Serbia është duke vazhduar të ledhatohet nga BE edhe pse po sillet ndaj perëndimit me arrogancë si fëmiu i lazdruar

Serbia është duke vazhduar të ledhatohet nga BE edhe pse po sillet ndaj perëndimit me arrogancë  si fëmiu i lazdruar
Serbia është duke vazhduar të ledhatohet nga BE edhe pse po sillet ndaj perëndimit me arrogancë  si fëmiu i lazdruar

Muhamet Kelmendi

  • 21 July 2024 - 09:03

Shkruan: ANALISTI-Muhamet Kelmendi 

BE dhe Gjermania po e rritin Serbinë,  si dikur Rusinë për luftë.  Tërë kohën kemi thënë se pozita e shtetit serb ka pësuar pozitivitet në raport ne shtetet dhe me vetë BE-në. Kjo shihet kështu edhe në raportet me SHBA-të. Vizita e Kacelarit Scholz në Beograd, duke qëndruar mbi 24 orë në Serbi, sikundër edhe marrëveshjet e lidhura me shtetin serb për ndërtimin e një miniere të litiumit në Serbi, është shumë e rrezikshme për pozitën e Kosovës dhe për tëra shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Është thëne në fakt se për Gjermaninë, shtetet dhe organizmat ndërkombëtarë, në ndërtimin e raporteve me shtetet e ndryshme, mbështeten në dy baza.  Se pari, është pozita gjeostrategjike e një vendi dhe së dyti, është interesi ekonomiko -financiar i shteteve.

Të dy këta faktor shkojnë në interes të shtetit serb. Mu për shkak të këtyre dy faktorëve është toleruar shteti serb me vite. Edhe në raportet me Rusinë e Putinit ka tolerime të mëdha. Serbia është i vetmi vend në BE që nuk ka sanksione ndaj Rusisë pas agresionit rus në Ukrainë. Është toleruar dhe taman si femiun e kanë ledhatuar shtetet dhe vetë BE. Kjo shihet në rastin e Banjskës. Sikur Kosova të kishte bërë një vepër të tillë,pavarësisht shkaqeve, ndaj Kosovës do të merreshin masa konkrete ndëshkimore dhe edhe izolative. Shteti serb është lejuar. Kancelari Scholz, në Beograd, tha: "Litiumi do të jetë po aq i rëndësishëm për lëvizshmërinë në të ardhmen, ashtu sikurse ka qenë nafta deri më tani". Fjalë miradije pati edhe krimineli i luftës Vuçiq. E përbashkëta është bashkëpunimi me një qeveri tipike pro ruse në Beograd i Gjermanisë dhe i BE-së. Ky bashkëpunim tregon se nuk është dhuna dhe terrori fakt për ndërtimin e raporteve, por është interesi ekonomik i shtetit gjerman. Këtë e tregoj edhe Firma e njohur gjermane "Mercedes" që bëri marrëveshje për litiumin serb.

Me këtë u "harrua" dhuna dhe terrori,gjenocidi serbomadh dhe pozita e vrastare e shtetit serb gjatë luftës në Kroaci,në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. Gjermania "harroi" botën serbe dhe pretendimet ushtarake serbe ndaj qeverive të Ballkanit, kuptohet për ti pushtuar. U la në "harrese" gjenocidi serb në Srebrenicë dhe në Kosovë. U anashkalua sjellja ultranacional fashiste e Vuçiqit në OKB kur e nxorrën rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë. Flitej dhe vendosej për gjenocidin  serb e krimineli i luftës Vuçiq i ngritë tre gishta me të cilin simbol u bë gjenocidi në Srebrenicë.  Me tre gishtat e kriminelit Vuçiq të ngritur lartë dhe i mbështjellur me flamurin serb, u masakruan 13 mijë civil shqiptar dhe u përdhunuan mbi 20 mijë femra shqiptare. Me atë simbol u dëbuan me dhunë 1 milion shqiptarë dhe u bënë dëme mbi 30 miliardë euro. Me sjelljen e tillë me flamur dhe tre gishtat e Vuçiqit lartë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së u tregua qartë pozita ultrashoveniste serbe. Taman po veprohet si ndaj Rusisë. Blihet gazi dhe forcohet shteti rus. Me ato mjete armatoset dhe sulmon popuj dhe shtetet tjera Rusia e Putinit.

E njëjta sjellje u tregua ndaj Serbisë. Investohet në Serbi dhe derdhen miliarda Euro. Blihen edhe më shumë armë dhe sulmohen shtetet e lira dhe demokratike. Shkoi z Scholz në Beograd dhe i morri kompetentët nga BE për ndërtimin e minierës së litiumit. Me ato mjete do të forcohet edhe më shumë shteti serb. Do të blenë armë dhe drejtpërdrejtë del se BE është shkaktare në të ardhmen e ndonjë lufte serbe në Ballkanin Perëndimor. Më së miri e tregoi këtë Robert Bosch. Ai tha: "Nuk është lajm i mirë për Kosovën. Ditë e keqe për mjedisin, demokracinë dhe për Kosovën". Dhe, më poshtë, u shpreh: "Kosova , në procesin që e ka përpara, nuk duhet për asnjë çmim të futet në prapaskenat e kompromiseve që mundë të imponohen të dizajnuara nga Serbia dhe aleatët e saj". Kjo është një thirrje e qartë. Me këtë tregoj z. Bosch se Gjermania dhe shumë shtete të BE-së janë aleate të shtetit serb dhe së këndejmi mundë të priten inskenime të rrezikshme për Kosovën. Në këtë kuadër lypse nga Prishtina syqeltësi dhe ndërtim të ekonomisë dhe të mbrojtjes. Nuk duhet asgjë të pranohet që e dëmton shtetin e Kosovës. Kosova kërkohet që të ndërlidhet me Anglinë,pa u larguar nga SHBA-të. Me atë përkrahje dhe me një mbrojtje të fuqishme dhe e gatshme për të vdekur për Republikën e Kosovës, sigurohet shtetësia e Republikës. Kosovës i duhet tash përkrahja e madhe nga shtetet pro sovranitetit të Kosovës. Këtej prinë Anglia.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".