BE i jep Serbisë goditjet e para paralajmëruese, marrëveshja e dakorduar me Kosovën në Bruksel dhe në Ohër e obligueshme ligjërisht për tu zbatuar

BE i jep Serbisë goditjet e para paralajmëruese, marrëveshja e dakorduar me Kosovën në Bruksel dhe në Ohër e obligueshme ligjërisht për tu zbatuar
BE i jep Serbisë goditjet e para paralajmëruese, marrëveshja e dakorduar me Kosovën në Bruksel dhe në Ohër e obligueshme ligjërisht për tu zbatuar

Gani Qarri

  • 28 July 2024 - 09:05

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Pas provokimeve të shpeshtuara publike, të Serbisë fashiste, duket se më në fund, megjithëse me shumë vonesë po zgjohet edhe Brukseli, madje jo pak i trazuar dhe i traumatizuar nga loja dhe sjelljet makabër e të pa përgjegjshme të Serbisë në dialogun me Kosovën deri në kërcënimet për ndërhyrje dhe destabilizim, të rajonit. Duket se kjo ka bërë, që më në fund edhe Brukseli të marrë guximin ti përgjigjet Kryeministrit të Serbisë lidhur me Kosovën dhe tërheq vërejtjen, që qeveritarët serb, të mos bëjnë deklarata të cilat vënë në pikëpyetje marrëveshjet me Kosovën në Bruksel dhe Ohër.

-Reagimi i Brukselit erdhi pasi që Kryeministri serb Millosh Vuçeviq deklaroi në Parlamentin e vendit të tij , se “Republika e Serbisë nuk e ka pranuar marrëveshjen franko-gjermane”, madje ai potencoi publikisht, se është i vetëdijshëm që deklarata e tij është publike dhe po regjistrohet. Kështu që të paktën kësaj radhe, Brukseli, u tregua “agil” dhe kujdestar më aktiv duke reaguar shpejt, ndaj deklaratave të "pamatura" të Serbisë, i vetëdijshëm se këto mundësi Serbisë ia krijoi vet BE, ndaj këto nuk janë prononcimet e para as të fundit të qeveritarëve të azdisur serb. Një zëdhënës i Komisionit Evropian u shpreh për mediet publike se Unioni u bën thirrje përfaqësuesve të Serbisë të përmbahen nga deklaratat që e vënë në dyshim marrëveshjen, sepse; “Siç e kemi thënë shumë herë më parë, Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit është e vlefshme dhe e detyrueshme në tërësinë e saj si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë dhe rruga e Serbisë dhe e Kosovës, për në BE kalon, përmes kësaj marrëveshje.

Zbatimi i saj është një pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse evropiane, e cila u konfirmua së fundmi edhe përmes përfshirjes së saj në kapitullin 35 të negociatave për pranimin e Serbisë në BE. Nëse progresi në pranimin e saj në BE është vërtet në interesin strategjik të Serbisë, ne ftojmë përfaqësuesit serbë të përmbahen nga deklaratat që vënë në dyshim vlefshmërinë e Marrëveshjes dhe të fillojnë zbatimin e detyrimeve të tyre”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së Stano. Gjithashtu, BE i rikujton Serbisë se marrëveshja është pranuar nga ana e presidentit serb Aleksandër Vuçiq edhe pse nuk është e nënshkruar, prandaj edhe si e tillë është obligative edhe në formë ligjore. “Për të kujtuar qëndrimin konsistent publik të BE-së, Marrëveshja me aneksin e saj të zbatimit është bërë ligjërisht e detyrueshme përmes deklaratës me shkrim të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së të datës 18 mars 2023. Kjo u pranua nga vet presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti”! Por serish, BE përveç fjalëve të zbrazëta, njëjtë si edhe më parë, nuk dha asnjë paralajmërim, se të paktën kësaj radhe, për mohimin e marrëveshjes, do të ketë edhe ndëshkime ndaj Serbisë.

Kurse kryeministri serb, duke folur se nuk e kanë pranuar marrëveshjen që doli nga plani franko-gjerman, tha se lëvizjet që i bëjnë është vetëm për për të mos u ndëshkuar. “Edhe njëherë. Po e them shumë qartë, është duke u incizuar, qoftë në audio, qoftë në transkriptë: Republika e Serbisë “Nuk e ka pranuar Marrëveshjen franko-gjermane”! Edhe njëherë, e përsëris, ne nuk e kemi pranuar planin franko-gjerman! Ne nuk e kemi nënshkruar atë dhe ne kemi bërë deklarata përcaktuese dhe e kemi thënë shumë qartë që çdo implikim, implicit ose eksplicit, për pavarësinë e Kosovës, është një vijë e kuqe për Serbinë. A mund të flasim? Ne do të flasim! Ne kërkojmë të përdorim çdo hapësirë manovrimi. Dhe kuptoni pak që ne nuk duhet gjithmonë të shfaqim kartat tona publikisht, sepse kjo është kundraproduktive për pozicionin e Serbisë”, tha ai.

Deklaratën e tij, të përkthyer në anglisht, e ka shpërndarë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi duke shtruar disa pyetje. “Kryeministri i Serbisë pyet Përfaqësuesin Special të BE-së dhe Shërbimin e Jashtëm të BE-së: Çfarë tjetër nevojitet për t’ju bindur se për Serbinë nuk ka Marrëveshje Bazike? Se pjesëmarrja e tyre në dialog falsifikohet vetëm për të shmangur sanksionet eventuale? Sa drafte të tjera të planit të sekuencimit na duhen përpara se të zbulojmë të vërtetën për të gjitha shtetet anëtare?!”, Ka pyetur me shumë të drejtë, BE-në, SHBA-të dhe faktorin ndërkombëtar, kryenegociatori i Republikës së Kosovës Besnik Bislimi në platformën X. Edhe Kryeministri Albin Kurti, kishte shumë të drejtë kur në takimet e fundit që pati në Bruksel, vendosi KUSHT: Nënshkrimit të Marrëveshjes, nga ana e Serbisë, si dhe tërheqjen e letrës ku thuhet se; Serbia nuk e pranon "Marrëveshjen e Brukselit", të ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, për të pasur një takim trilateral ku planifikoheshin diskutimet për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

Andaj pikërisht tani, është edhe koha e fundit që BE, përfundimisht ta ndalojë më, përkëdheljen ndaj Serbisë, si dhe ta adresojë saktë dhe pa asnjë kufizim të mëtejmë, nivelin e përgjegjësisë për të gjitha abuzimet dhe eskivimet që janë bërë dhe po bëhen nga Serbia, në funksion të ikjes nga përgjegjësia e zbatimit të marrëveshjeve të dakorduara, duke detyruar paraprakisht Serbinë, medoemos ta nënshkruaj Marrëveshjen. Dhe vetëm pastaj të kërkojë, nga Kosova që ti përmbush pikat e marrëveshjes, sipas radhës, nga 1 deri në fund, sa parashihen në sekuencë dhe aneksin e Ohrit, për shuarjen e pretendimeve të hapura territoriale të Serbisë dhe mos defunksionalizimin me qëllim, edhe nga BE, të shtetit të Kosovës!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".