Heqja e regjimit të vizave për qytetarët Serbë të Kosovës me pasaportat ilegale serbe, sjell pasoja serioze për sovranitetin e shtetit

Heqja e regjimit të vizave për qytetarët Serbë të Kosovës me pasaportat ilegale serbe, sjell pasoja serioze për sovranitetin e shtetit
Heqja e regjimit të vizave për qytetarët Serbë të Kosovës me pasaportat ilegale serbe, sjell pasoja serioze për sovranitetin e shtetit

Gani Qarri 1

  • 24 July 2024 - 07:46

 

Shkruan: Gani Qarri

Duke qenë se pajisja e minoritarëve serb me pasaporta të ligjshme të shtetit të Kosovës, përveçse lidhej drejtpërdrejt me integrimin e minoritarëve serb në shoqërinë dhe sistemin institucional të Republikës së Kosovës, është edhe një standard i cili vlen në të gjitha shtetet demokratike të rajonit dhe mbarë botës, njohja nga BE, e dokumenteve të strukturave ilegale, paralele serbe, cenon në mënyrën më të rëndë të mundshme integrimin e komunitetit serb, dhe politizon skajshëm çështjen e tyre, siç dëmton pariparueshëm përpjekjet afatgjate të institucioneve tona, për integrimin e minoritarëve serb duke shkatërruar jo pa qëllim edhe lidhjen e krijuar me aq mund e përpjekje, mes minoritarëve luajal dhe shtetit të Kosovës.

