Kosova duhet ta bëjë një hetim të detajuar se kush e mashtroi Faton Hajrizin për ta dërguar në Serbi dhe për ta likuiduar

Kosova duhet ta bëjë një hetim të detajuar se kush e mashtroi Faton Hajrizin për ta dërguar në Serbi dhe për ta likuiduar
Kosova duhet ta bëjë një hetim të detajuar se kush e mashtroi Faton Hajrizin për ta dërguar në Serbi dhe për ta likuiduar

Gani Qarri

  • 26 July 2024 - 07:32

 

Shkruan:ANALISTI-Gani Qarri

Duke mos ditur ende në detaje rrethanat dhe shkakun e ikjes nga burgu, qëllimin as arsyen e vërtetë dhe as njerëzit të cilët ishin të interesuar, që Faton Hajrizi të "arratisej" në Serbi, ashtu siç shprehet edhe Kryeministri Kurti, është shumë me rëndësi dhe në interes të shtetit, të familjes dhe qytetarëve të Kosovës, sqarimi i plotë dhe i hollësishëm i rrethanave që nga ikja prej burgut në Kosovë, itinerari dhe njerëzit, (e partisë, apo kushdo qofshin ata) që e bindën Faton Hajrizin të futej në shtetin serb, e deri te rrethanat e pasqaruara të vrasjes makabër të tij, në Serbi!

Ky është shkak ky që me shumë të drejtë dhe përgjegjësi institucionale edhe kreu i ekzekutivit, ka kërkuar një hetim vendor dhe ndërkombëtar, duke i angazhuar edhe Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Punëve të Jashtme, të cilat kanë informuar me kohë mbi këto zhvillime edhe qytetarët dhe opinionin publik, vendor e ndërkombëtar. Kështu që përderisa Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës përcjellin me vëmendje dhe punojnë në vazhdimësi, për ta sqaruar çdo detaj, rreth rastit të Faton Hajrizit, mund të kuptohet edhe thirrja e kryeministrit Kurti drejtuar qytetarëve, që për rastin tragjik të Fatonit, të paktën, përderisa të mos përfundojnë hetimet dhe kuptohet e vërteta e plotë e gjithë këtij misteri tragjik, qytetarët të mos udhëhiqen vetëm nga emocionet personale.

