KUR DO TË LIROHET SHQIPTARIA NGA SANKSIONET E EVROPËS

KUR DO TË LIROHET SHQIPTARIA  NGA SANKSIONET E EVROPËS
KUR DO TË LIROHET SHQIPTARIA  NGA SANKSIONET E EVROPËS

Prof.Dr.Hakif Bajrami

  • 06 August 2024 - 10:16

Akademik Porf. Dr. Hakif Bajrami

Kur do të lirohemi nga pesha jonë në kotësia dhe ta pushtojmë lirinë e vërtetë varet nga forca jonë. Së këndejmi, dëmet që ia bëjmë veti nuk na i kompenson askush. Kompensimi i dëmeve nuk mund të matët as me ari e as me forcë, por vetëm me dituri trurore dhe punë në shërbim të kombit dhe civilizimit evropian!

Sot koncerni politik shqiptar është i përçarë në njëqind tarafe të hasmuara në mes veti, e ato prapë janë në armiqësi me kundërshtarë më të vegjël dhe kështu shkon vargu deri në thermi të vogla vetë shkatërruese. Lidhur me këtë, deri dje ankoheshim se okupatorët na i ndalonin shkollat e dijes. Fare nuk i shkonte mendja atyre që kritikonin që të provojnë se a ka pasur përpjekje që të organizohen shkolla ilegale të paktën, brenda rrethit shqiptar. Më shumë jo se po. Në anën tjetër, shihet se kemi pasur shumë prijës, të cilët më shumë rrënonin se sa që ndërtonin diçka në kalanë kombëtare. Dhe, rrënonin për kombin po rrënonin edhe vetveten dhe vetëm kur binin në greminë e shihnin se ku ishin dhe për kënd kanë punuar.

Po e fillojmë me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, e cila provoi ta shërojë plagën e muhaxhirëve, por fitoi 16 000 proces gjyqësore për të dalë pas shumë luftërave te shpallja e pavarësisë më 28 XI 1912. Lidhur me këtë, itinerari se si filloi dhe si u kurorëzua shpallja është shpenguar mjaftë mirë dhe pa anshëm. Por kur erdhi puna te efekti i shpalljes, babai i shteti në potezin e parë e bërë një gabim të pafalshëm. E shpalli qeverinë pa asnjë përfaqësues të krishterë, duke mos llogaritur se dhjetë shekujt e kaluar luftërat ishin bërë për fe dhe për hapësira tokësore. Pasoi kritika me të drejtë, dhe ajo u përmirësua shumë shpejtë, duke na e sjellë një “mbret” të krishterë bile nga Evropa. Po shtrohet pyetja, pse erdhi deri te ai ndryshim. Erdhi, na thonë dokumentet e kohës, sepse Plaku i Vlorës ende mendonte të mbajë njëfarë lidhje me Stambollin, që na kishte rrjepur deri në asht, për pesë shekuj në emër të fesë edhe pse as të tjerat fe nuk na e kishin sjellë ndonjë begati kombëtare kurrë. E vërteta, në postin e drejtuesit të shtetit shqiptar patën konkurruar nja 12 personalitete e në fund fitoi “evropiani”. E vërteta, para se të vinte ai në fron, patën filluar lojërat e sulmeve nga pusia.

Rasti i tretë i gabimit të Plakut Vlorës është themelimi i një delegacioni që do ta përfaqësonte shqiptarinë në Konferencën e Londrës. U caktuan personalitete të cilat fare nuk e njihnin shtrirjen e kombit në aspektin sipërfaqësor (Mehmet Konica, Rasih Dina, Filip Noga, një nuk pranoi e asnjë nuk ishte nga Kosova e Manstiri). Delegacioni i Mehmet Konicës e dorëzoi në Promemorje më 2 janar 1913, për Konferencën e Londrës. Por, sipas atij dokumenti Shqipërisë do të duhej t` i merrej edhe ndonjë pjesë në verilindje, po edhe në juglindje, sepse Memorandumi ishte: “një trup me asht e pa asnjë fije mishi”. Pasoi Elborati plotësues më 25 janar 1913, por atëherë çdo rishqyrtim ishte i vonë, sepse diplomatët e kishin vizatuar hartën e Shqipërisë. Të kuptohemi, se të dhënat plotësuese për shtrirjen e shqiptarëve në Ballkan, i siguroi në kohë rekorde Bedri Pejani nga Kosova me Rexhep Mitrovicën e Mithat Frashërin, të cilët nuk e zë në gojë askush. Pra, në vend se të shkonte në Londër Bedri Pejani, Mithat Frashëri e Luigj Gurakuqi, Plaku e mori Isa Boletinin, që të tregoi se i kam dy “alltia” në brez. E vërteta, Isa ishte dhe mbetët patriot, por nuk dinte shkrim lexim, nuk dinte diplomaci. E diplomacia nuk është çështje e filozofemave të odave, as e trimërisë në beteja. Dhe shtrohet pyetja:a e kemi në gjen si sundues që pranë veti t` i afrojmë të paditurit siç ngjan edhe sot në: Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, po edhe në Podgoricë. Pra, orteku i Esat Pashallarëve po na përcjell si hija trupin deri në ditët e sotit. Hypim në fron dhe nuk dimë të pargohemi prej tij. Po e them se në politikë më i lartë është arti për t` u larguar me fytyrë se sa për ta fituat fronin. Kjo për faktin se kur e mendon fundin, kriteriumi i qeverisjes bëhet me kompetencë profesionale dhe punë ekipore nga njerëzit e ditur dhe të paanshëm. Pra, zgjedhjet afrohën në çdo etapë historike, sytë hapi atë herë, ik prej despotëve, mos shko me bejlerë. Historia nuk ndalet si koha. Pasoi rasti i katërt i gabimit të Plakut. Në vend se Kryeministri të qëndronte në Vlorë, ta forconte pushtetin përbrenda, me ligje dhe rregulla civilizuese shtetërore, u orientua t` i vizitojë kryeqendrat e Evropës, sidomos Londrën. Por, aty nuk gjeti po thuaj se asnjë përkrahje. E vërteta, derisa Delegacioni i Qeverisë Vlorës ishte nëpër Evropë, Esat Pashë Toptani do ta përpilojë rrjetin e varrmihësve të shtetit përbrenda, duke organizuar një Kongres “kombëtar” në Krujë. Kongresi përfundoi krejt me demagogji që të asociaciojë në realitetin e Skënderbeut, por të kuptohemi: Kongresi ishte i tëri i përbërë nga shqiptarët e religjionit islam, duke mos e ditur se tërë Evropa ishte ngritur në këmbë për ta larguar na trualli i saj sepse koha e kryqëzatave nuk kishte pushuar fare. E vërteta, jo vetëm intrigat e Esat Pashës, por edhe të religjioneve të tjera, do ta detyrojnë Ismail Qemalin, që të abdikojë. Në këtë drejtim nëpër Evropë do të ndizet një fushatë se kush do të duhej për t` u instaluar në fronin shqiptar. U lajmëruan nja 11 personalitete dhe në fund vendosi Lozana, dhe erdhi Princ Vidi me një ceremoni dyfytyrëshe ku Esati ishte një lloj “kallauzi”, krejt me arsyetim që të “kënaqën synimet evropiane, për të parin e Shqipërisë,që të dihet se është i krishteri në krye të shtetit më të ri, të popullit më të vjetër në Evropë” (Sazanovi).

