Mos hapja e Urës, mashtrim apo dështim i shtetit!?
Florim Zeqa
Shkruan: Florim Zeqa
Dështimin e kryeministrit Albin Kurti për hapjen e Urës mbi lumin Ibër është duke e shfrytëzuar për mrekulli presidentja Vjosa Osmani me marketing politik, të kinse ruajtjes së raporteve me ndërkombetarët, e ndarë dhe e përqarë me kryeministrin e vendit.
Presidentja mes mitit dhe realitetit
Ditën kritike kur pritej të hapej Ura mbi lumin Ibër, Vjosa Osmani e zgjodhi një vizitë të (pa)paralajmëruar në një aktivitet fetar në Letnicë të Vitisë, për të shënuar festën e figurës mitologjike të ‘Zojes së Madhe’!
Nga aty Vjosa Osmani shpërtheu me entuziazëm për mos hapjen e urës, duke falenderuar miqtë ndërkombëtar të Kosovës, në veçanti KFOR-in amerikan dhe duke sulmuar BE-në dhe zëdhënësin e saj, sllovakun Peter Stano.
Vjosa nuk u ndal më kaq, ajo vazhdoj me fjalë të mëdha trimëruese, duke u munduar të anashkalojë rrezikun nga fqinji ynë verior: “Askush nuk e pyet Serbinë për hapjen e Urës, ajo do të hapet në bashkëpunim më ndërkombëtarët, etj, etj.”
E unë nga këtu do t’i parashtroj pyetjen zonjes presidente, kush është tjetër pos Serbisë që e pengoj kësaj radhe hapjen e Urës mbi lumin Ibër?!
Nuk ndodhi përballja përfundimtare me Serbinë!
Shumica e qytetarëve të vendit e kishin krijuar bindjen se paralajmërimet e Albin Kurtit për hapjen e Urës me 15 gusht e kishin mbështetjën e miqve perëndimor të Kosovës, dhe se deklaratat kontradiktore të ndërkombëtarëve rreth hapjes së Urës ishin vetëm kamuflim për konsum politik!
Por, çfarë ndodhi në të vërtetë?
Pikërisht, ishte presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, nga i cili u “tradhtua” kryeministri ynë, i cili me gjasë ishte (vetë)mashtruar nga deklaratat e presidentit serb për hapjen e Urës më 14 ose 15 Gusht 2024!
Mirëpo, një ditë para afatit të paraparë për hapjen e Urës, kryeministri serbë, “e preu në besë” kryeministrin tonë!
Jam thellësisht i bindur se hapja e Urës do ta përshpejtonte procesin e zgjidhjes përfundimtare të pjesës veriore dhe fillimin e konsolidimit të shtetësisë sonë.
Tërheqja nga hapja e Urës sipas planit të paralajmëruar të Qeverisë së Kosovës e vazhdon edhe më tutje "Status quon" në pjesën veriore dhe e forcon akoma më shume pozicionin e Serbisë kundër Kosovës.
Hapja e Urës për qarkullim do të shënonte përballjen përfundimtare me Serbinë dhe qartësonte qëllimin përfundimtar të qëndrimit 25 vjeçar të forcave paqeruajtëse në Kosovë!
Sikurse ajo që ka ndodhur e nuk kthehet pas, nuk do të mund të pengohet as ajo që ka për të ndodhur në pjesën veriore, e zbatimit të marrëveshjeve të arritura nga ajo e Kumanovës së qershorit të vitit 1999 mes gjeneralve të NATO-s dhe atyre të ushtrisë serbe, e kthyer ne marrëveshje ndërkombëtare mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në vitet 2013-2015 dhe marrëveshjen për zbatim të Ohrit të vitit 2023 mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiqit.
Vonesat në implementimin e marrëveshjes së nënshkruar dhe të ratifikuar në Kuvendin e Republikes se Kosoves në vitin 2013, jo vetëm që do ta demtojnë Kosovën, e rrezikojnë akoma më shumë përspektivën euro-atlantike të shtetit tonë!
Pas këtij dështimi të madh, Albini Kurti do të qëndrojë me këmb mbi tokë, duke ju kthyer realitetit të krijuar, për të vazhduar betejën politike për rimarrjen e pushtetit, gjegjësisht për të krijuar aleatë të ri për nxjerrjen nga loja politike Vjosa Osmanin, aktualisht presidente e vendit!
Pra, Ura do të mbetet e mbyllur, kurse problemet tona të brendshme do të rihapen sikurse ‘Kutia e Pandores’.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".