Mercenari Dilaver Goxhaj përhap sajesat e Shërbimit Sekret të Serbisë! “Ku fle lepuri” i Goxhajve?
Bardhyl Mahmuti
Shkruan: Bardhyl Mahmuti
Më 10 shtator 2023 u themelua Shoqata “Hora e Skënderbeut”, me qëllim që në emër të mërgimtarëve shqiptarë t’u dhurojë arbëreshëve të Italisë shtatoren e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, si mirënjohje dhe respekt për kontributin e tyre të gjithanshëm dhe sidomos për solidaritetin e pashembullt që treguan duke hapur dyert e shtëpive dhe zemrat bujare për shqiptarët e dëbuar gjatë zbatimit të gjenocidit të Serbisë në luftën e viteve 1998-1999.
Përgjatë një viti të plotë, ky projekt ishte publik dhe të interesuarit kanë mundur ta shohin pamjen e shtatores në gazeta, portale dhe intervista televizive. Gjatë gjithë kësaj kohe nuk pati asnjë vërejtje për realizimin artistik apo aluzion për “përngjasimin” e shtatores me kryeministrin Rama. Projekti u realizua në mënyrën më të mirë të mundshme dhe pikërisht më 30 gusht 2024, në 536-vjetorin e kremtimit të themelimit të vendbanimit arbëresh, Hora e Arbëreshëvet, u inaugurua shtatorja madhështore e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Gjatë ceremonisë së inaugurimit të shtatores, autoritetet bashkiake të Horës së Arbëreshëvet dhe të Shoqatës “Hora e Skënderbeut” nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për gjetjen e formave përkatëse, për t’i kontribuuar kohezionit kombëtar dhe lidhjes sa më të fortë të mërgimtarëve me arbëreshët e Italisë. Ky fakt mobilizoi “instrumentet” e Serbisë për të sabotuar realizimin e memorandumit të bashkëpunimit.
Në funksion të mbjelljes së dyshimit, që është parakusht për të penguar afrimin e mërgimtarëve shqiptarë me arbëreshët e Italisë, të nesërmen e ceremonisë së inaugurimit të shtatores dhe nënshkrimit të memorandumit, rrjetet sociale vërshuan me përpjekje për të përbaltur shtatoren.
Në shkrimin tim të titulluar “Shtatorja e Gjergj Kastriotit dhe Sindromi i Fregolit” nxora disa aspekte të histerisë që kishte kapluar kundërshtarët politikë të Edi Ramës, që shihnin fytyrën, dorën dhe hijen e tij edhe aty ku nuk janë. Të gjithë miqtë e mi dhe një pjesë e opinionit publik i dinë mospajtimet e mia me disa qëndrime të Edi Ramës dhe kushdo qoftë që dëshiron të informohet rreth saktësisë së kësaj, mjafton të “lundrojë në internet” si Dritan Goxhaj. Mirëpo divergjencat dhe kundërshtitë me qëndrimet e cilitdo politikan, nuk mund të më verbojnë që të kaloj në urrejtje patologjike ndaj personave me të cilët nuk pajtohem, siç është bërë e zakonshme të lexojmë apo të shohim në mediet televizive.
Reagimi i parë kundër shkrimit tim ishte shkrimi në emër të Dritan Goxhajt, edhe pse paraprakisht as ky, as i ati, Dilaver Goxhaj, nuk kishin dalë me asnjë qëndrim lidhur me thashethemet për pamjen e shtatores së Skënderbeut, të realizuar nga Gëzim Muriqi. Ky reagim habiti të gjithë ata që nuk e dinin të vërtetën se kush është Dritan Goxhaj. Pas përgjigjeve që i dhashë autorit të shkrimit në reagimin tim me titull“Logorreja dhe ’kapsllëku’ i ideve konstruktive” dhe “’Llogjika’ serbe e manipulimit me citatet e Moikom Zeqos dhe logorreja alla-Goxhaj”, doli në shesh burimi i histerisë së lartpërmendur. Pikërisht termi “mercenar” në konkluzionin e përgjigjes sime, se “nuk do t’u jap llogari mercenarëve që na kanë thinjur leshin e kokës me kërkesat e vazhdueshme për të marrë rroga të përjetshme për kontributin e madh kombëtar që na paskëshin dhënë”, i bëri të humbnin toruan, të nxirrnin lepurin nga strofulli dhe të villte “atë lugë gjelle të prishur” që kishin në bark (shprehje e një personazhi të një filmi shqiptar, që ishte infiltruar në radhët e çlirimtarëve). Në reagimin e datës 29 shtator 2024, Dilaver Goxhaj pretendon se “Bardhyl Mahmuti nuk e ka ditur kuptimin e fjalës shqipe ‘mercenar’deri para se të shkonte për studime në Francë” dhe vazhdon: “E themi këtë, ngaqë këtë fjalë ndërkombëtare nuk e ka vetëm gjuha serbe, të cilën ai e njeh me rrënjë e me degë, pasi, serbisht mercenarit i thonë: placenik em; kurse rusisht: nayemnik. Dal në këtë përfundim se kuptimin e fjalës “mercenar”, z.Mahmuti e ka mësuar kur ka dalë për studime jashtë ish-Jugosllavisë, pasi fjala “mercenar” është fjalë ndërkombëtare, p.sh.: fërngjisht – mercenaire; anglisht –mercenary. Kështu, edhe pse nuk e njeh mirë gjuhën shqipe, Mahmuti Bardhyl fjalës mercenar ia ka mësuar kuptimin nga ferngjishtja, kur studjoi disa vite atje dhe jetoi po disa vite të tjerë”.