Në këtë frymë më 1914, do të organizohet në Trieste i ashtuquajturi Kongres i katolikëve (me disa ortodoks e protestant) por që mbaroi sikurse i pari, me dështim total. Për këtë kongres Sazanovi (rus) do të shkruaj: “Një tubim me dije kolosale që e mban Gjergj Fishta, por me mundësi minore sepse bajraktarët e fiseve janë aq finok sa që paraja serbiane i ka shkolluar, të ia kthejnë armën veti kurdoherë, për çka ne nuk kemi asnjë kundërshti!”. Vazhdon “kënga” e kongreseve, por!

KONGRESI I DËSHTUAR I ELBASANIT MË2- 18 PRILL 1916

Kongreset politike nuk do të ndalën. Në kohën e okupacionit Austro-Hungarez nga 2 deri më 18 prill 1916, do të organizohet që të mbahet një kongres kombëtar në Elbansan. Në kongres ishte paraparë të merrnin pjesë: nga Zona e okupar bullgare Nexhip Draga n` emër të Mitrovicës dhe Pazarit Ri. N` emër të Prishtinës, Llapit, Gjilanit, Kumanovës, Ferizajt dhe Shkupit ishte caktuar Hasan Prishtina. Ndërsa Bajram Curri përfaqësonte Pejën, Gjakovën dhe Prizrenin. Mehmet Pash Deralla përfaqësonte Tetovën, Gostivarin dhe Dibrën. Trevat e Shqipërisë Bregdetare i përfaqësonin: Kara Seid Pasha, Luigj Gurakuqi, Ahmet Muhtar Zogolli, Lef Nosi, Kristo Floçi, Grigor Cika, Refik Bej Toptani, Qemal Bej Elbasani, Fejzi Ali Zoti, Pandeli Cali, Mehmet Ali Bej Zajmi, Sotir Peci. Kongresi duhet të kishte në rend dite bashkimin e tokave shqiptare, në një tërësi administrative, ku Austro Hungaria do të merrte pjesë në forcimin e pushtetit qendror dhe atij lokal. Në kongres, do të shqyrtohej edhe çështja e dëmshme e bajraktarizmit shqiptar, por do të debatohej edhe çështja e tradhtisë së Esat Pashës dhe disa nostalgjikëve ndaj Stambollit zyrtar.

Kongresin e pengoi guvernatori Austro Hungarez Ignaz Trollman me “faktin” se në Elbansan dhe Rrethinë ka rënë kolera dhe nuk mund të mbahen tubimet e këtilla politike. Në realitet I. Trollman i frikohej Hasan Prishtinës, i cili aspironte për ta bashkuar shqiptarinë në një front lufte, prej të cilit do ta lindte Shqipëria Etnike.

SHKUARJA E DELEGACIONIT SHQIPTAR NË VJENË MË 10-17 PRILL 1917

Pothuaj se në çdo kohë të okupimit të trojeve shqiptare paria politike shqiptare ka shprehur besnikëri e deri në tradhti ordinere. Në këtë drejtim, nuk bëri përjashtim paria politike shqiptare as me Vjenën. Prandaj, me rastin e marrjes së detyrës së mbretit (Karli), duhej sipas parisë politike shqiptare për të shkuar në Vjenë për urim. Lidhur me këtë në Vjenë shkuan dhe u vendosën nëpër hotele këto personalitete shqiptare:

I.Në hotelin “Bristol” u vendosën: 1. Dr Gjergj Pekmezi, 2. Hasan Prishtina, 3. Xhelal Bej Toptani, 4. Irfan Numan Beu, 5. Shasivar Beu, 6. Qazim Beu,7. Sami Vrioni,8. Kahreman Vrioni,9.Muharrem Pengulli, 10. Xhafer Tanga, 11. Efendi Hasan Bekteshi, 12. Izedin Beshiri.

