Mediokriteti intelektual në boten shqiptare

Mediokriteti intelektual në boten shqiptare
Mediokriteti intelektual në boten shqiptare

Fadil Maloku

  • 07 August 2024 - 12:34

Shkruan:Sociologu- Fadil Maloku 

 

1. Bota shqiptare sot është pothuajse e privuar totalisht nga një qasje intelektuale për fenomenet dhe proceset nëpër të cilat po gjëmon si Kosova ashtu edhe Shqipëria. Në fakt, ekziston një bollëk akademikësh dhe burokratësh, profesionistësh dhe studiuesish, madje edhe një mori shkencëtarësh dhe teknologësh që dosido me të arriturat e tyre intelektuale kanë bërë emër brenda dhe jashtë, por që figurojnë vetëm me mungesën dhe indiferencën e tyre totale. Sociologjikisht, mund të thuhet se kjo po ndodh edhe për shkakun se shoqëritë tradicionale, që përfituan nga mbijetesa e tyre përmes figurave klasike e historike dosido ishin në thelb antiintelektuale, e për të mos thënë herë herë edhe antikombëtare...! Themi kështu, ngase, shumica e formave dominuese të mendimit kreativ në periudha të historisë e shoqërisë shqiptare, ishin ndërtuar, rindërtuar diku diku edhe amputuar jo përmes normave dhe parametrave standarde të akademizmit të njëmendët, po përmes servilizmit ideologjik apo edhe poltronizmit mediokër sociopolitik. Në fakt duhet thënë troç; "odisejadat" e formimit të tyre intelektual, ishin armiqësisht anti-intelektuale.

Pse e themi kështu? Një arsye e fuqishme duket se “banon" ende te imitimi i verbër i normave dhe standardeve kulturore të pushtuesve jo të pakët gjatë historisë sonë të mëkëmbur e të nënshtruar. Histori kjo që në vend që të "prodhoj" ide, koncepte e korniza me dimensione gjithëkombëtare, u vetëkënaq përkohësisht me imitimet dhe mentalitetin e të qenit rob i sistemeve vlerore të huaja. 

 

2. Pra, mungesa e tipit të intelektualit largpamës, bëri që ata në emër të përshtatjes së sistemit vleror të huaj, të mos arrijnë të dalin nga lëvozhga e normës dhe ndikimit nënshtrues. Tragjika e këtij perceptimi miop dhe historie të akomodimit dhe përshtatjes me sistemet vlerore për rreth, na ka bë që edhe sot e kësaj dite kemi mbetur në të njëjta "koordinata" servile e poltroniste! Mungesa e tmerrshme e intelektualëve në shoqëritë aktuale shqiptare mund të sqarohet edhe me faktin se edhe ata pak "pretendent" që ekzistojnë, e kanë tradhtuar misionin e tyre fisnik; ata edhe sot në vend që të fillojnë të ndërtojnë vizionin për të ardhmen e kombit dhe shtetit gjithë shqiptar, vetëkënaqen me avokime ideologjike e me gjyqësi shekullariste të kohës... 

 

3. Në definimin e intelektualit largpamës shqiptar, ne duhet së pari të bëjmë të ditur se nuk po themi që ky tip intelektuali është apo duhet të shndërrohet në një krijesë mitike e tëhuajsuese që aspiron e udhëhiqet ekskluzivisht nga joshjet dhe ngarkesa praktike e pragmatike që i servon politika dhe bartësit e saj, por, për një tip që e kupton dhe e emancipon boten reale dhe në bazë kësaj përvoje e ndërton, e skicon e kornizon po edhe e projekton rolin dhe të ardhmen e kombit dhe shtetit tonë të përbashkët. Intelektualit të sotëm shqiptar nuk duhet t'i interesojnë idetë e reja krative për hir të vetë ideve si nevojë sublime, por, duhet të hulumtoj ide të reja që qojnë kah reformat dhe ngritja e mendimit dhe kriticizmit social, gjykimit politik, synimeve gjeopolitike dhe ambicieve gjeostrategjike të kombit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".