Mrekullia vetëm një herë ka zbritur nga qielli për shqiptarët!
Florim Zeqa
Shkruan: Florim Zeqa
Pas kërkesave 7 pikëshe të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe shpërndarjes së pamfleteve luftënxitëse në veriun e vendit, Qeveria e Kosovës duhet të merret seriozisht e jo ta neglizhojë situatën e krijuar pas konferencës për media të presidentit serb. Nuk mjaftojnë deklaratat e kryeministrit Albin Kurti në rrjetet sociale se “Kosova është më e fortë se kurrë më parë, nuk trembet nga kërcënimet e Serbisë”, etj.
Qeveri të Shpëtimit Kombëtar për t’i dalë zot vendit
Menjëherë dhe pa humbur kohë, kryeministri Albin Kurti duhet të thërrasë një mbledhje urgjente me Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe me forcat politike në vend për të shqyrtuar ndërmarrjen e veprimeve të duhura dhe të koordinuara me të gjitha forcat politike në vend, e jo t’i tregojë opinionit se “sa larg është Serbia nga vlerat demokratike dhe njerëzore!
Për arsye se Serbia është duke e ashpërsuar fjalorin luftënxitës në Kosovë, ndërkohë që bashkësia ndërkombëtare është duke qëndruar indiferente ndaj veprimeve të shtetit serb. Merreni me mend sikur të njëjtën gjë ta bënin liderët e shtetit të Kosovës, menjëherë do të alarmohej bashkësia ndërkombëtare, Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të mblidhej urgjentisht për ta qortuar, e mbase edhe për ta ndëshkuar Kosovën.
Pavarësisht se kemi garanci mbrojtëse nga faktori ushtarak ndërkombëtar mobilizimi i forcave të sigurisë së Kosovës dhe krijimi i një qeverie të shpëtimit kombëtar karshi situatës së krijuar, është i domosdoshëm dhe imperativ i ngutshëm kohor.
Edhe pse Kosova ndjehet e mbrojtur dhe e siguruar me prezencën e forcave të NATO-s, assesi nuk bën të neglizhohen kërkesat e Vuçiçit, për faktin se veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës në veri i kanë dhënë alibi të mjaftueshme Vuçiqit për realizimin e shpejtë të disa prej kërkesave të parashtruara!
Politika e gabuar e kryeministrit Albin Kurti, e cila i dëmtojë seriozisht raportet e shtetit tonë me aleatët strategjik, në veçanti me SHBA-të, e ka trimëruar Aleksandër Vuçiqin, i cili pandërprerë provokon destabilizim në pjesën veriore të vendit tonë, duke i paraqitur serbët si “viktima të rrezikuara nga pushteti në Prishtinë”!
Pas zhvillimeve të fundit në veri dhe lansimit të 7 kërkesave të presidentit serb, shumë lehtë mund të ndodhë që agresioni politik i Serbisë të kthehet në veprime ushtarake, të cilat nuk do të ndaleshin aq lehtë dhe aq shpejtë siç e mendon një pjesë e politik-bërjes kosovare.
Që kjo të mos na zë në befasi, duhet mobilizim i përgjithshëm në nivel vendi dhe bashkërendim i veprimeve i të gjitha forcave politike, qoftë nevoja edhe për krijimin e një ‘Qeverie të Shpëtimit Kombëtar’, për të shpëtuar atë që e kemi fituar me gjak dhe sakrifica të panumërta.
Nuk është koha e thurjes së lëvdatave nga qeveria dhe as e kritikave nga opozita.
Por është koha unifikimit të faktorit politik dhe shoqërorë në Kosovë në përballimin e situatave të (pa)pritura, të cilat mund të jenë afër, madje edhe shumë më afër se që mendohet nga ekspertët e sigurisë shtetërore!
Serbia nuk do t’na pres derisa ne të mbajmë zgjedhje dhe të konsolidohemi si shtet, sikurse që nuk do t’na pres derisa ne të forcohemi në aspektin ushtarak dhe ekonomik. Do të mashtrohemi keq nëse rrijmë duarkryq dhe presim vetëm nga ndërkombëtarët.
Mrekullia vetëm një herë ka zbritur nga qielli për shqiptarët! (Ak. Prof. Mark Krasniqi)
Arusha nuk trembet me shoshë o bashkatdhetarët e mi!
Kështu e shoh unë situatën e krijuar, qofsha gabim në konstatimet e mia!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"