Lexoni edhe:
Ekzekutimi i Faton Hajrizit nga organet policore serbe në Serbi tregon skenarin filmik serb të ushtrimit të dhunës
Nga Shefik Shkodra
-Kosova nuk i njeh pasaportat që Serbia i lëshon për serbët e Kosovës. Sigurisht që nuk duhet të pranohen. Qytetarët janë të Kosovës. Njësoj si bankat nacionale dhe valuta në shtetin e huaj, si dokumentet valide shtetërore. Pse pasaportat të lëshohen nga Serbia? Çfarë pështjellimi bën Serbia me këtë farë politike? Pasaportat i lëshon Kosova për qytetarët e vet. Nuk është e mundur një grackë e tillë, apriori cytje e tezave nga laboratori i një politike të paarsyeshme. Veç forca, me forcë?! A ka mbetur edhe diçka tjetër pa shpik politika serbe e Beogradit? Sigurisht, ata sajojnë çdo ditë diçka. Ata nuk prajnë. Ata e angazhojnë “intelektin” e tyre me “kuadro” enkas për lëndë zjarrmie. Ata kalkulojnë me kisha e priftërinj. Ata e ndezin euforinë nacionaliste me rini e delikuencë për heroizma, që të zbrazin batare të reja, sepse kanë kaluar 20 vjet pa ndonjë luftë, pa ndonjë sulm në tokat e fqinjëve. Kush mund t’u qëndrojë atyre me shpikjeve hibride politike kundër të tjerëve. Evropianët – po! BE paska vendosur së fundi për serbët e Kosovës edhe këtë privilegj – lejet e udhëtimit të lëshohen nga Serbia! Evropa nuk do të ketë kurrfarë fitimi me këtë hap. As Serbia aspak. Veç gabim pas gabimi. Ka qenë më mirë që të këshillohen këta qytetarë për integrim në Kosovë. Edhe ashtu pjesa dërmuese e tyre janë integruar, me punë e tregti. Shqiptarët nuk i urrejnë. Madje, ata janë afaristë të mirë. Shqiptarët ua blejnë prodhimet bujqësore në tregun e tyre, që aspak nuk kanë pengesa prej askujt.
Politika e Serbisë gjithnjë me sajesa të llojit të vet, që ua ngarkon shqiptarëve, por ka edhe ndihma për fat të keq. Kështu edhe njëherë BE po dëshmon se është për mbrojtjen e status quos në Kosovë, nëse jo për një “republika srpska” në Veri të Kosovës. Dhe kjo po shihet hapur, mbase për një politikë tolerante ndaj të egërsuarve e për një sinkronizim me atë të Qeverisë Serbe, që t’i detyrojnë shqiptarët të pranojnë ndonjë segment shtetësie dhe pastaj lehtë do të ishte puna.
serbët (pakicë) në Kosovë kanë qenë të privilegjuar që nga 1999, (nuk e di shkakun) pas luftës e deri më sot, duke kaluar një jetë “gratis” e “sefaje”, të pushuar nga të gjitha përgjegjësitë ndaj shtetit të Kosovës, madje edhe me subvencionime për të gjitha pagesat: rryma elektrike, ujë, tatimi, tregti të egër, besa edhe punësime (ata që kanë dashur) edhe nëpër institucione shtetërore me paga nga ky vend; Serbia ka bërë shtesë me kapitalin e vet subvencionimin për këtë grup qytetarësh sa për ta mbajtur gjallë propagandën. Këta serbët e Kosovës në shekullin XXI, pas aq shumë torturash mbi popullin shqiptar, vunë kufirin në Mitrovicën e Veriut, duke i quajtur “Rojat e Urës” dhe kjo çështje fantazme mbeti si normale për shumë kohë. Tash, kur një qeveri e Kosovës me kushtetutë, do të heq këto barriera dhe të lirohet ambienti pa të tillë kufij, territor i këtij vendi, evropianët sugjerojnë të mos hiqen këto pengesa. Le të mbesin oazë, si në mesjetë këta qytetarë, jo që jemi në shekullin XXI. Njësoj si me dinarin e Serbisë që u promovua mjaft nga të huajt.
