Çelësi i rikthimit të LDK-së!

Çelësi i rikthimit të LDK-së!
Çelësi i rikthimit të LDK-së!

Florim Zeqa

  • 19 September 2024 - 09:38

Shkruan: Florim Zeqa

Tashmë të gjithë në LDK i kanë kuptuar vështirësitë e rikthimit të LDK-së në vendin që ishte gjatë udhëheqjes së liderit historik Ibrahim Rugova. E vështirë po, por jo e pamundur. Kjo varet nga përpilimi i listës zgjedhore, e cila do të jetë çelësi suksesit të LDK-së në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Ndarjet fakteqe dhe koalicionet e panatyrshme e dëmtuan LDK-në

LDK-ja si partia e parë e skenës politike kosovare, është e para që u godit nga virusi ndarës dhe përçarës pas shkuarjes në amshim të liderit historik Ibrahim Rugova.

Nga ndarja e parë e vitit 2006 e deri në ndarjen më fatkeqe të vitit 2021, LDK-ja edhe pse e përgjysmuar në votë kishte arritur ta ruaj stabilitetin politik si partia e dytë politike në vend!

Më shumë sesa ndarja fatkeqe e vitit 2006, LDK-në e dëmtuan koalicionet e panatyrshme me rivalët politik, prej të cilëve gjithnjë ka dalë e thyer dhe dëmtuar numeriksiht dhe moralisht para elektoratit të saj.

Pas ndarjes së dytë fatkeqe të vitit 2021, mbetja e detyrueshme në opozitë na doli të jetë më e shëndetshme për LDK-në! Në pragë të procesit zgjedhor LDK-ja është më e bashkuar dhe më e fortë seqë ishte katër vite më parë dhe është në rrugë të mbarë të rikthehet fuqishëm në vendin që e meriton, si partia e parë politike në vend dhe përcaktuese e proceseve shumë të rëndëshishme dhe determinuese për të ardhmen e vendit tonë.

LDK nënkupton shtetin e Kosovës

Përfshirja në listën zgjedhore e figurave më markante, e aktivistëve dhe veprimtarëve më të merituar, e njerëzve të ndershëm dhe të sinqertë, me bagazh politik dhe intelektual, e në veçanti e gazetarëve dhe analistëve të guximshëm e paraqet çelësin e ngritjes dhe rikthimit të LDK-së në vendin që e meriton!

Ata që me vite dhe dekada i dolën zot LDK-së në momentet më të vështira të saj, do ta ndihmojnë edhe sot për të vazhduar rrugën e ecjes përpara drejt ringritjes si zonjë e parë e skenës politike kosovare.

LDK-ja nënkupton shtetin e Kosovës, e themë ketë me arsye të fortë për faktin se është LDK-ja rugoviane, janë tre shkronjat e arta që i vunë themelet e shtetit në fillim të viteve të ’90-ta, është LDK-ja që e bëri rezistencën e gjatë paqësore në përballje me dhunën sistematike të pushtuesve shekullor, janë aktivistët, veprimtarët dhe anëtarësia e saj që e bën edhe luftën çlirimtare.

Të tjerët që erdhën më pas janë pasues dhe vazhdimësi, vazhdimësi e cila në momente të caktuara çalojë në fazat e shtetndërtimit, për çka edhe e kami rezultatin aktual, më të ulëtin në historikun e LDK-së!

LDK-ja është vlerë dhe pasuri kombëtare, të cilën duhet ta mbështesim dhe fuqizojmë për të mirën e shtetit dhe qytetarëve, si subjekti më i vjetër dhe e vetmja forcë politike që mund ta kthejë në binarë të shëndoshë shtetin e Kosovës dhe marrëdhënjet me SHBA-të dhe miqtë tjerë tradicional të Ibrahim Rugovës, i cili, edhe atëherë kur nuk kishim shtet, diti t’i mobilizojë të gjitha qendrat e vendosjes në botë, i cili rezultojë me intervenimin e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë-NATO-s për çlirimin e Kosovës nga Serbia.

Edhe tani, pas 25 viteve nga ajo kohë, Kosova ka nevojë si asnjëherë më parë për miqtë e saj, për t’u mbrojtur nga agresioni politik i Serbisë, i cili fare lehtë mund të kthehet në agresion ushtarak kundër Kosovës!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".