LDK-në nuk e ndihmon më aureola e Rugovës!

LDK-në nuk e ndihmon më aureola e Rugovës!
LDK-në nuk e ndihmon më aureola e Rugovës!

Florim Zeqa

  • 29 August 2024 - 15:15

Shkruan: Florim Zeqa

Aureola e ka origjinën nga fetë evropiane parakristiane. Gjendet në shumë mozaikë, në të cilët një disk drite rrethon kokën e perëndive olimpike. Aureola shfaqet gjithashtu në yjet funerare helenistike për të shprehur nderimin ndaj personaliteteve që i përkasin botës së përtejme.

Iluministi fundit shqiptarë në ballkan

Ibrahim Rugova është iluministi i fundshekullit 20 dhe fillimshekullit 21 për shqiptarët e Kosovës, i kthyer tashmë në figurë sa hyjnore po aq mitologjike për elektoratin e ri të LDK-së, të cilët për Rugovën vetëm kanë dëgjuar apo mësuar prej prindërve dhe gjyshërve të tyre.

Figura e Ibrahim Rugovës është kthyer në figurë mitologjike e cila nuk e ndihmon më rritën dhe zhvillimin e LDK-së, jo për fajin e tij, por për shkak të hijezimit të grupeve të interesit që po e pengojnë ndriçimin e tre shkronjave të arta nga hyjnori Rugovë.

Fitorja e fundit e LDK-së në zgjedhjet parlamentare ka ndodhur dy dekada më parë nën udhëheqjen e liderit historik Ibrahim Rugova. Nga ajo kohë e deri më sot kanë ndodhur gjashtë procese zgjedhore të nivelit nacional nga të cilat LDK-ja mbeti duarthatë pa e shijuar kënaqësinë e fitores!

Edhe përkundër humbjeve serike dhe të njëpasnjëshme nga viti 2010 e deri pas zgjedhjeve të vitit 2021 LDK-ja është drejtuar nga i njëjti lidership, sa i papërgjegjshëm po aq edhe i dëmshëm për këtë subjekt politik, i cili e katandisi në kuotat më të ulëta historike (12 %).

Për 18 vite rresht pas shkuarjes në amshim të Rugovës, LDK-në e udhëhoqën grupet e interesit të kthyera në fraksione ndarëse dhe përçarëse në garën e pashëmbullt për të marrë primatin e rugovizmit në partinë e Ibrahim Rugovës.

Për 18 vite rresht nuk u mbajt asnjë proces i rregullt zgjedhor brenda LDK-së. Emërimet në vend të propozimeve të lira demokratike dhe instalimi i aklamacionit në vend të votës së lirë e ngulfatën demokracinë e brendshme në LDK.

“Lidhja e re” dhe “Rruga e re” nuk janë vazhdimësi e LDK-së Rugoviane

Zërat reformator dhe intelektualët që i shprehen mendimet ndryshe nga lideri i partisë u larguan dhe u anatemuan nga strukturat drejtuese të partisë. Vendet e tyre i zunë servilët dhe puthadorët e pushtetit të cilët u kthyen në uzurpatorë të partisë së Ibrahim Rugovës.

Si pasojë e linçimeve, shantazheve dhe kërcënimeve nga grupet e interesit vazhduan largimet individuale dhe kolektive nga ish partia e Rugovës, derisa partia u tkurr në 12 %!

Edhe përkundër rezultatit katastrofal, përseri rrënuesit e filozofisë politike rugoviane vazhduan të qeverisin me LDK-në duke e ëndërruar pushtetitin qendror, nga i cili gjithnjë e më shumë po largohen shkaku i dominimit të grupeve të interesit ndaj zërave reformator brenda partisë.

Sa më shumë që rriten dhe zhvillohen grupet e interesit nga brenda, aq më e vogël do të bëhet LDK-ja! Sa më shumë që unifikohen zërat reformator brenda partisë, aq më afërt do të jetë fitorja e LDK-së në zgjedhjet nacionale.

“Lidhja e re” dhe “Rruga e re” nuk janë vazhdimësi e LDK-së Rugoviane, ato paraqesin devijim total nga rruga dhe filozofia politike rugoviane. Pa ç’rrënjosjen e grupeve të interesit dhe kthimin në rrugën e vjetër rugoviane nuk do të ketë shkëlqim të tre shkronjave të arta-LDK!

Lavdi aureoles së LDK-së (23 dhjetor 1989-21 janar 2006)!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".