipas aktakuzës, Sabri Spahiu, Ahmet Abazi dhe Bajram Krasniqi akuzoheshin me veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, par.2 të Kodit Penal, po ashtu, i akuzuari Dardan Isaj akuzohej se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, par.1 të Kodit Penal.

Vet rastet e tilla, dëshmojnë se pikërisht mungesa dhe dështimi i bërjes së ligjit Vetting, që do të ashpërsonte masat e kontrollit të punës së gjyqtarëve dhe të prokurorëve, është zbrazëtia më e madhe, nga e cila ende është duke përfituar drejtësia e korruptuar dhe krimi i organizuar në vend.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".