GJURIQI NË ESTONI U PRIT FTOHTË DHE U PËRCOLL 'THARTË’!

GJURIQI NË ESTONI U PRIT FTOHTË DHE U PËRCOLL 'THARTË’!
GJURIQI NË ESTONI U PRIT FTOHTË DHE U PËRCOLL 'THARTË’!

Adil Fetahu

  • 20 September 2024 - 14:30

Sapo u komunikua lajmi se kryetarja e Komisionit të Bashkimit Europian, znj.Ursulla von der Lajen, e ka emëruar kryeministren e Estonisë, Kaja Kalas, në pozitën e nënkryetares së Komisionit dhe shefes për diplomaci e politikë të jashtme të BE-së,- ministri i punëve të jashtme të Serbisë (Marku Gjuriq) turrevrap (më 16 shtator) ishte për vizitë zyrtare në Talin (kryeqyteti i Estonisë). Ishte kjo një vizitë e rrallë e diplomatëve të Serbisë në atë vend skandinav, me qëllim që përmes kësaj vizite t’i afrohet shefes së re diplomacisë europiane.

 

Por, Gjuriqi u prit ftohtë dhe ‘’u përcoll me shije të thartë’’ nga ministri i jashtëm i Estonisë, Margus Cakna (Margus Tzahkna). Bile, jo vetëm se Gjuriqi u prit ftohtë, por ministri estonez i dha një qortim që rrallë përdoret aq hapur në fjalorin diplomatik, duke i thënë qartë se ‘’Është e papranueshme të përshëndetemi duke shtrënguar duarët me një kriminel të luftës, i cili po përpiqet ta rrënojë sigurinë e Europës dhe sovranitetin e Ukrainës. Nga Serbia, si kandidate për BE, presim ta harmonizojë politikën e vet me atë të Bashkimit Europian. Mbështesim dialogun Serbi – Kosovë, i cili shpie në paqe’’.

Aludimi i Margusit është i qartë për të gjithë: ai ka aludua te vizitat e shpeshta të nënkryetarit të Qeverisë së Serbisë (Aleksandar Vullin) dhe takimet e tij të përzemërta me kryetarin e Federatës Ruse, Putin.

Estonia një vend i vogël skandinav, në politikën e Bashkimit Europian do të luajë rol të madh sapo znj.Kaja Kalas ta merr pozitën e shefes së diplomacisë dhe të politikës së jashtme të BE-së.

Po ne, Kosova dhe Shqipëria – ku jemi? A bëri kush ndonjë hap për vizitë të tillë dhe takim me personen e cila do të ketë rol të rëndësishëm në udhëheqjen e bisedimeve Kosovë – Serbi, pas gjithë atyre hileve që bëri Josef Borelli në bisedimet e deritashme, duke i mbajtur hapur anën Serbisë, e duke qortuar Kosovën për ‘aksione të njëanshme’!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".