II. Në hotelin “Astoria” vendosën: 13. Monsinjor Nikoll Kaçorri, 14. X. Shnatoja, 15. Ahmet Bej Zogu, 16. Kolë Ujka, 17. Ahmet Resuli, 18. Emin Voskopoja.

III. Në hotelin “ Erzherzog- Carl” vëndosën: 19. Musa Juka, 20. Hysni Curri, 21. Hasan Ahmeti, 22. Sali Mani, 23. Gjelosh Gjoka, 24. Vat Marashi, 25, Abdi Kola, 26. Dedë Coku, 27. Ndue Gjoni, 28. Zef Noci. IV. Në hotelin “ Maissil-Schadn” vëndosën: 29. Lef Nosi, 30. Mano Bej Mehmeti, 31. Sali Spahija, 32. Elez isufi, 33. Zejnel Aga, 34. Mehmet Esati, 35. Musa Maci, 36. Dhimitër Lavda*. (*. Shih detalisht: Eqrem Zenelaj, Çështja shqiptare nga këndvështrimi i diplomacisë dhe gjeopolitikës së Austro-Hungarisë 1699- 1918, Prishtinë, 2010, f. 629-630 gjerësisht).

KONFERENCA E KRUJËS E ESAT PASHËS 1 SHKURT 1915

Derisa Esat Pasha po luftonte që t` i mbetet besnik Marrëveshjes Nishit më 1914 me Nikolla Pashiqin, Musa Qazimi dhe eksponenti i tij Haxhi Qamili po derdhnin gjak për ta kthyer tokën shqiptare sërish në pushtetin gjakatar osman. Një përpjekje e tilli ishte thirrja e sërishme e një Konference në Krujë më 1 shkurt 1915. Kuptohët se këtë pazar që bëhej në emër të “Islamizmit” do ta prishë Italia duke fituar treva të reja në pjesën Lindore të Adriatikut. Italia sidomos do të përqendrohet për ta zotëruar Krahinën e Vlorës. (Shiqo: Traktati i fshehtë i Londrës më 26 prill 1915).

Meqë pushtimi i Austrisë në tokat shqiptare shënon fillimin e vitit 1916, Esat Toptani do të arratisët në Itali. I braktisur nga Italia pashai tradhtar, do të vendoset një kohë në Francë dhe pastaj në Greqi. Kuptohet, se këtë lëvizje e varrosi për toke aktiviteti i Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Bajram Currit dhe Elez Isufit, të cilët organizuan Frontin e sulmit kundër Serbisë në vijën: Plavë-Guci-Pejë-Gjakovë-Prizren-Dibër. Po në këtë kohë ndodhë lufta e Çanakalas ku marrin pjesë mbi 30 000 shqiptarë, nga të gjitha viset shqiptare, prej së cilës 2/3 ishin nga Shqipëria Bregdetare. Në lidhje me këtë, deri sa në frontin kombëtar të organizuar nga Hasan Prishtina marrin pjesë afro 6000 kreshnikë shqiptarë, kryesisht nga Vilajeti i Kosovës dhe Vilajeti i Manastirit, në frontin për të luftuar për “Baba Dovletin” merrnin pjesë gjashtë herë më tepër shqiptar. Ç` është e vërteta, frontin e Hasan Prishtinës me qendër në Tropojë nuk e përkrahu Vjena sinqerisht, sepse provoi ta okupoi tokën shqiptare dhe mos t` i prishë marrëdhëniet me Bullgarinë aleate, që e kishte në okupim Shkupin dhe Elbasanin, pra dy arteriet kryesore të Arbërisë.(Shiqo: Akademik Bogumil Hrabak, Albanski front protiv Srbije 1916 godine).

KONGRESET TJERA SHQIPTARE QË PËRFUNDUAN ME NDASI TË THEKSUARA 1918-1941

KONGRESI I SHKODRËS 1 MAJ 1918

Nga tubimi në Shkodër do ta lind një parti politike me emrin Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, parti kjo që ishte esencialisht në luftë të pa shpallur deri më 1941 me Mbretërinë e Karagjorgjeviqëve serbian. Mu për këtë rreshtim Komiteti i Kosovës do ta marr një pjesë të meritave historike në Kongresin Kombëtar të Lushnjës. Kjo parti në rrafshin diplomatik tregohet e kufizuar. Prandaj sipas burimeve shumë më tepër ka kontribuar në çështjen kombëtare Qeveria pro italiane e Turhan Pash Përmetit, se sa ajo e Sulejman Delvinës që doli nga Kongresi i Lushnjës. Pra duam ta theksojmë se shqiptarët nuk flisnin me një zë.

KONGRESI I LESHNJËS 21 NËNTOR 1918

Kongresi i Leshnjës përbrenda kishte premisa islame (religjioze) mjaftë të theksuara tinëzare, për faktin se Sulejman Delvina nuk dinte shqipen sa e si duhet. Madje ai nuk dinte të shkruaj shqip fare. Megjithë këtë prania e Hoxhë Kadrisë në Qeveri ishte sado pak simbol i shpresës për Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin dhe çështjen e tokave të okupuara siç ishte Vilajeti i Kosovës, Manstirit, Shkodrës dhe Janinës.

