Me unitet politik për shtrirjen e plotë të sovranitetit të shtetit në veri, të votohet rezoluta në Kuvend për hapjen e Urës mbi lumin Ibër

Me unitet politik për shtrirjen e plotë të sovranitetit të shtetit në veri, të votohet rezoluta në Kuvend për hapjen e Urës mbi lumin  Ibër
Me unitet politik për shtrirjen e plotë të sovranitetit të shtetit në veri, të votohet rezoluta në Kuvend për hapjen e Urës mbi lumin  Ibër

Gani Qarri

  • 03 August 2024 - 19:34

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri 

Duke qenë se qeveri dhe shtete të ndryshme të botës, për mbrojtjen e sovranitetit të vendit, janë detyruar të hyjnë edhe në luftë, Qeveria e Kosovës duhet ta ftojë urgjentisht Kuvendin në një mbledhje të jashtëzakonshme, që si përfaqësues legjitim i të gjithë qytetarëve të Kosovës, për dallim nga legjislativët e kaluar, që të nxitur nga partitë e tyre politike, kanë votuar edhe krijesa kundër-kushtetuese si "zajednica" një etnike serbe, apo edhe Gjykatën Speciale, të votojnë një rezolutë me shumicën dërmuese të deputetëve të të gjitha partive, për hapjen e Urës mbi lumin Ibër, që do të ishte edhe përgjigja më e mirë, e të gjithë spektrit politik të Kosovës, ndaj qëndrimit të padrejtë kundërshtues të ambasadorëve të vendeve të QUINT-it! 

-Përndryshe sikur të pyeteshin çdo herë dhe për çdo gjë, po këta ambasador, të QUINT-it, të cilët në vendin tonë, ka kohë që veprojnë si "Guvernatorë" të plotfuqishëm, liria e lëvizjes, shtrirja e shtetësisë, sundimi i rendit dhe ligjit nuk do të ekzistonin sot, fare në veri të Kosovës, siç nuk kanë ekzistuar kurrë, për dy dekada me radhë, kur siç dihet, atje edhe ligjin e bënin bandat kriminale dhe organizatat terroriste serbe të udhëhequra nga kryeterroristi  Milan Radojçiq, gjatë të gjitha qeverisjeve të inkriminuara në Kosovë. Madje derisa edhe në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, qysh para 8 vitesh, më 2 gusht të vitit 2016 në Bruksel, është arritur marrëveshja e cila me Planin e Bashkimit Evropian parasheh hapjen e Urës së Ibrit të Mitrovicës për këmbësorë dhe automjete në të dy drejtimet dhe nuk ekziston më asnjë pengesë faktike, për hapjen e saj, veçanërisht tani kur kemi një gjendje plotësisht të stabilizuar politike edhe në veri të Republikës së Kosovës, habit fort kundërshtimi cinik i planit të Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës mbi Lumin Ibër, i shteteve të QUINT-it edhe për qarkullim të lirë të automjeteve, që është një padrejtësi tjetër e radhës, ndaj shtetit dhe popullit tonë.

Duke pasur parasysh ndërhyrjet e vazhdueshme tendencioze të ambasadorëve të QUINT-it, të cilët çuditërisht gjithmonë dhe për gjithçka dalin kundër, si; "kundër ndalimit të referendumeve dhe zgjedhjeve të Serbisë" në Kosovë, "kundër mbylljes së objekteve dhe strukturave paralele serbe" në Kosovë, "kundër reciprocitetit me Serbinë" në Kosovë, "kundër zbatimit të marrëveshjes për targat e Kosovës në veri" të Kosovës, "kundër vendimit të BQK-së, për ndalimin e dinarit serb" në Kosovë, deri edhe kundër vendosjes së tabelave që tregojnë vendbanimet dhe kahet e rrugëve në veri, etj, me daljen sot, edhe kundër hapjes së Urës së Ibrit, që nënkupton daljen edhe kundër garantimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve, si kategori evropiane e të drejtave të njeriut, ata vërtetë konfirmuan edhe publikisht se kanë vet-marrë kompetencat e GUVERNATORËVE në një shtet të pavarur dhe ata, duan ta qeverisin, një vend paqësor e mikpritës si Kosova. Kjo është një padrejtësi shumë e rëndë dhe më tepër se tendencioze, që para syve të gjithë botës demokratike, po tentohet ti bëhet me forcë, shtetit të pavarur të Kosovës, duke e penguar qëllimshëm dhe atë në formë afatgjate, që edhe në veri të vendit, të shtrihet plotësisht rendi e ligji, me qëllimin e keq tendencioz, që në veri, të mos funksionojë shteti i së drejtës, si në krejt pjesën tjetër të territorit të Republikës së pavarur të Kosovës duke shkelur publikisht edhe të drejtën njerëzore të Konventës Evropiane, për lëvizje të lirë, në shekullin XXI.

