Lexoni edhe:
Koha e fundit për tu çliruar sistemi prokuroria dhe ai gjyqësor nga lidhja me nëntokën e krimit të organizuar
Shkruan:ANALISTI-Dardan Grapci
Bllokimi i Ligjit e Vettingut nuk po behet vetëm nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, por edhe nga partitë politike opozitare që janë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Deklaratat e turpshme të krerëve të KPK-s dhe KGJK-s do të mbesin në kujtimet e tyre si një histori e dhimbshme, prandaj sa flasin për media se çka kanë arritur , do ishte më mirë të ndërmarrin hapa më konkrete dhe real të veprimeve, cilat duhet të publikoheshin për opinionin publik dhe jo të mbetet gjithçka sekret.
-Asnjë njeri me logjikë të shëndosh nuk ju beson frazave të thata dhe lëvdatave të cilat dalin herë pas here nga krerët e sistemit të drejtësisë, kinse për punën e madhe që janë duke bërë ata të zbatimin e ligjit dhe luftimin e dukurive devijante në shoqëri, e mbi të gjitha të krimit të organizuar e korrupsionit. Lirisht mundë të themi se raportet e herë pas hershme për të cilat diskutohet dhe nuk bëhen publike për opinionin, mbeten vetëm deklarata të turpshme mashtrimi të krerëve të KPK-s dhe të KGJK-së, me të cilat vazhdimisht, në takimet e tyre, kinse angazhohen fortë për luftim e parandalim të krimit, për konfiskim sa më të madh të pasurive të fituara e krijuara kundërligjshëm nga bosët e mëdhenj të krimit, e nga ana tjetër, ato zotime i shpenzon koha dhe nuk e shohim asnjë rezultat konkret të veprimit.
Krerët e sistemit të drejtësisë ka kohë që janë duke krijuar mjegull e mashtrim para qytetarëve, duke filluar nga kryeprokurorët e kryegjyqtarët e korruptuar që po bashkëjetojnë me krimin e organizuar, dhe po japin deklarata publike , sikur të ishin ato deklarata politike, se do të bëjnë më shumë në kapjen dhe konfiskimin e pasurisë së plaçkitur nga populli. Këto zotime e premtime po mbeten deklarata afatshkurtra vetëm sa për të mashtruar. Hetimi dhe konfiskimi i pasurisë së fituar kundërligjshëm ishte temë trajtimi edhe në takimin e KPK-së para dy ditësh, 30 korrik, e ku është përsëritur i njëjti refren. Nga ky takim, raportohet se si Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka kërkuar nga kryeprokurorët efikasitet më të lartë në trajtimin e rasteve të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara të cilat janë përdorur për kryerjen e veprave të ndryshme penale apo janë përfituar nga vepra penale, e të cilat gjenden në depon e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.
Pra këtu me të drejtë shtrohet pyetja pse duhet të deponohen dhe harrohen aty asetet e konfiskuara dhe nuk përdoren aty ku ka mundësi për interesin qytetar dhe atë publik. Në njoftim thuhet se është parashikuar edhe mundësia e shitjes së atyre që mundë të shiten, sikur janë rastet e automjeteve të sekuestruara dhe të konfiskuara apo edhe e shfrytëzimit të tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi. “krejt kjo me qëllim të parandalimit të pasojave që mund t’i bëhen buxhetit të shtetit për shkak të mos veprimit adekuat të prokurorëve” , thuhet aty. Mirëpo edhe pse flitet për një simbolikë të aseteve të konfiskuara e që do të duhej trajtohen më me efikasitet, pra të shiten e të përfiton shteti, nuk jepen detaje në shifra se sa janë ato dhe për çka bëhet fjalë konkretisht. Pra informatat mbeten sekret nga opinion publik sepse janë të vetëdijshëm se nuk mundë të arsyetohen me disa konfiskime qesharake , që nuk e arsyetojnë as buxhetin e pagave të cilat i marrin, si në KPK edhe në KGJK. Definitivisht kjo situatë e krijuar kaotike po shfrytëzohet pikërisht me bllokimin e ligjit të Vettingut, ku ka ndikim edhe nga Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar e të ndikuar nga nëntoka e krimi i organizuar, që të vazhdojnë me të njëjtin avaz, bashkëjetesën kriminale me krimin, fare pa u frikësuar e pa u trazuar.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".