Borell dhe Lajçak , dy përgjegjësit e degradimit dhe dështimit të dialogut Kosovë Serbi përgjatë mandatit të tyre

Borell dhe Lajçak , dy përgjegjësit e degradimit dhe dështimit të dialogut Kosovë Serbi përgjatë mandatit të tyre
Borell dhe Lajçak , dy përgjegjësit e degradimit dhe dështimit të dialogut Kosovë Serbi përgjatë mandatit të tyre

Gani Qarri

  • 02 July 2024 - 22:43

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Përfundimisht po merr fund një mandat tërësisht i dështuar, madje me shumë turp, për Shefin e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili në procesin e dialogut, bashkë me sllovakun Lajçak, gjatë krejt këtij mandati jo vetëm që nuk arritën të zbusin sado pak, raportet mes Kosovës dhe Serbisë nga pozita e ndërmjetësimit, por me qëndrimet e tyre fund e krye pro serbe e futën atë edhe në "qorr-sokak" dhe rrugë pa krye me përmasa edhe më të mëdha të acarimit, duke e bllokuar tërësisht dialogun!

 

Vet Josep Borrell pak para përfundimit të mandatit të tij tha se Kosova dhe Serbia janë ende larg njëra-tjetrës në dialog, me çka e konfirmoi mandatin e tij të dështuar në këtë proces, duke u munduar që ta arsyetojë atë me zotimin për angazhim më të madh në ditët dhe orët që i kanë mbetur në pjesën e fundit të mandatit, se kinse do të vazhdoj përpjekjet në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i cili në një shkrim në EEAS, ka thënë se kryenegociatorët do të takohen javën e ardhshme në Bruksel. “Fatkeqësisht, takimi i dialogut këtë javë nuk solli ndonjë përparim në zbatimin e marrëveshjes. Diskutimet ishin po aq të vështira sa gjithmonë dhe në fund nuk pati takim midis Presidentit dhe Kryeministrit, por,megjithatë puna do të vazhdojë: Kryenegociatorët e të dyja palëve ranë dakord të vijnë në Bruksel javën e ardhshme me hapa konkretë për të zhbllokuar zbatimin e Marrëveshjes”, tha Borrell. Ai u shpreh se nga pozita e angazhimit për ndërmjetësim, evropianët kanë bërë shumë gjatë viteve të fundit, por Borell ka fajësuara baras Prishtinën dhe Beogradin për ngecje të procesit dhe nuk ka qenë I gatshëm ti rikthehet pozicionit të njëanshëm proserb të sjelljes nga vetë ndërmjetësuesit që aq shumë e favorizuan dhe ledhatuan Serbinë në sjelljet e saj destruktive. “Lehtësimi i BE-së nuk mundi të arrijë më shumë dhe pas disa muajsh, njerëz të ndryshëm do të jenë përgjegjës për këtë dosje në Bruksel, por pritshmëritë e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve Anëtare të saj nuk do të ndryshojnë. BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë në çdo hap gjatë rrugës tha Borrell, i cili do të largohet nga pozita që mbante pas përfundimit të mandatit, ndërkohë që në vend të tij në samitin e mbajtur të enjten në Bruksel pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, u shpallën emrat që do të udhëheqin BE-në për pesë vjetët e ardhshëm.

Liderët e BE-së zgjodhën Antonio Costa si president të Këshillit Evropian, Ursula von der Leyen presidente të Komisionit Evropian dhe kryeministren e Estonisë në largim Kaja Kallas përfaqësuesen e lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë. Kallas, e cila do të shërbejë si përfaqësuese e lartë e BE-së për çështjet e jashtme dhe politikën e sigurisë për pesë vjet, është gjithashtu kryeministrja e parë femër e Estonisë. Vajza e ish-kryeministrit të Estonisë dhe komisionarit të BE-së, Siim Kallas, vendosi të ndiqte hapat e babait të saj duke lënë punën e saj si avokate dhe hyri në Parlamentin e Estonisë në vitin 2011 si anëtare e Partisë Reforma liberale e cila shërbeu në PE nga 2014 deri më 2018. Kallas, përfaqësuesja e re e lartë e BE-së, është politikania e parë e Evropës Lindore që mban këtë post. Ajo do të jetë gjithashtu politikania e parë estoneze që do të mbajë një pozicion kaq të lartë në administratën e BE-së, e cila do të shërbejë gjithashtu edhe si zëvendëspresidente e Komisionit Evropian.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".