Qeveria dhe Kuvendi urgjentisht duhet harmonizuar me Rezolutë qëndrimin për Urën mbi lumin Ibër

Qeveria dhe Kuvendi urgjentisht duhet harmonizuar me Rezolutë qëndrimin për Urën mbi lumin Ibër
Qeveria dhe Kuvendi urgjentisht duhet harmonizuar me Rezolutë qëndrimin për Urën mbi lumin Ibër

Gani Qarri

  • 23 June 2024 - 08:53

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Duke parë reagimet e njëanshme të disa ndërkombëtarëve, tanimë po del publikisht, në shesh, se ura nuk mbahet e bllokuar për shkak të serbëve lokal, por për ti plotësuar teket e Serbisë fashiste. Andaj është momenti vendimtar, që Qeveria ta iniciojë një vendim shtetëror për hapjen definitive të Urës mbi lumin Ibër, dhe pas 25 vitesh, përfundimisht të lejohet qarkullimi i lirë i automjeteve dhe qytetarëve të Mitrovicës dhe të gjithë qytetarëve nga mbarë Kosova. Përndryshe, nëse vendimi i Qeverisë,për hapjen e urës, vonohet, Kuvendi i Kosovës, si organi më i lartë legjislativ i vendit, e ka obligim para votuesve të të gjitha partive dhe vet qytetarëve të Mitrovicës e të gjithë Kosovës, që urgjentisht ta autorizojë Qeverinë për ta caktuar datën përfundimtare, dhe lëshuar në qarkullim të plotë për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe automjeteve në të dy anët e qytetit, Urën mbi Ibër.

 

Zhvillimet më të reja, dëshmojnë se fati i Urës së lumit Ibër në Mitrovicë, është edhe fati i qytetit të ndarë, e sipas reagimeve kontroverse të ndërkombëtarëve, mbase edhe fati i pjesës veriore të Kosovës, për të cilën shteti serb ka ambicie të ndarjes me skenar e strategji të ndryshme. Një nga skenarët për ndarjen e veriut, është pikërisht mbajtja mbyllur e Urës së Ibrit me ndihmën e ndërkombëtareve, për më tepër se dy dekada, kurse skenari tjetër është që përmes dialogut të formohet një asociacion me kompetenca ekzekutive, pra një lloj republike “srpska” me misionin që pas një kohe të shkurtër, duke filluar mu nga kjo urë, ta deklarojë shkëputjen e veriut, nga shteti i Kosovës dhe “bashkimin” me Serbinë fashiste! Megjithëse vendimet e Qeverisë për shtrirjen e autoritetit ligjor e kushtetues në veri, kanë ndikuar shumë, që këto tendence hegjemoniste serbe të mos kenë shans të realizohen, qëndrimet e turpshme dhe të dyshimta të ndërkombëtarëve, dëshmojnë se nëse jo të gjithë, disa prej tyre mbështesin publikisht, pretendimet e Serbisë, për ndarjen e Kosovës. Kështu që me gjithë ndalimin e organizatave terroriste serbe, pamundësimin e funksionimit të grupeve terroriste dhe bandave të armatosura nga Serbia, si dhe dëbimin e kriminelëve serb në Serbi që kontrollonin veriun dhe mbikëqyrnin e dirigjonin edhe lëvizjet mbi Urën e Lumit Ibër, tani janë disa nga ndërkombëtarët që luajnë rolin e tyre dhe nuk duan të lejojnë lirimin e Urës së Ibrit, për qarkullimin e lirë!

Duke qenë se tema e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër, në Kosovë, ka përcjellë shumë qeveri dhe diplomatë të huaj, ndërsa vazhdon të diskutohet edhe sot, pa asnjë rezultat, nga Kuvendi Komunal në Mitrovicë të Veriut bëhet thirrje publike, që pas më tepër se dy dekadave bllokadë, ura kryesore mbi lumin Ibër, e cila është edhe ura më e madhja ekzistuese, që lidhë dy anët e qytetit, përfundimisht të hapet. Por çuditërisht, edhe 25 vite pas çlirimit, faktori ndërkombëtar apelon për koordinim, qoftë edhe për hapjen e një ure, ndaj dhe lind pyetja madhore, që preokupon qytetarin e Mitrovicës dhe të gjithë neve, se e kujt është në fakt përgjegjësia dhe kush guxon e mund të vendosë për hapjen e urës kryesore të Lumit të Ibrit?! Kjo edhe ka bërë që në opinionin publik me të drejtë të krijohet një dilemë e madhe dhe shumë serioze, se kush e ka fjalën e fundit për hapjen e Urës!? Mbi këndë bie përgjegjësia ligjore për marrjen e vendimit dhe kush mund ta ndërmarr veprimin praktik për hapjen e urës së Ibrit? Diskutimet për urën janë aktualizuar serish në javët e fundit, pas thirrjeve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, të kryesuar nga Erden Atiq, që ura, përfundimisht të hapet për qarkullim. Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, pati paralajmëruar në maj se ura “do të hapet shpejt” , dhe se po diskutohet me eprorët se si të bëhet kjo, mirëpo habit shumë fakti, se rezistenca nga ndërkombëtarët akoma vazhdon, me arsyetimin duhet të ketë koordinim mes palëve. Në anën tjetër, anketimet e fundit me qytetarët serb të veriut kanë treguar se banorët lokal serb, qytetar të Kosovës, janë për hapjen e Urës dhe kundër mbajtjes peng dhe të bllokuar për lëvizjen e lirë, ngase edhe ata duan komunikim normal në të dyja anët e lumit Ibër, në mes të dy anëve të qytetit të madh të Mitrovicës. Edhe vet Qeveria e Kosovës beson se liria e lëvizjes duhet të sigurohet në të gjithë territorin, pasi që forcat franceze u vendosën mbi urë dhe ndanë qytetin e Mitrovicës, ndërsa më 2011, grupet e armatosura kriminale serbe, vendosën aty barrikadat e para, për të kundërshtuar shtrirjen e autoriteteve të Kosovës në pjesën veriore.