KONGRESI I SHKUPIT 17 DHJETOR 1919

Historikisht Hasan Prishtina dhe Nexhip Draga nuk e kishin një koncept të ndërtimit të shtetit shqiptar. E vërteta, jeta e “përbashkët” në Parlamentin osman (1908-1911), qëndrimi ndaj Serbisë dhe Malit Zi (1912-1915), jeta e kombit nën Austro Hungarinë dhe dallimet esenciale në mes qëndrimit politik të Komitetit Kosovës (ku ishte tërësisht Hasan Prishtina) dhe Komitetit Shkupit (Xhemjeti- i themeluar më 17 XII 1919 në Shkup) në mes Hasanit dhe Nexhipit do të shpërthejnë dallime të mëdha, sa që Hasani “ilegalisht” do t` i drejtohet më 1 maj 1920: “Hazretleri –Zotëri Nexhip Bej, kurrë nuk të di që ke pirë raki, por si duket të ka nxënë pa pirë fare. Me Serbinë (jugosllavë) nuk ka jetë politike në një gojë. E e shef ore Zotëri (Hazretleri) se si të kanë trullosur sllavët. Ke pranuar emrin e partisë tyrqe: Xhemjet, për çka mileti nuk e din çka do të thotë. Ke pranuar emrin e gaztës “HAK”, për çka mileti as nuk dinë të lexojë e as nuk i shërben adresës sepse ne e bërëm alfabetin më 1908, dhe tash duhet të shkrihemi në te dhe për te, për ta faktorizuar. Pse lejon të kthemi në kohën e karamajmunëve. Në anën tjetër, sado Komiteti i Shkodrës të jetë efikas përmes Azem Bejtë Galicës dhe Bajram Currit e Bedri Pejanit, Nikolla Pashiqi po alarmon nëpër Avropë se shqiptarë:“kanë pari dhe gazetë që distribuohet nëpër të gjitha viset ku shtrihen myslimanët. E popull mysliman nuk mund të gjenet askund në Glob. Mbes me shpresë që t` i tuboni mëndët rreth Flamurit të Skënderbeut, për të cilin Flamur kemi bërë burg bashkë në Kalemegdan më 1912/1913, të cilin aq mirë e pati shpaluar Hazretleri Ismail Qemali në Vlonë më 28 XI 1912”.

Po, kongresi i Shkupit e ka pas një të mirë. Ka mendua shqip, ka folë osmanisht dhe ka vepruar turqisht, që do të thotë ka punuar disi mbrapsht, duke e përfaqësuar por si Kryetar ai me origjinë nga Kosova –Nexhip Draga, nënkryetar ai me origjinë nga Tetova-Sheh Sadudini dhe duke mbajtur sekretarinë i ndrituri Aqif Blyta nga Pazari i Ri- të tria krahina të Shqipnisë etnike. Po kjo numri nuk mjafton sepse e keni votuar Kushtetutën e Vidovdanit në plotëni. Atë Kushtetutë nuk e kanë votuar sllavët që quhen: Kroatë dhe Slloven. Pra kur u transferuat dhe u bëtë më katolik se Papa. Po tregon pozita e shqiptarëve nëpër katunde sidomos të Kosovës dhe Manstirit.” (shiqo: DASIPB, Koleksioni J. Jovanoviq-Maramba, Albanski stihovi, pesme i psima).

ÇËSHTJA SHQIPTARE KA LËVIZ NËPËR TEHUN E THIKËS MË 1920-1941

Prani i Shqipërisë në Shoqatën e Kombeve ndodhë më 17 dhjetor 1920. Në votim 35 shtete ishin për pranim të Shqipërisë në Shoqatën e Kombeve, 7 vende abstenuan dhe 7 mungonin. E vërteta, Shqipëria u pranua në Shoqatën e Kombeve, por brenda saj do të fillojë një luftë shumë e egër për pushtet, ku agjenturat sidomos ato serbe do të inskenojnë krizë pas krize, krejt me qëllim që çështja e Kosovës dhe Çamërisë mos të vihet në rend dite. Në lidhje me këtë, themelimi i Zonës Neutrale të Junikut ishte një thikë pas shpine për Komitetin e Kosovës, për faktin se aty u tubuan të gjithë prijësit e rezistencës. Aty do të infiltrohen shumë agjentë me emër dhe mbiemër të njohur për intriga. E vërteta, të gjithë intrigantët ishin shqiptarë nga Kosova dhe Mirdita.

E vërteta, për të drejtën e Shqipërisë për kufijtë etnik e ka mbajtur në gjendje mobile Komiteti Mbrojtja Kombëtar e Kosovës, përmes peticioneve drejtuar Shoqatës Kombeve në Gjenevë. Lidhur me këtë realitet, dokumentet më reprezentative ishin peticionet e Hasan Prishtinës më 1927, 1929 dhe 1930. Në këtë drejtim është vepër historike edhe reagimi i tre priftërinjve shqiptar (Kurti, Gashi dhe Bizaku) që me një peticion dokumentar të tregojnë pozitën e shqiptarëve në Mbretërinë Jugosllave më 3 maj 1930. Në lidhje me këtë deri në fillim të Luftës Dytë Botërore, çështjen shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë e përcjellin pazaret e Jugosllavisë me Turqinë: Më 1933 kur aprovohet Marrëveshja, që sipas modelit grek të ndërrohet popullsia. Por, me që Jugosllavia nuk kishte popullsi të krishterë në Turqi, më 1934 do të përpilohet Konventë e re, që sipas modelit Rumun popullsia shqiptare do të lëvizë nga trojet e veta në drejtim të Turqisë, pa asnjë lloj kompensimi. Me që edhe ky pazar nuk dha rezultate, do të fillojnë bisedimet intensive deri më 11 korrik 1938, kur aprovohet Konventa që e obligon popullsinë shqiptare në tërë Jugosllavinë që të vendoset në Tyrqi duke filluar nga 1 prilli 1939 e deri në qershor 1944, kur nuk duhej të mbetet asnjë familje shqiptare në Shqipërinë Kontinentale. Këtë pazar të “shekullit” e pengoi okupimi italian i Shqipërës më 1939, por e shpëtoi pastaj edhe okupimi gjerman i Jugosllavisë më 1941.

