Siguria në udhëkryq të madh!
Florim Zeqa
Shkruan: Florim Zeqa
Vite më parë e pyeta një kryetar komune, si po ju shkojnë punët? Ai ma ktheu kështu; “kurrqysh hiq, na ka fshi UDB-ja përpara”! Asokohe nuk më bëri shumë përshtypje përgjigja e kryetarit, sa po më bën tani përshtypje deklarata e ministres së drejtësisë, “Serbia ka hyrë në burgjet e Kosovës”!
Paguhen më së miri pa e bërë asnjë punë të mirë për vendin
KPK dhe KGJK janë dy institucionet më të paguara dhe më (jo) profesionale në vend. Këto dy institucione të “pavarura” në radhë të parë duhet të respektojnë legjislacionin aktual në fuqi, por edhe t’i ndjekin të gjithë ata që nuk e respektojnë atë në nivel vendi. Qeveria i propozon ligjet, Kuvendi i miraton, kurse prokuroria dhe gjyqësori duhet të kujdesen për implementimin e ligjeve dhe t’i sanksionojnë të gjithë ata (ato) që nuk e respektojnë Kushtetutën dhe ligjet që dalin prej saj.
Deklarata e ministres së drejtësisë, Albulena Haxhiu, “Serbia ka hyrë në burgjet e Kosovës” duhet hetuar nga prokuroria e shtetit, pasi kjo paraqet shqetësim dhe rrezik të madh për vendin pas arratisjeve të fundit nga burgjet e Kosovës dhe jo vetëm.
Nëse vërtetë ka ardhur puna deri aty, që vendet më të sigurta të kontrollohen nga një shtet tjetër, në këtë rast nga Serbia, atëherë shtrohet pyetja çfarë mund të ndodhë në jetën e qytetarëve në shtetin e pakontrolluar nga organet shtetërore!
Çka na duhen institucionet që nuk e kryejnë punën për të cilën paguhen më së miri në vendin tonë. Segmentet e sigurisë të politizuara dhe të kontrolluara nga grupet e interesit që nuk i përgjigjen askujt, që nuk raportojnë asnjëherë në Kuvend, bëjnë çfarë dojnë e nuk e bëjnë atë për të cilën paguhen, atëherë shtetin e kontrollon dreqi, ndërsa qytetarët detyrohen t’iu kthehen ligjeve kanunore për të mbrojtur veten dhe familjet e tyre!
Në shtetin ku drejtësin e ndanë “maliqi e jo ligji”, jo vetëm që nuk bëhet fjalë për drejtësi, qytetarët i frikohen drejtësisë, kurse pushtetarët dhe të fortët e politikës i gëzohen situatës anarkike!
Në shtetet e lira dhe demokratike, kur shteti sfidohet para korrupsionit dhe krimit të organizuar, të parët që duhet dhënë llogari janë ministri i punëve të brendshme dhe ministri i drejtësisë. Por tek ne as njëri dhe as tjetri nuk e mendojnë dorëheqjen si akt moral para qytetarëve të vendit!
Mos reagimi institucional i qeverisë pas deklaratës skandaloze të minstres së drejtësisë, lë për të nënkuptuar pasigurinë e lartë të jetës së qytetarëve në Kosovë!
Ndodhë pikërisht kështu për faktin se janë të mbrojtur dhe të privilegjuar nga shefi i tyre (kryeministri), ndërsa këtij të fundit sikur nuk i bën përshtypje siguria e vendit sa i bën përshtypje përceptimi i qytetarëve karrshi politikës populliste që ai e promovon përmes video-mesazheve largë qytetarëve të vendit!
Promovimin e ‘Liqenit të Ujmanit’ nga ana e kryeministrit Kurti, si vend i sigurtë dhe atraktiv për freskimin e qytetarëve në këto ditë të nxehta vere e prishi eksplodimi i fundit jo shumë largë vendit ku po laheshin në grup i vogël i qytetarëve.
Për fund, shtrohet pyetja logjike, nëse “Serbia ka hyrë në burgjet e Kosovës”, kush e siguron freskimin e lirë dhe jetën e qytetarëve në pjesën veriore të vendit, Policia e Kosovës apo organet e shtetit të Serbisë?!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".