Ambiciet personale fundosën LDK-në!

Ambiciet personale fundosën LDK-në!
Ambiciet personale fundosën LDK-në!

Florim Zeqa

  • 02 September 2024 - 14:54

Shkruan: Florim Zeqa

Pas shkuarjes në amshim të liderit historik të LDK-së, kjo parti u kthye në "plaçke lufte" e individëve dhe grupeve të interesit për kënaqjen e egos për pushtet dhe privilegje në të dyja nivelet (qendror dhe lokal).

Intervista e mbetur në gjysmë

Për të vërtetuar këtë që e ceka më sipër, për lexuesit po e ilustroj me një shëmbull konkret. Afërsisht tetë vite më parë, vendosa t'i bëjë intervistë një zyrtari të profilit të lartë të LDK-së për njerën nga gazetat e shkruara të kohës. Intervista filloj dhe shkojë mirë deri në momentin kur i drejtova pyetjet konkrete rreth zhvillimeve në LDK! Në atë moment, i intervistuari ma kthejë: "Të lutëm Florim, nuk mund të përgjigjem në pyetjet për zhvillimet në LDK për shkak se i kam ambiciet e mia në zgjedhjet e ardhshme nacionale"!

Në atë moment e ndërpreva intervistimin dhe sot e asaj dite e mbaj në arkiv intervistën e mbetur në gjysmë me zyrtarin e lartë të LDK-së!

Kjo tregon qartë se askujt nuk i ka interesuar e ardhmja dhe fati i LDK-se post-Rugoviane sa iu ka interesuar realizimi i ambicieve personale duke u thirrur në LDK-në rugoviane pa i bërë asnjë shërbim të mirë filozofisë politike rugoviane dhe LDK-së në veçanti.

Askush nuk e kurseu LDK-në për të marrë diçka prej saj pa dhënë asgjë prej vetes!

Asnjëri nuk e bëri garën për ta ndihmuar LDK-në për ta ngritur në majat e shtetit, por e bën garën kundër njëri-tjetrit si të vijnë vet tek pushteti. Dhe pas çdo procesi zgjedhor, si humbës të zgjedhjeve ju vardisen pushtetit duke i harruar premtimet elektore dhe votuesit e tyre besnik.

Madhështia e atdhetarëve

Ndjehem i lumtur dhe i privilegjuar që i kam shërbyer atdheut tim që nga viti 1981 pa marrë asgjë në kembim prej shtetit!

Ndjehem i lumtur dhe krenarë që i kam shërbyer LDK-së rugoviane në vitet e ’90-ta pa marrë asgjë prej saj. Të tillë ishin veprimtarët e viteve të ’90-ta, çdo gjë e bënin në baza vullnetare pa llogaritur në përfitime personale apo privilegje nga shteti.

Edhe në ditët e sotme është detyrë dhe obligim i çdo atdhetari që interesin shtetëror dhe kombëtar ta vëjë para interesit partiak apo fetar siq ishin luftëtarët e lirisë në fund të viteve të ’90-ta.

Të mëdhenj janë dhe do të mbesin, ata që nuk bien pre e lakmisë për pushtet dhe pasurim të paligjshëm mbi kurrizin e qytetarëve duke e mbrojtur arkën e shtetit.

Sikurse kritikat e shëndosha që nuk janë personale, ashtu edhe lëvdatat e mia për LDK-në nuk janë glorifikuese dhe as personale, por janë të bazuara ne zhvillimet reale brenda ketij subjekti politik. Që i bie se, kritikat nuk janë produkt i urrejtjes personale dhe as lëvdatat nuk janë të ndërlidhura me ambicie personale për të marrë diçka në këmbim nga LDK-ja.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".