Kërkesa e Kurtit qeverisë së Beogradit, për hapjen e arkivave të luftës, goditje e fuqishme me ndikim tronditës

Kërkesa e Kurtit qeverisë së Beogradit, për hapjen e arkivave të luftës, goditje e fuqishme me ndikim tronditës
Kërkesa e Kurtit qeverisë së Beogradit, për hapjen e arkivave të luftës, goditje e fuqishme me ndikim tronditës

Gani Qarri

  • 01 August 2024 - 18:29

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Kërkesa e fundit e Qeverisë së Kosovës drejtuar Serbisë, që në funksion të përpjekjeve për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim, të fillohet me hapjen e arkivave të luftës dhe të zbulohet e vërteta e hidhur e krimeve makabre të Serbisë ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë, ashtu sikur që edhe janë pajtuar palët, në bisedimet me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, do të jetë edhe një goditje tjetër e rëndë e politikës gjenocidiale të Aleksandër Vuçiqit.

-Këtë pikë të nxehtë Kurti e ka aktualizuar duke reaguar lidhur me 10-vjetorin e klasifikimit 30 vjeçar të arkivës së Brigadës së 37-të të motorizuar të Ushtrisë Jugosllave nga Serbia, e cila ka operuar dhe kryer gjenocid dhe krimet më të tmerrshme në Kosovë. Kryeministri Kurti në një postim në Facebook, ka sqaruar se në bazë të marrëveshjes së arritur më 2 maj të vitit të kaluar në Bruksel, Kosova ka dërguar disa kërkesa për hapjen e arkivës së Brigadës 37-të të Motorizuar të UJ, e cila është përgjegjëse për shumë masakra në rajonin e Drenicës, ndaj përsëritim edhe njëherë kërkesën për hapjen e arkivave në Serbi, për të sqaruar masakrat çnjerëzore të kryer nga kjo brigadë e ushtrisë okupatore serbe.

“Gjatë luftës 1998-99 në Kosovë, strategjia e shtetit serb ishte fshehja e krimit dhe gjenocidit nëpërmjet të fshehjes së kufomave, strategji makabër, që fatkeqësisht edhe mbi 25 vite pas përfundimit të luftës, është ende aktive, madje trashëgimtarët e Millosheviqit në Beograd, dikur bashkëpunëtorë dhe tani politikanë në krye të shtetit serb, refuzojnë edhe pas 25-26 vitesh të kaluara nga shkaktimi i masakrave, në Kosovë, të hapin arkivat për të zbuluar vendndodhjet e varrezave masive. Për aq më tepër, para 10 vitesh, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë shpalli sekret shtetëror dokumentet mbi krimet dhe gjenocidin e shkaktuar mbi shqiptarët e pambrojtur në Kosovë të Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë okupatore serbo-jugosllave.

Ky vendim i marrë më 31 korrik të vitit 2014, pengon edhe sot zbardhjen e së vërtetës së dhimbshme mbi vrasjet barbare të civilëve shqiptarë dhe fshehjen huligane të trupave të tyre në varreza masive në Serbi, ka deklaruar Kryeministri Kurti”, duke përmendur edhe pikat konkrete në marrëveshje që i referohen kësaj fushe. “Në bazë të marrëveshjes së arritur më 2 maj të vitit të kaluar në Bruksel, ne përsërisim kërkesën për hapjen e arkivave në Serbi. Tashmë kemi dërguar disa kërkesa lidhur me hapjen e arkives së Brigadës 37-të të Motorizuar të UJ, përgjegjëse për shumë masakra në rajonin e Drenicës. Vendimi i shtetit serb për të klasifikuar këto dokumente si sekrete për 30 vite është përpjekje për të fshehur krimet e kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë. Është edhe një tregues i qartë se Serbia, përderisa qëndron mbi varret e civilëve të vrarë shqiptarë, nuk ka treguar asnjë shenjë pendese për mizoritë e kryera gjatë viteve të okupimit në Kosovë”, ka deklaruar Kryeministri Kurti, akt ky i cili përbën shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, të drejtës së familjeve për të ditur të vërtetën dhe pamundëson përpjekjet për të sjellë drejtësi. “Duke mbajtur të fshehta këto dokumente, Serbia as sot, nuk po distancohet nga regjimi i Millosheviqit dhe krimet e tij gjenocidale në Kosovë, ani pse, vetëm përmes ndriçimit të së vërtetës dhe mbajtjes përgjegjës të autorëve të krimeve mund të arrihet drejtësia dhe paqja e qëndrueshme në rajon”, ka deklaruar kreu i Qeverisë së Kosovës.

Aktualizimi i kësaj teme është edhe një tjetër element që flet pse spektri politik i Kosovës duhet të jetë shumë i bashkuar në temën e dialogut me Serbinë për të kërkuar unik dhe me një zë edhe nga faktori ndërkombëtar që krimet e gjenocidi ndaj shqiptarëve si dhe dëmet e shkaktuara gjatë luftës gjithmonë të trajtohen me prioritet sepse ato janë një materie e cila po nuk u kap në kohë humbin gjurmët, zhduken dëshmitë dhe vdesin edhe dëshmitarët.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".