Gjatë okupacionit do të duken çarjet e mëdha politike brenda shqiptare. Një pjesë e parisë politike shqiptare do të plasohet në “prehër” të okupatorit, një pjesë do t` ia mësyjë istikameve dhe do të luftojë me të gjitha mjetet politike dhe ushtarake për çlirim. Por ajo luftë në fund do ta tradhtohet, ose do të tradhtojë, sepse Kosova dhe Çamëria mbetën treva shqiptare të okupuara.

PERIUDHA E PAS LUFTËS DYTË BOTËRORE DHE PRAPASKENAT

SI TRADHTOI PARIA POLITIKE E KOSOVËS

Në rrafshin politik çështja shqiptare do të lëvizet qysh më 1941 me moton: Dy republika (shtete) shqiptare një komb. Këtë vizatim strategjik e gjejmë në Rezolutën e PKJ e dalë nga Kongresi i katërt i mbajtur në Drezden më 1928. Aty tekstualisht thuhet se Kosova duhet t` i bashkëngjitët Shqipërisë, sepse Jugosllavia është krijesë artificiale e sajuar në sallonet diplomatike me pazare të ulta në Versaj më 1919. Prandaj, PKJ do të taktizojë për çka nuk do të mbahet rastësisht një lidhje “organike”, në mes PKJ dhe PKSH, gjithnjë duke e mbajtur çështjen e Kosovës temë kujdestare, por në stilin “Livadhin së bashku, por prodhimin gjithmonë mua”. Në lidhje me këtë, kulmi i dialogimit të Ëështjës Kosovës ndodhë më 1942 (25 maj- gusht) kur Dushan Mugosha nga Shqipëria me Vasil Shanton do të shkojë në takim me KQ PKJ në Bosnje. Prej kësaj kohe, të gjitha pazaret e Drezdenit do të vijnë duke u falsifikuar, ndërsa kulmi do të arrihet më 2 shtator 1944 kur Shtabi Suprem i Jugosllavisë (Tito) e degradon Shtabin Kryesor të Aradheve Partizane Nacionalçlirimtare të Kosovës në Shtab Operativ nën ombrellën e Shtabit Kryesor të Serbisë. Dhe nuk është e rastësishme që më 8 shkurt 1945 në krye të Ushtrisë Kosovës emërohet Sava Derleviq (serbian), kurse më 31 mars 1945 në krye të partisë emërohet Gjoka Pajkoviq (malazez).Me këtë çështja e Kosovës mbetët temë kujdestare politike dhe luftarake deri më 1999.

SI U TRADHTUA PARIA POLITIKE E SHQIPËRISË

Nuk është e vërtetë së Lufta antifashiste shqiptare ka qenë segment i lojës së vogël në pjesën e madhe të luftës. Përkundrazi, shkuarja e Bedri Spahiut, Ramandan Çitakut dhe Frederik Nosit (përkthyes) për t` u takuar me Shtabin e Aleatëve në Bari të Italisë ku arrihet pëlqimi më 24 gusht 1944, që t` i ndihmohet Luftës antifashiste në Shqipëri dhe në Kosovë përmes krijimit të Frontit Dytë që do të hapëj sa më shpejt në Ballkan. Nga ky Shtab do të merret instruksioni fiks: “Mos e goditni Abas Kupin dhe Emrush Miftarin.”Ky fakt zbulon diçka spektakulare si qëndrim politik të Anglo-Amerikanëve, se pas çlirimit nuk do të pajtohen që në politikë të konkurroj vetëm PKSH-Fronti Popullor, që në prezantimin e kombit të inaugurohet vetëm Shqipëria por edhe Kosova. (shiqo: Stenogramet në A KQ LKJ Beograd 1944).

Për fat të keq vizita e Delegacionit shqiptar më 26 gusht 1944 në Vis me përbërje: Bedri Spahiu, Koçi Xoxe, Ramadan Çitaku, arrihet marrëveshja shtesë dhe më konkrete: “Nëse Shqipëria pas çlirimit ndërton sistem socialist, Kosova i takon Shqipërisë; Nëse Shqipëria ndërton sistem shumëpartiak, Kosova i takon Jugosllavisë”. Në bazë të studimit të koleksioneve të spiunazhit ndaj Enver Hoxhës nga: Kreta, Nishi dhe Gerumi, prej kah të gjitha informatat tuboheshin në Stamboll, dhe prej andej përmes Klubit Asime Kosovës plasoheshin në Uashington, provojmë ta nxjerrim qëndrimin e Perëndimit ndaj Shqiptarisë-Shqipërisë Bregdetare dhe Shqipërisë Kontinentale. Atëherë më së shumti duhet besuar nëse i referohemi Informatës nga Rederik Beuli, i cili ishte përfaqësues i Mbretërisë Bashkuar në Konferencën e Bujanit më 31 dhjetor 1943 dhe 1-2 janar 1944, e që shkruan se: “Shqipëria po bëhet dhe ky realitet është interes edhe i Mbretërisë Bashkuar”.(Beili ishte në Bujan si përfaqësues Anglo-amerikan; kurse Shmit Huber ishte përfaqësues Gjerman në Lidhjen e Dytë të Prizrenit 17 shtator 1943). Kush e humbi luftën dhe kush fitoi dihet.