Dihet nga qytetarët se, kush ua dha mundësinë serbëve në veri të bëjnë kufi. Ka treguar vetë ai “heroi francez”, se, ai ishte primariusi rrahagjoks për këtë ide pro serbëve e Serbisë. Kjo marrëveshje e fshehtë, ndoshta në atë kohë me ndonjë princ tonin, por jo publike dhe shumë pa arsye. Por kjo la shumë vragë në mes dy popujve edhe ashtu moti të armiqësuar dhe këtë mënyrë e dëshironte Serbia.
Nuk është marrëveshje të futet dinari (valuta e huaj me banka) ekskluzivisht për banorët serbë të veriut, përkundër kushtetutës së këtij vendi. Nuk mundet të ndahet vendi në atë Urë dhe të mos ketë të drejtë të kontrollohet nga institucionet e Qeverisë së Kosovës. E ç’është Ura? Godinë e ngritur për të kaluar prej një ane në anën tjetër. Për të lidh popuj të ndryshëm, ekonomi, tregti, kulturë dhe njerëzi.
Nuk duhej gjithashtu, Evropa të caktojë një rregull të veçantë për këta qytetarë, sikur është marrë qëndrimi, që serbëve të Kosovës t’u lejohen pasaporta të lëshuar nga Serbia, për lëvizje në vendet e Shëngenit, etj. Me këtë dua të them, godinën që e ndihmuan në ndërtimin e saj dhe u rrit, vetë ju evropianët po doni ta shkatërroni! Dikujt po i konvenon kriza në Ballkanin Perëndimor. Krejt sipas këtyre pamjeve diplomatike. Asgjë nuk po pranohet nga institucionet e Kosovës. Veç Serbia mirë e ka. Pra, shihet qartë se, evropianët janë pro politikës së A. Vuçiqit, një kriminel edhe për qytetarët e vet. Janë kundër Kushtetutës së Kosovës. Janë kundër sovranitetit dhe integritetit të etniteteve brenda kufijve të Kosovës. Dhe kjo punë, kjo marrëveshje Kosovë – Serbi ka mundur të rregullohet moti. Por, shtyllat pro serbe janë të shumta e të forta në Evropë. Thamë, gabimi më i madh i 1999-ës, pas luftës ishte pranimi i ndjekjes së shqiptarëve nga Veriu dhe futja si një oazë e sistemit të Serbisë në Mitrovicën e Veriut. Ky ishte fillimi i kobshëm deri sot.
Sinkronizimi i krejt këtyre elementeve dhe të tjera, na japin rezultatin për një ndarje të padëshirueshme e të papranueshme për Kosovën. Por, duhet të thuhet më qartë nga ana e këtyre shteteve evropiane, “ne po ia japin Veriun e Kosovës Serbisë, ju luftoni me krejt”, sikur pat thënë njëri prej atyre “diplomatëve” evropianë, “ju jeni kaq e na jemi miliona e miliona!” Shumë e vërtetë! Qindra miliona shtetet evropiane, e Kosova nuk ka as dy milion. Nëse kështu mendohet, e po shihet deri diku, atëherë ne nuk jemi të pavarur as përafërsisht. Nuk mund të pavarësohet shteti me këto “ndërskamësa” të përditshme, t’i quajmë kështu pak banale, përkundër të gjitha vuajtjeve dhe peripecive shekullore për liri të shqiptarëve. Na kemi menduar se, demokracia evropiane do të ndihmojë në marrëveshje e rehabilitim për të dy popujt. Ndryshe, ne nën zgjedhë ishim deri në qershor të vitit 1999. E përkundër ndihmave që na i dhatë për korrigjimin e statusit kombëtar shtetëror (që është dashur që nga Lufta e Parë, më së paku që nga LDB ta kemi) dhe synimeve për një shtet sovran, nuk po shihet mirë. Pas të gjitha këtyre që u thanë dhe janë thënë edhe të tjerat: Çfarë statusi mund të ketë Kosova sipas diplomacisë evropiane? Pse diplomacia evropiane kërkon nga gjithë bota që të jenë pro-evropianë? Shqiptarët janë në Evropë dhe pa dilemë të evropianizuar, dhe jo vetëm qe 20, 30 vjet.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".