-Habit shumë fakti që megjithëse në vitin 2009, filloi liberalizimi i vizave për Serbinë, minoritarët serb me vendbanim në Kosovë që posedonin pasaportat e lëshuara nga strukturat e kundërligjshme paralele serbe, nga atëherë deri më tani, vet BE nuk lejoi që ata, të udhëtonin pa viza në shtetet evropiane-të zonës Schengen. Madje Komisioni Evropian edhe në prillin e vitit të kaluar paralajmëroi qartë se liberalizimi i vizave, i miratuar për Kosovën, vlen vetëm për poseduesit e pasaportave të Republikës së Kosovës, por, çuditërisht po i njëjti Komision Evropian- në mes të nëntorit të vitit të kaluar- papritmas dha rekomandimin për heqjen e vizave edhe për poseduesit e pasaportave të strukturave paralele serbe, në prill të këtij viti votoi këtë rekomandim, ndërsa tani edhe miratoi vendimin për heqjen e vizave dhe njohjen e pasaportave ilegale, të strukturave të kundërligjshme paralele serbe, gjë që është goditje shumë e rëndë për Kosovën. Duke qenë se pajisja e minoritarëve serb me pasaporta të ligjshme të shtetit të Kosovës, përveçse lidhej drejtpërdrejt me integrimin e minoritarëve serb në shoqërinë dhe sistemin institucional të Republikës së Kosovës, është edhe një standard i cili vlen në të gjitha shtetet demokratike të rajonit dhe mbarë botës, njohja nga BE, e dokumenteve të strukturave ilegale, paralele serbe, cenon në mënyrën më të rëndë të mundshme integrimin e komunitetit serb, dhe politizon skajshëm çështjen e tyre, siç dëmton pariparueshëm përpjekjet afatgjate të institucioneve tona, për integrimin e minoritarëve serb duke shkatërruar jo pa qëllim edhe lidhjen e krijuar me aq mund e përpjekje, mes minoritarëve luajal dhe shtetit të Kosovës. Të vetëdijshme për pasojat që do të sillte një vendim i tillë katastrofal, për Kosovën, në fund të nëntorit të vitit të kaluar, një grup prej mese 20 organizatash joqeveritare në vend, tërhoqi vërejtjen se heqja e vizave për pasaportat e kundërligjshme të strukturave ilegale paralele serbe, më së rëndi do ta dëmtonte pikërisht procesin e integrimit të serbëve, që jetojnë në veri të Kosovës, siç do ta pengonte shumë edhe arritjen e Marrëveshjes përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën të dy vendet kishin rënë dakord në fund të shkurtit të vitit 2023 dhe vinte në rrezik, integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Vendimi i Komisionit Evropian për njohjen e pasaportave ilegale të lëshuara për minoritarët serb të Kosovës nga e ashtuquajtura zyrë koordinuese e Serbisë, është një akt tepër alarmues për Kosovën, i cili përveç një goditje tjetër tepër të fuqishme për procesin e dialogut nga vetë BE, bënë edhe një" barasvlerësim" tërësisht të papranueshëm, shumë të gabuar dhe krejtësisht të paprecedent të dokumenteve zyrtare të shtetet tonë të pavarur të njohur nga mese 120 vende të botës, me PAQAVURET ilegale të strukturave të jashtëligjshme paralele serbe, me të cilin bëhet një diskriminim i rëndë e krejtësisht i papranueshëm për Kosovën. Vendim i paprecedent e arbitrar i cili përveç mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, paraqet edhe vendin tonë si shtet ilegal, konteston publikisht tërësinë tonë territoriale dhe vë ndërkombëtarisht, në pikëpyetje edhe sovranitetin e shtetit të Kosovës!!! Heqja e regjimit të vizave për disa nga qytetarët minoritar serbë, mu në kohën kur ata kanë filluar ti marrin pasaportat ligjore të Kosovës, si dhe zyrtarizmi i "pasaportave" ilegale të lëshuara, nga strukturat kundërligjore e kriminale të shtetit serb, të postuara edhe nga territori i Serbisë, përveçse është një veprim tepër i gabuar, ai e vë Kosovën në sprovë të rëndë, si dhe ka implikime të mëdha dhe reflekton direkt në sovranitetin e shtetit të Kosovës, pasi që me këtë vendim, serbëve lokalë, vet BE po u jep sinjal të qartë dhe fton publikisht ata, që të mos pajisen me pasaporta të ligjshme të Republikës së Kosovës. Kjo situatë krijon edhe një problem tjetër të madh për Kosovën, pasi që me hapjen klandestine të derës nga vet BE, edhe minoritarët e rebeluar serb, që pretendojnë se nuk e njohin shtetin e Kosovës, përfitojnë nga mundësitë që ofron Kosova, vendim ky shumë i çuditshëm i BE-së, i vënë direkt, në funksion të dëmtimit të përpjekjes së institucioneve tona për integrimin e serbëve lokal në jetën politike, institucionale dhe publike të vendit, si qytetar të barabartë bazuar në parimet ligjore dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës. Në kuptimin politik por edhe atë juridik, ky vendim i Komisionit