Me çka do të blihen votat për zgjedhjet e 9 shkurtit?!
Florim Zeqa
Shkruan: Florim Zeqa
Megaskandali i kriminalizuar me veteranët mashtrues e të rrejshëm të luftës çlirimtare është dëshmia e pamohueshme se disa nga ish-komandantët e papërgjegjshëm të luftës çlirimtare, të cilët janë vetë kupola e grupeve të interesit që kanë abuzuar ligjin dhe buxhetin e shtetit për afro 25 njëzet vjet rresht.
Libreza e veteranit i bëri bashkë pacifistët dhe çlirimtarët
Edhe përkundër fakteve të pamohueshme dhe akuzës së ngritur në rokurori ndaj disa eksponentëve të UÇK-së dhe jo vetëm, për mashtrimet kriminale me lista të veteranëve, ku ende nuk është dënuar asnjëri prej tyre, shkaku i interferimit në punën e Prokurorisë së Shtetit nga ish-komandantët dhe të fortët e politikës pacifiste.
Situata e krijuar tregon pamundësinë e ushtrimit të funksionit në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale, gjë që i detyron prokurorët me integritet profesional të tërhiqen!
Në fakt, hezitimi dhe tërheqja e prokurorëve nga kjo lëndë e ndjeshme tregon për dështimin e sistemit prokurorial për të mbajtur në radhët e veta prokurorë të guximshëm dhe me integritet, të cilët janë të gatshëm të përballen me sfidat që prodhon veteranomania në Kosovë.
Veteranët mashtrues janë një armatë e blerë me para të popullit, për vota të partive të kriminalizuara në pushtet dhe opozitë për disa mandate rresht, dukuri e cila është prezente edhe në ditët e sotme.
Lakmia për t’u pajisur me librezën e veteranit mashtrues nuk i kurseu as “pacifistët”, të cilët ditën çirren e shtirren se janë rugovistë, kurse natën bashkohen në ahengje me komandantët e zonave operative, prej të cilëve janë pajisur me çertifikatën e veteranit mashtrues!
Kontingjenti më i madh i veteranëve të rrejshëm është produkt i proceseve elektorale, gjegjësisht i blerjes së votave në këmbim të certifikatës së veteranit nga të gjitha partitë dhe politikanët me dallime të vogla dhe të papërfillshme.
Veteranomania proces i papërfunduar
Ashtu, sikurse në të gjitha proceset në Kosovën e pasluftës, duke filluar nga shpërndarja e ndihmave humanitare, tenderëve, regjistrimet në fakultete, kontrabandimi i votës së lirë të qytetarëve, lidhja e koalicioneve paszgjedhore, ndarja e posteve ministrore dhe ndërministrore, edhe ndarja dhe përzgjedhja e veteranëve të luftës kaloi nëpër të njëjtat "filtra"!
Caktimi i listave të veteranëve të luftës çlirimtare sipas përkatësisë partiake, ideologjike dhe lidhjeve familjare e ka shndërru këtë porces në një "Veteranomani" të vërtetë.
Lënja jashtë listave e veteranëve dhe ushtarëve më të spikatur, pjesmarrës në betejat më të lavdishme të luftës çlirimtare, duke i përfshirë në listat e veteranëve ata që Kosovën e lëshuan të veshur me rroba grash dhe me buzëkuq të nuseve në fytyrë dhe të atyre që s’kanë qenë asnjëherë gjatë luftës në Kosovë, të cilët pas përfundimit të luftës u kthyen si "çlirimtar", e ka lënduar rëndë imazhin e luftëtarit të vërtetë të UÇK-së!
Lavdi dhe respekt për të gjithë çlirimtarët e vërtetë, për invalidët dhe veteranët e luftës çlirimtare që lanë gjymtyrët e trupit në fushat e betejave për çlirimin e vendit. Turp për të gjithë ata që abuzuan me statusin e veteranit-çlirimtar me medalje të dyfisht; të cilët në njërën anë e bartin stemën e pacifizmit, ndërsa në tjetrën emblemën e UÇK-së!
Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 nuk do të bëhet fjalë për libreza të reja të veteranëve, por do të jenë premtimet për rritjen e pagesave të veteranëve, ato që do t’i bëjnë bashkë në premtime të gjithë liderët partiakë, pa dallime pushtet dhe opozitë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".