TRADHTIA ISHTE EVIDENTE NGA INSTRUKTORËT E PKJ-ËS 1941-1945

Udhëheqësi ANÇSH do të tradhtohet përmes të ashtuquajturve instruktorë të KQ PKJ të cilët flisnin për drejtësi dhe barazi në mes popujve të Ballkanit, gjithnjë në emër të Kominternit e kjo organizatë nuk dihej në Shqipëri se kishte pushuar së ekzistuari qysh më 1943. Kjo do të thotë se M. Popoviqi, D. Mugosha, S. V. Tempo, Velimir Stojniqi, N. Dizdareviqi, P. Zllatiqi e të tjerë gënjenin se jemi të deleguar të Kominternit dhe të PKJ-ës, për Çështjen shqiptare. E vërteta, tërë lufta zhvillohej në dy fronte: për luftë kundër okupatorit dhe për luftë përçarëse dhe iluzionistë shqiptare se bashkimi i trojeve shqiptare do të ndodhë, por jo tani. E ajo “jo tani”, ishte luftë për të blerë kohë dhe gjeometri tokësore. Madje kjo llogari pati shkuar deri aty sa që Shqipëri mos të ketë fare si alternativë ekstreme e qarqeve serbe, por si alternativë e zbutur Shqipëri do të ketë por me sovranitet të kontrolluar dhe ata që e pranuan këtë pazar shumë shpejtë do të identifikohen, gjykohen dhe dënohen me pushkatim si: Koçi Xoxe e rend deri më 1981, pa “shkëputje nga puna”.

TRADHTIA E APOSTOL TANEFIT ISHTE TRADHTI ME KAMATË

Likuidimi i Koçi Xoxës në Tiranë e dëshpëroi klubin e Titos tej mase, sepse shpresonte se përmes tij të sillet me shqiptarë si me një “lodër të fëmijëve” lazdrana. Kuptohet se në këtë tradhti morën pjesë Lindja dhe Perëndimi. Nga çarqet Perëndimore do të themelohet qendra e spiunazhit dhe kontrabandës kundër Shqipërisë me qendër në Kretë. Këtë qendër e subvenciononte CIA dhe Shërbimi inteligjent i Ahmet Zogollit, i cili e kishte ekspoziturën e vet kryesore në Aleksandri të Egjiptit. Në subvencionim merrte pjesë drejtë për drejtë edhe Shtabin i Mbretit Faruk, i cili do ta pajtojë Mbretin Zog me Mbretin e Italisë Viktor Emanuellin.Në Aleksandri vinte edhe mbreti i Bullgaris Borisi, për “ndonjë lojë bixhozi” siç thuhet në informatën 05/49-53. Por, shënimet kryesore nga Kreta i merrte edhe Shtabi i Titos me shifrën: “Njohtim zyrtar”, vetëm për Plakun”! Në atë letërkëmbim lëvizet edhe çështja e Qeverisë Apostol Tanefit në Shkup, por që shumë shpejtë iu ndërpre financimi.

QENDRA E SPIUNAZHIT ANTISHQIPTAR NË KRETË 1947-1957

Në koleksionin e Kretës gjendet edhe ky shënim zyrtar: “Millovan Gjillasi më 1947 do ta pyet A. Rankoviqin, me rastin e zbarkimit të gjeneralit Kupreshanin në Korçë kënd do ta emëroni drejtues shteti në Tiranë? A. Rankoviq i përgjigjet: ‘Pas konsultimit me shtabit e oficerëve që janë të veshur si popa, kemi qëndrimin që ta merojmë djalin e Cena Begut. Po në atë koleksion janë të shënuara edhe forcat politike shqiptare me të cilat do të zhvilloheshin pazare shumë të lehta si: me Zogistët e Veriut, Ballishtës e Jugut dhe Xhafer Devistët e Kosovës. Për ta lehtësuar aksionin “Fshisa në Jugsllavi” (është fjala për spastrimin e shqiptarëve, duke i deportuar në Turqi, për çka po punohej me “gazetarin” Hulusi Kejnanin) thuhet se “së pari duhet neutralizuar Ballistët sepse shtabet e tyre janë me plotë intelektualë. Së dyti, duhet sulmuar Devistët sepse i kanë përparësitë në banditizëm dhe mund të na e kthejnë sherbimin në bumerang. Pra assesi nuk duhet t` i forcojmë kosovarët me asnjë çmim. Të fundit duhet neutralizuar Zogistët, të cilët aspirojnë nishane dhe grada politike, e ku prijnë disa bajraktar katolik”.(Koleksioni i Titos i sajuar nga V. Dedieri 1979).

AGJENTËT E PAFAT-GJELAT NË PLEH!