Kjo edhe për faktin, që dikush, duket se me qëllim likuidimi të tij, e bindi Fatonin të futej në Serbi, përderisa ai për të ikur në Evropë, apo edhe në Bosnje, ishte shumë më i pa rrezikuar që të provonte të kalonte nëpër Shqipëri apo edhe Mal të Zi, kurse Serbia fashiste shihet qartë se përveç likuidimit makabër të Faton Hajrizit, tani po përpiqet edhe të përfitoj politikisht në arenën ndërkombëtare, që ndoshta pak a shumë, mund të ketë implikime edhe te ndërkombëtarët, veçanërisht te ata me qëndrime të hapura pro-Serbisë. Ata të cilët njëjtë si Serbia, rastin e pafajësisë së Faton Hajrizit, do të përpiqen ta konsiderojnë, krahasojnë apo edhe barazojnë, me aktin terrorist të Milan Radojçiqit, dhe nga një kriminel e krye terrorist serb, të kërkuar nga Interpoli dhe drejtësia e Kosovës, ta shndërrojnë Radojçiqin në hero, pa qenë fare i tillë. Në çastet aktuale, zyrtarisht për Republikën e Kosovës, hero është dhe mbetet rreshteri i Policisë Afrim Bunjaku, i cili u ballafaqua heroikisht me terroristët serb dhe ka sakrifikuar jetën e tij, për mbrojtjen nga forcat armike të shtetit të Kosovës, arsye kjo që Institucionet tona janë përpjekur maksimalisht dhe në vijimësi të transmetojnë informacione zyrtare për qytetarët e vendit dhe opinionin publik vendor e atë ndërkombëtar. Siç njoftoi kryeministri i vendit, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor-ILECU e Policisë së Kosovës, është informuar se autoritetet serbe, më datë 22 korrik 2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve, që ngjasojnë të njëjta me shenjat e gishtërinjve të Faton Hajrizit, të cilat janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë (AKF) dhe pas krahasimit, Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin personit të vrarë ( në rrethana të panjohura) në Serbi. Prandaj duke pasur parasysh qëndrimin ekstrem të Serbisë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës si dhe Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Jashtme janë angazhuar maksimalisht për një hetim vendor dhe ndërkombëtar, akt ky i cili është në interes të shtetit, familjes dhe qytetarëve të Kosovës, për sqarimin e plotë të shkaqeve dhe arsyes së ikjes së Faton Hajrizit në drejtim të Serbisë, personat që e bindën të futej dhe udhëtonte rrugëve të kontrolluara me kamera dhe polici, 24 orë në ditë, të shtetit serb, e deri te sqarimi i plotë i vrasjes makabër, në rrethana të panjohura në Serbi, prandaj kreu i ekzekutivit me të drejtë edhe kërkon hetim vendor dhe ndërkombëtar. Kjo ishte edhe arsyeja që kreu i qeverisë, të kërkojë nga qytetarët të presin përfundimin e hetimit, dhe të mos nxitohen e udhëhiqen nga emocionet, për të mos tejkaluar qoftë edhe padashtas sjelljen racionale, edhe pse rasti është shumë i dhimbshëm dhe ka prekur zemrat e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Patriotët e rënë dhe të sakrifikuar në mbrojtje të sovranitetit të shtetit, siç është rasti konkret, janë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i vrarë në Banjë të Zveçanit, por edhe 23 pjesëtarët e tjerë të Policisë së Kosovës të rënë në krye të detyrës, me përkushtimin deri në sakrificë. Në nderim të jetës dhe veprës së tyre, pikërisht me 26 korrik, për të tretin vit me radhë, shënohet "Dita Memoriale e Policëve" të Rënë në Kryerje të Detyrës, Datë e shënuar kjo, e cila përkon me rënien e një patrioti tjetër të ditëve tona, Heroit Enver Zymeri, i cili, po ashtu, u vra nga terroristët serb, në krye të detyrës më 26 korrik të vitit 2011në Zupç të Zubin Potokut. Andaj edhe sot, si çdo ditë dhe çdo mot, e ripërsëris thirrjen tek organet përgjegjëse për zbardhjen e të gjitha këtyre rasteve kriminale të vrasjeve dhe sjelljen e autorëve kriminel, para drejtësisë, ka deklaruar kryeministri Kurti. Ai ka rikujtuar po ashtu, se të mërkurën pra me 24 korrik, janë bërë plot 10 muaj nga rënia heroike e rreshterit të Policisë Afrim Bunjakut në Banjë të Zveçanit, në mbrojtje të ligjshmërisë e kushtetutshmërisë së vendit dhe të integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Fatkeqësi më vete, është fakti që megjithëse tanimë kemi hyrë në muajin e 11, nga vrasja e heroit Afrim Bunjaku, prej terroristëve serb, çuditërisht në Kosovë, ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë ndaj krye terroristit Millan Radoiçiqit as terroristëve tjerë serb, të grupit të tij paramilitarë nga ana e sistemit tonë të (pa)drejtësisë dhe në Serbi, Radoiçiqi, vazhdon të jetë i lirë. Por në anën tjetër, siç theksoi edhe kryeministri Kurti, po kësaj Prokurorie tonë të famshme, të cilës nuk i kanë mjaftuar as 10 muaj, për ngritjen, qoftë edhe të një aktakuze të vetme kundër krye terroristit Millan Radojçiq dhe bashkë terroristëve tjerë serb, pjesëmarrës në aktin e agresionit terrorist në Banjë të Zveçanit, është shumë e habitshme se si nuk ju deshën të kalonin as 10 orë, për ta marrë në pyetje me urgjencë marramendëse, madje edhe për dy ditë me radhë, Ministren e Drejtësisë të Republikës së Kosovës, zonjën Albulena Haxhiu, vetëm pse ajo në rrjetin social Facebook, potencoi faktin se pse arratisja e disa personave nga burgjet e Kosovës, të cilët kërkohen nga institucionet përgjegjëse të vendit tonë, po bëhet vetëm në drejtim, të territorit të Serbisë?!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".