I erdhi fundi i gjuhës populiste, me kartën e 'hapjes' së Urës së Ibrit

I erdhi fundi i gjuhës populiste, me kartën e 'hapjes' së Urës së Ibrit
I erdhi fundi i gjuhës populiste, me kartën e 'hapjes' së Urës së Ibrit

Florim Zeqa

  • 17 September 2024 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Deklarata e fundit e Albin Kurtit “Për hapjen e Urës së Ibrit po i presim QUINT-in e KFOR-in”, e tregon qartë tërheqjen e tij nga vendimi për hapjen e Urës kryesore që e ndan qytetin e Mitrovicës në dysh.

 

-Përfundimisht tani është e qartë se Ura mbi lumin Ibër nuk do të hapet para zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 dhe pas tyre deri në arritjen e një momentumi të ri politik pas themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe në pjesën veriore.

Për fatin e keq të Kosovës dhe të qytetarëve, ketë konstatim timin nuk po e kanë guximin ta thonë troç politikanët, e aq më pak liderët e lartë shtetëror dhe partiak, e për më keq se kaq, nuk po e thonë as njohësit e rrethanave politike, të cilët janë të kyqyr në rrjedhat e sistemit politik, të cilët i dinë më mirë sesa unë rrethanat që e kanë determinuar themelimin e Asociacionit një etnik serb në pjesën veriore.

Andaj, nuk është aspak e ndershme për të luajtur me ndjenjat qytetarëve, duke u thirrur në gjëra krejtësisht të parealizueshme siq është hapja Urës mbi lumin Ibër pa pëlqimin e ndërkombëtarëve.

Pra, tashmë i erdhi fundi gjuhës populiste të Albin Kurtit me kartën e “hapjes” së Urës kryesore në Mitrovicë, të urës simbol të ndarjes së sovranitetit të shtetit të Kosovës mes serbëve dhe shqiptarëve.

Sikur energjia e të gjitha qeverive të pasluftës, përfshirë edhe këtë të fundit, e humbur për veriun e vendit pa e sjellur asnjë rezultat pozitiv, të ishte përdorur për të mirën e shumicës së popullatës së Kosovës, situata ekonomike dhe mirëqenja qytetare do të ishin në një nivel krejt tjetër nga ai çfarë është sot.

Sikurse heqja e një mbishkrimi dhe vendosja e një tjetri në veriun e vendit që nuk e nënkupton shtrirjen e sovranitetit në veri, as tërheqja taktike e serbëve nga isntitucionet shtetërore në veri nuk e nënkupton shtrirjen e sovranitetit me kryetarë pa legjitimitet qytetar!

Shtrirja reale dhe substanciale e sovranitetit në veri nënkupton vjeljen e tatimeve mbi pronat dhe bisneset serbe në veri, inkasimin e rrymës dhe të ujit dhe të gjitha shërbimeve tjera nga serbët e veriut.

Nuk ka pasur nevojë për “xhirimin” e filmave me rastin e mbylljes së filijalave postare dhe bankare serbe në veri, do të mjaftonte pamundësimi i futjes së “Dinarit” serb në bankat komerciale vendore të Republikës së Kosovës, pasi ato do të detyroheshin të mbyllen vet pa ndonjë pompozitet të madh për konsum të politikave ditore të cilat nuk çojnë askund!

Mungesa e një politike largëpamëse shtetërore, e koordinuar me spektrin politik vendor dhe aleatët perëndimor nuk do ta fuste Kosovën në sanksione ndërkombëtare, përkundrazi do ta përshpejtonte procesin e zgjidhjes përfundimtare në pjesën veriore si dhe do të hapte të gjitha rrugët për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, siq janë BE, OKB, NATO, KIE dhe Interpol.

Kryeministri aktual me tërheqjen e fundit për hapjen e Urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, u zhvesh komplet nga të gjitha premtimet mashtruese ndaj qytetarëve. Ngjyrosja dhe fasadimi i Urës i mbeti i vetmi ngushllim për moshapjen e paralajmëuar me pompozitet të madh në mediat e vendore dhe ndërkombëtare!

Përfundimisht, nuk do të jetë Albin Kurti ai që do ta hapë Urën pa përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare me të cilat e kanë ngarkuar Kosovën pararendësit e tij në qeveritë paraprake! Mosmbajtja e premtimit bazik për hapjen e Urës kryesore në Mitrovicë e ka ulur për tokë imazhin e Kurtit para qytetarëve të vendit, duke e lënë atë me imazh të thyer edhe para aleatëve strategjik të Republikës së Kosovës, të cilët e presin me padurim largimin e tij nga pushteti!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".