Lexoni edhe:
Hapja e Urës së Ibrit e domosdoshme por me kujdes dhe analiza mikroskopike të situatës së sigurisë dhe politikës me interesa strategjike
Shkruan:ANALISTI - Gani Qarri
Premtimet dhe zotimet me projekte e fonde miliardëshe për Ballkanin Perëndimor, po përdoren nga BE, si karrotë kryesore dhe shumë joshëse në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për ti bindur palët që të arrijnë marrëveshje për normalizim dhe përfitojnë fonde të mëdha mbështetëse me qëllim të zhvillimit më dinamik të tyre, që është kriter edhe për procesin e integrimit.
-Po me këto fonde astronomike, BE duket se po përpiqet që gradualisht “ta blej” edhe Serbinë dhe ta shkëpus atë nga ndikimi rus, me shpresën se kështu mund të ndodhë edhe diferencimi dhe spastrimi i madh i skenës politike nga nacional ekstremistët e lidhur shpirtërisht me Rusinë. Kurse afati i fundit në të cilin shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i dorëzojnë në Komision Evropian Agjendat e Reformave në bazë të të cilave do të marrin përkrahje nga fondi i Planit të BE-së për rritje është 24 gushti, përderisa paratë e para pritet të shpërndahen në fund të këtij viti. Rregullorja e Bashkimit Evropian parashikon gjithsej 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi nga viti 2024 deri në vitin 2027 dhe ky afat vlen dhe duhet të zbatohet nga çdo vend që dëshiron të marrë fonde nga Plani i Rritjes së BE-së. Fondet në fjalë, do të shpërndahen në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi në raport me popullsinë e tyre dhe madhësinë e ekonomisë së tyre. Duke qenë se marrja e këtyre fondeve për Kosovën dhe Serbinë varet shumë edhe nga progresi në procesin e dialogut,“Pas një pune voluminoze dhe intensive, Republika e Kosovës ka dërguar drejt Komisionit Evropian draftin e narrativit dhe tabelën e plotë të dakorduar të agjendës së reformave mbi Planin e Rritjes, që së shpejti ajo do të miratohet edhe në nivel të Qeverisë.
Siç raportohet numri dy i qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, më 30 maj ka njoftuar se Kosova ka dërguar në Komision Evropian draftin e narrativit të agjendës së reformave mbi Planin e Rritjes. Përndryshe vendi ynë është i pari në rajon i cili e ka përmbushur këtë hap dhe dërguar këtë dokument drejt Bashkimit Evropian, duke dëshmuar nivelin e lartë të përgatitjes, angazhimit e përkushtimit në avancimin e procesit të integrimit evropian dhe përfitimit nga dritarja e mundësisë që ofron kjo iniciativë e BE-së”, ka deklaruar Bislimi. Po sipas Bislimit, sektorët kyç të fokusuar janë ato të qeverisjes së mirë dhe administratës publike, tranzicioni drejt energjisë së ripërtëritshme dhe digjitalizimit, zhvillimi i sektorit privat dhe ambientit të të bërit biznes, zhvillimi dhe ruajtja e kapitalit njerëzor, si dhe sundimi i ligjit, e ku parashihet realizimi i rreth 30 reformave dhe mbi 100 aktiviteteve, të shtrira përgjatë një periudhe kohore 3 deri në 4 vjeçare. “Hapi i radhës është përfundimi i listës së projekteve, ku puna vijon në negociata dhe konsultime me institucionet e Bashkimit Evropian, ndaj vendi ynë pritet të përfitojë nga Plani i Rritjes një shumë prej rreth 945 milionë euro, të cilat do shërbejnë në zbatimin e reformave dhe projekteve investive. Kosova në këtë mënyrë, në vijimësi po shfaq vullnetin e saj të fuqishëm, jo vetëm për integrim të plotë e sa më parë në familjen evropiane bazuar në norma meritokracie, por edhe gatishmërinë në arritjen e standardeve evropiane e përmbushjen e reformave të nevojshme”, citohet të ketë deklaruar Besnik Bislimi.
Duke pasur parasysh se finalja e krejt këtij procesi duhet të jetë njohja, edhe përpjekja e joshjes për thithjen e këtyre fondeve milionëshe të BE-së, do të jetë e vështirë dhe e shtrenjtë, pasi që për arritjen e qëllimit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Ambasadorët e dy shteteve me ndikim në diplomacinë perëndimore, si ai gjerman Jorn Rode edhe ambasadori amerikan Hovenier, e kanë ripërsëritur qëndrimin strategjik të vendeve të tyre, se marrëveshja për normalizim në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk ka asnjë kuptim tjetër përveç njohjes reciproke, e cila si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë është kusht për integrimin në BE.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".