Evropian, tanimë mundë keqpërdoret lirshëm dhe pa asnjë pengesë jo vetëm nga serbët lokal të Kosovës, por edhe më tepër, si ndërkëmbëz nga shteti serb, pasi që njohja e pasaportave ilegale serbe për minoritarët serbë të Kosovës mund të shihet si një formë e njohjes nga vet BE të "autonomisë" territoriale, brenda shtetit të Kosovës. Me këtë vendim arbitrar BE ka krijuar, një precedent shumë të rrezikshëm i cili, herët a vonë mund të qojë në konflikte të hapura dhe ndikojë direkt edhe në statusin e pavarësisë së shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare! Madje situata e krijuar nga BE, mund të keqpërdoret me të madhe edhe si një argument i fortë "ndërkombëtar" nga Serbia fashiste, për të shtuar pretendimet territoriale ndaj vendit tonë dhe forcuar sulmet brutale edhe më tepër, kundër pavarësisë së Kosovës në negociatat ndërkombëtare. Një vendim i tillë i BE-së, do ta ngadalësojë e ndoshta edhe bllokojë tërësisht, përparimin e Kosovës edhe në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare, duke e trajtuar Kosovën si një vend me status të papërfunduar politik dhe vënë në një pozitë shumë të vështirë diplomatike para faktorit ndërkombëtar. Siç dihet Komisioni Evropian propozoi heqjen e vizave për minoritarët serb me pasaporta të strukturave ilegale, qysh në nëntor të vitit të kaluar, që donë të thotë afro 2 muaj përpara liberalizimit të vizave, kurse procedurat për anulimin e regjimit të vizave për minoritarët serb të Kosovës me pasaporta ilegale të Serbisë, kanë filluar që nga 1 janari i këtij viti. Parlamenti Evropian rekomandimin e votoi në prill të këtij viti, ndërsa tani miratoi edhe vendimin për liberalizimin e vizave dhe njohjen e pasaportave ilegale të strukturave të kundërligjshme paralele të Serbisë hegjemoniste duke vënë Kosovën në një pozitë shumë të vështirë! Por për Qeverinë, partitë politike dhe politikën e përçarë në përmasa katastrofale të Kosovës, edhe pse të gjithë ishin në dijeni të plotë, mbi zhvillimet dhe e dinin mirë se çfarë do ndodhte, ata forcuan luftërat e brendshme, në vend se të bashkonin forcat dhe kujdeseshin me kohë, që në asnjë mënyrë të mos vinte deri te kjo katrahurë. Dhe vetëm pas publikimit të këtij informacioni, Qeveria e Kosovës bëri sikur u shpreh e zhgënjyer me vendimin që mori Bashkimi Evropian, për heqjen e vizave për minoritarët serbët që jetojnë në Kosovë, të pajisur me pasaportat e lëshuara nga strukturat ilegale të Serbisë, kurse opozita në vend se të merret me çështjen, filloi serish, si çdo herë gjatë gjithë kohës sa ka rënë nga pushteti, ta kritikojë qeverinë, sikur të kishte bërë vet namin, që ta pengonte këtë fatkeqësi për Kosovën, gjë që është momenti më i keq i mundshëm, për sjellje të tilla, kaq të papërgjegjshme, para goditjes së rëndë nga BE të shtetit dhe qytetarëve të vendit tonë. Prandaj para se vendimi të hyjë në fuqi, që pritet të ndodhë 20 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të BE-së, Kosova pozitë dhe opozitë në konsultim të ngushtë me njëra tjetrën dhe ekspertët vendor e ata ndërkombëtar, veçanërisht me specialistë të zgjedhur të Mbretërisë së Bashkuar, të cilët janë të njohur në gjithë botën, për eksperiencat e mëdha dhe njohuritë e veçanta të tyre në këto lëmi, duhet të marrin të gjitha masat e mundshme, të paktën, për kthimin mundësisht të këtij vendimi edhe njëherë në rishqyrtim nga BE, apo shtyrjen qoftë edhe të përkohshme, në mënyrë që Kosova të fitojë edhe sado pak kohë, mundësisht për abrogimin e këtij vendimi të paprecedent, përndryshe pasojat vërtetë do të jenë afatgjata dhe të pariparueshme. BE dhe gjithë të tjerët, duhet ta dinë dhe kenë mirë parasysh, se strukturat ilegale paralele serbe, mbeten mekanizëm i kundërligjshëm dhe në kundërshtim të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kështu që duke qenë se vendimi arbitrar i BE-së është gabim shumë i madh dhe praktika më e paprecedent e cila nuk ka mundur të ndodhte në asnjë vend dhe rast tjetër në rajon dhe BE, përkundër këtij vendimi arbitrar të BE-së, të cilin Komisioni Evropian, dëshiron t`ia imponojë me forcë Kosovës, pa dëshirën e saj, shteti i Kosovës duhet t`ia bëjë të qartë mbarë faktorit ndërkombëtar, se përkundër këtij vendimi të dhunshëm politik, nga Be, tash dhe asnjëherë, nuk mund dhe as nuk guxon të legjitimohen dokumente të tilla ilegale dhe as të legalizohen, në asnjë mënyrë, strukturat e kundërligjshme paralele dhe kriminale serbe, në shtetin e pavarur të Kosovës!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".