Lidhur me këtë, çështja e Zenel Shehut, Hamit Matjanit, Muharrem Bajraktarit, Ibsen Toptanit, Gaço Gogës, Hasan Dostit, Alush Leshnakut, Abaz Kupit, Abaz Ermenjit,Prenk Pervizit, Kolë Bib Mirakës është kryekëput “çështje e CIA-s më 1951. Ndërsa UDB-a në këtë aventurë anti shqiptare është vetëm një lloj zagari i gjuetisë, por mjaftë për të siguruar informata, të cilat janë më koncize nga të mbledhurat në kampin e Nishit.

QENDRA E SPIUNIMIT ANTI SHQIPTAR NË NISH 1948-1958

Nëse lexohen me kujdes informatat që i tubonte Shtabi i Dushan Mugoshës në Nish, duke punuar për interesa të CIA-s nga ana jugosllave, kuptojmë se: “Ata të arratisur kanë synim ndërrimin e sistemit në Shqipëri dhe sjelljen e jugosllavëve për pozita dahinjësh në fronin e Tiranës”, do të shkruaj Gjeneral Veli Dedi, në një prononcim sekret më 1952. Së këndejmi, botimi i Bejtullah Destanit, DOSJA AMERIKANE për SHQPËRINË KOMUNISTE, Prishtinë 2023, pas leximit me kujdes të veçantë,shihet se është një ngarkesë e druve në qerre parë e prapë, por drutë nuk janë paluar si duhet dhe kujt i dedikohen për ngrohje”, sepse nuk janë botim kritik, sepse mungon koleksionin i Nishit, i Gerumit dhe i Kretës, sepse janë të seleksionuara nga Shtabi i Asime Kosovës në Stamboll nga Zëri “Lidhja Kosovare”, por mbi të gjitha edhe nga Shtabi i Xhafer Devës i cili më 1973 themeloi Lidhjen e Tretë të Prizrenit në ShBA. Shtohet pyetja: a e dinte CIA biografinë e Devës. Po, detalisht por kishte zotëruar mendimi se agjentes antidemokratik të shpërndarë është vështirë t`i përcjell çdo shërbim, aq më parë kur janë shqiptar. Pra, përcjellja është më mirë të ndodhë kur të vijnë në Shtabin e Devës, të gjithë tokë”.(Dokumnete të siellura nga Prof Dr Zhivko Avramovski).

Me gjithë këtë, Çështja e Kosovës më 1953 do të quhet: “Çështje e mbyllur” pasi që ishte lidhur Marrëveshja me Turqinë, për deportimin e Shqiptarëve në Anadolli. Atje në Vilajetin Mysh ishin ngritur me mija koliba për muhaxhirët që do të instaloheshin nga Kosova.(Marrëveshja Xhentëlmenë në KEF /1953, sekret shtetëror).

Ndërsa Çështje Shqipërisë do të quhet “Çështje e Mbyllur” në dosjet e CIA, UDB dhe MI6, pasi që Shqipëria ishte pranuar në OKB dhe në Paktin e Varshavës më 1955. Nuk kishte më pazare me Tiranën dhe për Shqipërinë. Atë botë në Jugosllavi dhe Londër, sipas dokumenteve të tyre, do të vjen deri te një kundërshtim në mes Eduard Kardelit dhe Dobrica Qosiqit, që meriton për t` u hutuar se ku ishte Tirana dhe ku Prishtina. Me që E. Kardel i kishte thënë autorit të romanit “Dielli është larg”, se Ti je rrenci më i madhë”. Qosiqi ishte përgjigjur: “Rrena është virtyti më i mirë i popullit serb. Ne rrejmë për të mashtruar dhe vetëm për t` i ngushëlluar të tjerët, ne rrejmë për të kërkuar ndjesë, falje, ne rrejmë për të luftuar kundër frikës, rrejmë për ta maskuar mjerimin tonë. Rrena është një formë e patriotizmit tonë, dhe me të vërtetojmë inteligjencën tonë. Ne rrejmë me imagjinatë në mënyrë kreative”. Për këtë bordel “kreativ serbian, E Kardel do të përgjigjet: “Në letërsi lejohet trillimi-rrena, por në histori nuk lejohet sepse dokumentet pastaj ju demantojnë fillim e mbarim”.

Në lidhje me këtë, në një plenum të LKJ-ës mbajtur më 1957 “ilegalisht” E. Kardel do të shpalos tërë mendimin e tij se çka do të ndodhë me Jugosllavinë, e cila për çdo ditë ëndërron se si të “gëlltitët Shqipëria e ndonjë pjesë e shteteve fqinje”. Aty E. Kardel do të thotë: “Është e natyrshme që ne sllovenët dhe kroatët një ditë do të shkojmë kah Austria dhe Italia, Ndërsa ju serbët aspironi kah Rusia dhe Bullgaria”. D. Qosiq nga salla: E shqiptarët kah do të anojnë në të ardhmen? E Kardel shumë në qetësi: “Po, jeni kah bëni pazare me turkun dhe po i shpërngulni në Turqi me lloj-lloj intrigash dhe premtimesh. Shqiptarët po bëhen arrë shumë e fortë, posaçërisht pas pranimit në OKB. Pra nuk do të mundemi për t` i minuar, sepse ata aspirojnë bashkimin kombëtar për çka sipas parimit Leninist kanë të drejtë”.

