Qeveria shterpë, presidentja jo produktive!

Qeveria shterpë, presidentja jo produktive!
Qeveria shterpë, presidentja jo produktive!

Florim Zeqa

  • 01 October 2024 - 08:14

Shkruan: Florim Zeqa   

Paaftësia për të prodhuar, mungesa e aftësisë krijuese, varfëria e mendimit dhe krijimtarisë, të qenët i pafrytshëm dhe i padobishëm për shoqërinë e bëjnë një qeveri të jetë shterpë apo jo produktive për shtetin dhe qytetarët. Shterpësia e punës së një diplomacie ndikohet edhe nga abortet politike për sjelljen e njohjeve të reja apo të anëtarësimit të shtetit në organizata ndërkombëtare.

Takimet formale pa protokol shtetëror nuk ofrojnë asgjë për Kosovën

Dy liderët e shtetit të Kosovës, presidentja dhe kryeministri javën e kaluar qëndruan në New York. Në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së takuan kryeministra dhe shefa të shumë shteteve, shumicën prej të cilëve i takuan ndaras.

Presidentja Vjosa Osmani dhe Albin Kurti në mesin e takimeve patën edhe takime me përfaqësuesit e katër shteteve mosnjohëse të Kosovës.

Takimin e parë që e bëri publik presidentja Osmani ishte ai me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinalin Pietro Parolin, të cilit i kërkojë njohjen e shtetit të Kosovës nga Vatikani!

Të njëjtin, pra, Kardinalin Pietro Parolin e takuan bashkë Albin Kurti dhe zëvendësja e tij në Qeveri, Donika Gërvalla-Schwarz.

Vatikani ishte njëri nga katër shtetet mosnjohëse që i takuan ndaras liderët shtetërorë të Kosovës: Mauritiusi, Greqia dhe Bahamasi!

Në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, presidentja, kryeministri dhe kryediplomatja i takuan 32 liderë vendesh të ndryshme dhe morën pjesë në tryeza dhe samite vendesh në javën kur të gjithë politikanët botërorë zbarkojnë në New York.

Për dallim nga presidentja që arriti t’i afrohet presiedentit në ikje të SHBA-së, Joe Biden për një bisedë të shkurtër kortezie , kryeministri me eskorten e tij kishte biseda “produktive” për zhvillimet aktuale dhe të ardhmen me Ndihmës Sekretarin e Shtetit, James O'Brien, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof dhe emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković, Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinalin Pietro Parolin, Kryeministrin e Grenadës, Dickon Mitchell, dhe Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.

Me diplomaci shterpë nuk lindin njohje të reja për Kosovën!

Këto ishin të dhëna zyrtare nga takimet e liderëve shtetëror të Kosovës në margjinat e e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Pas këtyre takimeve të ngjeshura priten rezultate evidente, në të kundërtën i pret zhgënjimi i madh qytetarët e vendit tonë!

Nëse nuk na vjen së paku një njohje ndërkombëtare nga këto takime formale në fund të mandatit politik të kësaj qeverie, atëherë, jo vetëm që nuk e meritojnë të mbeten në pushtet, e meritojnë ndëshkimin me votë të qytetarëve, për t’u mbajtur në mend si “Qeveria më shterpë” dhe si presidentja më jo produktive në historinë më të re të Kosovës së pavarur!

Me takimet e ndara në New York, presidentja dhe kryeministri e përçuan imazhin më të keq të mundshëm të Kosovës tek ata lider vendesh që i takuan në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke e margjinalizuar në ekstrem ekzistencën e shtetit të tyre!

Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 mund të shënojnë fundin e karrierës politike për “shpëtimtarët e kombit”, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, të cilëve nuk do t’u mbetët gjë tjetër, veçse të sillen rreth “NEWBORN”-it në Prishtinë për të takuar ndonjë vizitorë rasti, sa për t’i treguar se ishin “politikan të përgjegjshëm, edhe pse pa asnjë rezultat në politikën e jashtme dhe pa asnjë sukses në politikën e brendshme”!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".