Me aminin e Hadshim Thaçit e Kadri Veselit, më 2013 u formua edhe Komuna e Mitrovicës së Veriut, por në vitin 2014, barrikadat u zëvendësuan me drunj dhe copa betoni, ndërsa edhe u quajt “Parku i Paqes”. Po atë vit, Kosova dhe Serbia në Bruksel arritën marrëveshje për heqjen e barrikadave dhe rivitalizimin e urës, por megjithëse me idenë e hapjes së urës për qarkullim, në vitin 2015 u hoq i ashtuquajturi “Park i Paqes”, hapja e Urës nuk ndodhi kurrë deri më sot, madje çështja e hapjes së urës, shkoi edhe në Bruksel, për diskutim. Kurse në vitin 2016, palët në Bruksel u pajtuan për një plan zbatimi të marrëveshjes duke kryer fillimisht rivitalizimin e Urës, por megjithëse edhe “rivitalizimi” qysh më 2018 përfundoi, nga Bashkimi Evropian, Ura atëherë e sot për automjete, mbetet e mbyllur, dhe lejohet të kalojnë mbi te, vetëm këmbësorët e biçiklistët, edhe pse ka vite që nuk është shënuar asnjë incident i vetëm në lëvizjen andej e këtej të qytetarëve përmes kësaj ure. Kështu që duke parë reagimet e njëanshme të disa ndërkombëtarëve, tanimë po del publikisht, në shesh, se ura nuk mbahet e bllokuar për shkak të serbëve lokal, por për ti plotësuar teket e Serbisë fashiste. Andaj është momenti vendimtar, që Qeveria ta iniciojë një vendim shtetëror për hapjen definitive të Urës mbi lumin Ibër, dhe pas 25 vitesh, përfundimisht të lejohet qarkullimi i lirë i automjeteve dhe qytetarëve të Mitrovicës dhe të gjithë qytetarëve nga mbarë Kosova. Përndryshe, nëse vendimi i Qeverisë,për hapjen e urës, vonohet, Kuvendi i Kosovës, si organi më i lartë legjislativ i vendit, e ka obligim para votuesve të të gjitha partive dhe vet qytetarëve të Mitrovicës e të gjithë Kosovës, që urgjentisht ta autorizojë Qeverinë për ta caktuar datën përfundimtare, dhe lëshuar në qarkullim të plotë për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe automjeteve në të dy anët e qytetit, Urën mbi Ibër. Nuk mjafton më, vetëm mbështetja deklarative në kuluaret e partive politike, sepse u pa katërçipërisht, se ato ngelen vetëm deklarata të thata, që nuk japin rezultate as nuk hapet ura me to, pa veprime praktike.

Pra është Kuvendi, ai që duhet të dal me zëunik dhe kërkojë publikisht që të shtrihet ligjshmëria dhe autoriteti kushtetues i Republikës së Kosovës edhe mbi ura, qoftë edhe me votimin e një rezolute autorizuese nga Kuvendi për ta obliguar Qeverinë, që në koordinim me miqtë ndërkombëtar, e jo me lejen e Serbisë, e cila përveçse është një shtet shumë armik, e tepër pak "fqinj", i ka krijuar vetëm probleme Kosovës, në mënyrë që pa vonesa të mëtejme të hapet edhe Ura e Lumit Ibër, e cila është ura më e madhe dhe kryesorja, e qytetit të Mitrovicës, dhe të sigurohet qarkullim plotësisht i lirë, për të gjithë qytetarët, njëjtë si në të gjithë botën.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".