Madje ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, habiti të gjithë qytetarët e Kosovës, kur pa fije turpi, me prononcimin e tij, tendencioz për media pas takimit të së premtes me ekipin e Kryeministrit Kurti, deklaroi pa u skuqur fare, se shtetet e QUINT-it në konsultim me NATO-n, nuk e përkrahin asnjë ndërrim të statusit të urës së Ibrit dhe 25 vite pas çlirimit, në shekullin XXI, janë kundër hapjes së urës edhe për lëvizje të automjeteve, duke u deklaruar jo si ambasador të huaj, në një shtet mik, por si të ishin okupator të vendit tonë?! Guvernator dhe mbretër të plotfuqishëm, të cilët marrin guximin të dalin edhe kundër çdo vendimi ligjor e kushtetues të Republikës së Kosovës, në territorin e saj. Ambasador të cilët çuditërisht edhe mbi 25 vite pas çlirimit të Kosovës, pa asnjë të drejtë dhe argument bindës, dalin edhe kundër hapjes së një ure simbolike, në vendin tonë, hapja e të cilës nuk përbën kurrfarë shkelje dhe vetëm garanton lëvizjen e lirë të qytetarëve në të dy anët e urës, funksion për të cilin, ajo edhe është ngritur aty dhe ndërtuar po në atë vend. Përndryshe sikur të pyeteshin çdo herë dhe për çdo gjë këta ambasador, të QUINT-it, të cilët në vendin tonë, ka kohë që veprojnë si "Guvernatorë" të plotfuqishëm, liria e lëvizjes, shtrirja e shtetësisë, sundimi i rendit dhe ligjit nuk do të ekzistonin sot, fare në veri të Kosovës, siç nuk kanë ekzistuar kurrë, për dy dekada me radhë, kur edhe ligjin e bënin bandat kriminale dhe organizatat terroriste serbe të udhëhequra nga krye terroristi Milan Radojçiq, gjatë të gjitha qeverisjeve të inkriminuara në Kosovë.

Akt monstruoz që mjerisht nëse vazhdohet me këtë avaz, Kosova duket se pa iu drejtuar edhe njëherë GJND-së, për sqarimin e statusit të saj politik, tani enkas, vetëm për ambasadorët e QUINT-it, ndoshta nga sot e tutje, nuk do të mund ti zbatojë as planprogramet e mësimore në universitete e shkolla, oraret e autobusëve në qytete e fshatrat e Kosovës, apo do të refuzohet edhe planifikimi i fluturimeve në aeroportin e vetëm të saj, në Prishinë, pa marrë Amin-in e Serbisë fashiste dhe pëlqimin këtyre Guvernatorëve mbretër të plotfuqishëm, alias ambasador të QUINT-it, në vendin tonë. “U takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusin aktual të urës së Mitrovicës aktualisht”, ka thënë Hovenier. Akt vandal që mori përgjigjen e merituar nga Qeveria e Kosovës, e cila tregoi se është e vendosur që edhe këtë sfidë, njëjtë si ato të mëparshmet, ta kalojë me kujdes dhe maturi të madhe, në bashkëbisedim dhe diskutim me qytetarët e të gjitha anëve dhe nga të gjitha komunitetet e Mitrovicës.

Në njoftimin zyrtar të Qeverisë thuhet se Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, takuan të shtunën Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, Ambasadorin e Francës, Olivier Guérot, Ambasadorin e Italisë, Antonello De Riu, Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, zëvendës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Paul O’Connor dhe zëvendës ambasadorin e Gjermanisë, Matthias Conrad, ku diskutuan rreth zhvillimeve në vend, me temë qendrore plani për hapjen e plotë të Urës mbi lumin Ibër.” Ky takim u zhvillua pikërisht 8 vjet pas diskutimeve që ishin mbajtur me 2 gusht të vitit 2016 në Bruksel në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Urën e Mitrovicës në kuadër të dialogut, e që u pasua pastaj me Planin e Bashkimit Evropian për hapjen e urës së Mitrovicës për këmbësorë dhe automjete në dy drejtime. Kryeministri Kurti paraqiti para përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe BE-së planin e Qeverisë për hapjen e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër, që parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarët dhe grupet e interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Edhe pse të premten ka pasur një përgjigje negative nga QUINT-i, Qeveria u deklarua se do të vazhdohet akoma me konsultime e analiza, pra konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë dhe assesi nuk do të heq dorë nga ai projekt! Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se "rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim" dhe që kjo të ndodhë, është kusht që Ura duhet të hapet. Ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian, ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt dhe liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi edhe forcojnë ato. Ura është simbol i integrimit, e që është punë e përbashkët e Kosovës me partnerët tanë, andaj Qeveria është dhe mbetet për lëvizje të lirë dhe integrim të të gjithë qytetarëve, thuhet në fund të njoftimit nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Prandaj ky moment dhe problemi i kësaj ure, është edhe një test për gjithë spektrin politik të Kosovës, që përfundimisht të veprojnë ë të unifikuar, sepse hapja e urës është edhe një avancim plus në fuqizimin e shtrirjes së rendit e ligjit, por edhe sovranitetit shtetëror të Kosovës në veri, pasi që zmbrapsja dëshmon për paaftësi dhe brishtësi te institucioneve të shtetit në veri. Aktivitetet e deritashme, me forcat e rendit e ligjit e kanë qetësuar dhe normalizuar maksimalisht gjendjen politike në veri, andaj është plotësisht e qartë se veprimet më të plota shtetërore marrin formë dhe arrijnë kulmin e efektit të tyre vetëm me hapjen e Urës së Ibrit, sepse hapja e Urës është dëshmia edhe simbolike për kontrollin e plotë të veriut nga shteti i Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".