QENDRA E SPIUNIMIT NË GERUM TË TRIESHTËS 1949-1989

Qendra e spiunazhit jugosllav kundër shqiptarëve në Trieshtë ka funksionuar deri më 1989. Por financimi i është ndërprerë nga jugosllavët më 1960, atëherë kur Shqipëria del de fakto nga Pakti i Varshavës. Ky realitet ishte shumë i guximshëm dhe duhet vlerësuar rreshtimin shqiptar, do të shkruaj E Kardel. E vërteta, në Kosovë do të shënohet më 1960 një pikënisje epokale: Do të fillojë hapja a fakulteteve në gjuhën shqipe. Do të fillojë në Beograd loja për decentralizimin e federatës, qëllim ky që do të shpërthej prapë në Plenumin e LKJ më 1962. Nga kjo kohë finasimin e Qendrës spiunazhit në Gerum, do ta menagjojë MI6 dhe pjesërisht një ekspoziturë agjenturore greke, realitet ky që do të mbyllët më 1989, përgjithmonë.

FUNDI I LUFTËS SË FTOFTË DHE ÇËSHTJA SHQIPTARE

Në këtë nye shtrohet një pyetje thelbësore. Kur do të largohet shqiptaria nga sanksionet e kohërave të kaluara dhe kohërave të përtashme, të cilat janë lokalizuar në dy nye neuralgjike, sidomos ndaj shtetit të Kosovës. Dhe pse mos ta themi kur kemi fakte, se momentalisht, kundërshtari më i egër ndaj shtetit të Kosovës është shteti i Vatikanit. Në rend të dytë vijnë Rusia, Irani dhe Palestina.

Lufta e Ftoftë është manifestuar pas Luftës së Dytë Botërore në rrafshin politik dhe në rrafshin ushtarak. Si rrjedhojë e këtyre pozicioneve gjeostrategjike dhe ideologjike ka ardhur deri te forcimi i luftërave lokale, mbi kurrizin e të cilave kanë kalëruar dy blloqet: I NATO-s (1949) dhe i Varshavës (1955). E vërteta, tërë muskulatura e forcës në mes këtyre dy blloqeve është vizatuar në dy rrafshe të Evropës dhe pastaj segmente të atyre kundërthënieve janë manifestuar në Azi dhe Afrikë, të cilat flenë mbi ari por që kanë mbetur më të varfrat në Botë. Segmenti i parë i mbajtës së muskujve ishte Muri i Berlinit. Segmenti i dytë në të cilin është investuar kot për disa dekada është kufiri shqiptaro-shqiptar. Kjo bela e ndau Shqipërinë më 1913, vetëm pse pjesa dërmuese e shqiptarëve ishte e religjionit islam. Ndërsa në rastin e Murit Berlinit u dënua populli gjerman,jo për shkak të religjionit, por për shkak të ideologjisë nazifashiste. E vërteta, plaga gjermane filloi të mbyllët më 1975 kur Vili Brant u përkul simbolikisht para viktimave të hollokaustit. Ndërsa fundi pasoi më 1990 kur ra perdja e komunizmit në Rusi dhe Muri i Berlinit mbeti si një “përrallë tragjike”, që e bren çdo liridashës.

Plaga shqiptare në anën tjetër mbeti varrë që kullon ende, edhe sot. Pse?Kjo plagë nuk është e theksuar tani për tani në luftë për Sazanin për çka i mbajtën shigjetat italianët dhe grekët (1940), por Lufta për Urën e Ibrit sot që e ka ndarë një qytet sikurse Berlini, e që ka për prapavi dominimin mbi xehet në basenin e Trepçës, është diçka më tepër se politikë. Në lidhje me këtë mbajtja e muskujve në urë, është një luftë e maskuar, sepse ende nuk është gjetur ndonjë qeveri marionetë e sigurt që e jep më lirë tërë basenin e xeheve, ëndërr kjo që nuk ka teori që do të realizohet. Në lidhje me këtë më 24 shtator 2023, pati një orvatje që “Çështja e Urës” të mbyllët me një luftë rrufe serbe, por siç treguan ngjarjet u mbeti arra në fyt atyre që planifikuan. Ky fakt disi tregoi se Banja nuk ka qenë ndonjë skenar origjinal, nga ai që e prodhoi Srebrenicën më 1995 kur ushtarët e Holandës u lidhën me mjete speciale për parmakët e urës mbi lum. E vërteta, rasti i Vagnerit në Rusi nuk është shpalosur prandaj edhe rasti i Radojçiqit në Kosovë, po luftohet të mbetët enigmë.

Të përfundojmë. Dëmet ne shqiptarët që ia kemi bërë veti kanë pasur një rrugë të gjatë. Kur do ta kuptojmë se në shumicën e etapave historike kemi “notuar” në rreth të thatë, nuk duhet pyetur krerët politik partiak e as ata që ishin e janë në fronin e shteteve. Për këtë plagë duhet pyetur arkivat ku flenë planet ogurzeza të spiunëve që shitën për pak para, pa menduar se një ditë do të zbulohen të gjithë duke i lërë familjes faqe të zezë e kombit me mija e miliarda dëme kolaterale.

Shkirimi i kushtohët: Hasan Prishtinës, Ismail Qemailit, Adem Demaçit e Adem Jasharit me Gjergj Fishtën e Fan Nolin, për t` u ngjallur dhe për ta bërë një lutje në Krujë, në mënyrë që shqiptarët ta kanë një betim në besë, një gjuhë, një flamur,një kryeqytet, një shtet, një hymn,një qeveri, një fe monoteiste dhe një akademi kombëtare. Na presin shekujt apo dekadat, varet si jemi të organizuar!

Më 6 gusht 2024