Harrohet Ura, zgjedhjet prioritet i politikës kosovare!

Harrohet Ura, zgjedhjet prioritet i politikës kosovare!
Harrohet Ura, zgjedhjet prioritet i politikës kosovare!

Florim Zeqa

  • 17 August 2024 - 16:54

Shkruan: Florim Zeqa

Paralajmërimet e kryeministrit Albin Kurti për hapjen e Urës kryesore në Mitrovicë kishin shkaktuar emocione të thella mës gëzimit, frikës dhe pasigurisë qytetare. Për disa ditë e javë rresht, qytetarët e Mitrovicës dhe mbarë Kosovës ishin nën ankthin e pritjes, se çfarë do të sjellë hapja e Urës ndarëse mes serbëve dhe shqiptarëve tani e 25 vite më parë!

E gjitha përfundoj me një mashtrim të madh!

Lëre që nuk iu hjek "duvaku" Nuses (Urës), ajo mbeti nën mburojen e Car Llazarit dhe nën mbrojtjen e KFOR-it italian! Pra, kësaj radhe na shkuan huq të gjitha shpenzimet për kozmetiken e Nuses (Urës) së renovuar!

Sigurisht që në muralet e bardha të Urës së renovuar, serbët dhe shqiptarët do ta kenë më të lehtë që të vendosin grafitet e tyre nacionaliste.

Por, nëse ndodhë që të njollosen faqet (muret) e bardha të Nuses (Urës) nga shqiptarët, këta të fundit do të ndiqen penalisht nga shqipfolësit dhe nderkombëtaret, ngase serbët sikurse deri më tani do të mbesin të pandëshkuar!

Shpallja e zgjedhjeve si shpëtim për konfrontim

Pas shpalljes së ditës së zgjedhjeve më 9 shkurt 2025, ne shqiptarët nuk kemi më kohë të merremi me Urën, pasi prioritet i kemi zgjedhjet pas 6 muajve, të caktuara nga "shefja" e shtetit në “koordinim” me partitë politike!

Deri atehëre, në Veri le të ndodhë çfarë të ndodhë, politikanët tonë nuk kanë kohë për të humbur, e aq më pak të merren me Urën, përveç në situata të nxehta elektorale nën mashtrim për grabitjen e votës së qytetarëve dhe mërgimtarëve!

Shpallja e datës së zgjedhjeve vjen si shpëtim për konfrontim me serbët dhe ndërkombëtarët, si afat kohor që do të sjellë shpresë për një qeveri të re dhe të përgjegjshme, e zonja të përballet me sfidat e kohës dhe problemet e qytetarëve.

Zot mbroje Nusen (Urën) e zbukuruar si "Kalë Troje" në Rripin e Gazes ballkanike mes serbëve dhe shqiptarëve!

O Zot mbroji shqiptarët nga shqiptarët!

Ura do të harrohet, zgjedhjet mbetën prioritet mbi prioritetet e politikës kosovare!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".