Nga rendin aktakuzat ndaj ministrave dhe dostave të qeverisë!

Nga rendin aktakuzat ndaj ministrave dhe dostave të qeverisë!
Nga rendin aktakuzat ndaj ministrave dhe dostave të qeverisë!

Florim Zeqa

  • 21 August 2024 - 14:10

Shkruan: Florim Zeqa

Korrupsioni i lartë ne KEK ka lidhje me qeverinë, ndryshe nuk ka si të arsyetohet mbrojtja që i bën kryeministri shefit të KEK-ut! Vazhdojnë aktakuzat ndaj dostave të kryeministrit, së fundmi Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ish-shefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Punë e madhe për Task Forcën e policisë

Në anën tjetër nga Task Forca po hetohen disa ministra të qeverisë të cilët në mënyrë të organizuar dhe të kundërligjshme, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer vepra penale të dëmtimit të buxhetit të shtetit.

Tashmë askush nuk mund ta fsheh korrupsionin, nepotizmin dhe krimin e organizuar në majat e shtetit, pasi ai është prezent në secilën ministri dhe dikaster qeveritarë, në presidencë dhe parlament.

Do të ishte e tepërt përmendja e emrave të ministrave nën aktakuza dhe të atyre që janë nën hetime të Task Forcës dhe të Prokuroisë Speciale, pasi ata janë çdo ditë prezent në mediat elektronike dhe vizuele (televizione).

Arsye tjetër për të mos përmendur emra të përveqëm, është edhe fakti se tashmë prokuroria është duke u marrur me ta dhe se tanimë ka filluar fushata (mediatike) elektorale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të caktuara për 9 shkurt të vitit të ardhshëm.

Kryeministri që mbron ministrat nën aktakuza dhe nën hetime, nën pretekstin se kinse nuk din gjë për afera korruptive të ministrave të tij, ngre dyshime të bazuara për korrupsion të organizuar qeveritar! Kryeministri që e shan prokurorin e shtetit dhe i mbron të korruptuarit as vet nuk mund të jetë me duar të pastra!

Për fatin e keq të vendit tonë, edhe me këtë qeveri vazhdoj sindroma e korrupsionit të lartë qeveritarë dhe krimit të organizuar nëpër institucionet e larta të shtetit.

“Meritat” për zhvillimin dhe rritjen e korrupsionit nëpër disa ministri i kanë bashkëpunëtorët e brendshëm dhe të jashtëm, më veçanti sekserët e tyre në Diasporë, përmes të cilëve e bëjnë shpëlarjen e parave të pista të krimit të organizuar ekonomik.

Kryeministri që erdhi në pushtet me premtimin e qeverisjes me duar të pastra, rrezikon të largohet nga pushteti me duar të pista! Inkriminimi i kësaj qeverie në korrupsion i shuan shpresat e qytetarëve për ndryshime pozitive.

Shpresa vdes e fundit

Megjithatë, e vetmja shpresë reale mbetet ngjizja e një alternative të re politike, me njerëz të rinjë, të pastër dhe të përgjegjshëm, të papërfshirë në skenën aktuale politike. Mungesa e alternativës së re politike do të ndikojë në rënjen e daljes së elektoratit në zgjedhjet e 9 shkurit 2025.

(Kosova Sot Online)