Fjala “mercenar” ka origjinë latine dhe ka kuptimin e kompensimit material për një punë që bën. “Mësuesi i anglishtes”, Dilaver Goxhaj, e di se “në gjuhën serbe dhe atë ruse fjala ndërkombëtare ‘mercenar’ ka kuptimin e rrogëtarit”, por shtiret se nuk e di që kuptimi i parë i kësaj fjale me origjinë latine, në Oxford Dictionary përkufizohet kështu: “A soldier who will fight for any country or group that offers payment” (Ushtar që lufton për cilëndo ushtri ose grup që ofron pagë), ndërsa Cambridge Dictionary e përkufizon si: “Interested only in the amount of money that you can get from a situation” (I interesuar vetëm për shumën e parave që mund të nxjerrë nga një situatë).
Sado e vogël që t’i jetë dukur shuma e parave që deklaron se ka marrë për të ardhur në luftën e Kosovës (500 marka gjermane në muaj, që në atë kohë këmbeheshin me 40 mijë lekë të reja, dhe shuma prej 4000 markash, që mori në gusht të vitit 2000, që bënin 320 mijë lekë të reja), është fakt i pakontestueshëm se Dilaver Goxhaj kishte ardhur në luftën e Kosovës në këmbim të një pagese mujore që duhej t’i jepej familjes së tij!
Është e drejtë e pakontestueshme, që njerëzit të hyjnë në raporte kontraktuese edhe për pjesëmarrje në luftë dhe të revoltohen nëse nuk u janë plotësuar kushtet. Mirëpo, në rastin konkret, është poshtërsi përpjekja për të mashtruar lexuesit e painformuar, duke shtruar dilema nëse unë, “nga urrejtja që paskam pasur për kontributin e familjes goxhaj”,“si këshilltar i Hashim Thaçit, e paskam këshilluar Hashimin për dhëniet me diferencime të dekoratave, në cilësinë e Presidentit të Kosovës, për kontribuesit nga Shqipëria” dhe se gjoja në mesin e “mbi 100 qytetarë nga Republika e Shqipërisë, Presidenti Hashim Thaçi ka dekoruar edhe kamarjerët që i kanë servirur kafe, por jo edhe 3 (tre) oficerat nga Republika e Shqipërisëqë), që kanë kryer detyra të larta komanduese në radhët e UÇK-së brenda në Kosovë, të dalë të gjallë nga ajo luftë, ndërsa Indrit Cara dhe Tahir Sinani ranë dëshmorë”.
Gënjeshtra se gjoja unë paskam këshilluar Presidentin Hashim Thaçi për të dhënë dekorata në mënyrë të diferencuar është gënjeshtër shumë e vogël në krahasim me të tjerat. Të gjithë ata që kanë përcjellë rrjedhat politike në Kosovë, e dinë se asnjëherë nuk kam qenë këshilltar i Hashim Thaçit, por kam kryer funksionin e njërit prej gjashtë përfaqësuesve politikë të UÇK-së, ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Përkohshme, si dhe nënkryetar i PDK-së. Por është tepër e pështirë, kur një mercenar që ka ardhur në luftë në këmbim të një rroge, e krahason veten me heroin Indrit Cara, që la rrogën dhe luksin londinez dhe erdhi të luftojë në Kosovë. Është poshtërsi e llojit të Goxhajve, të gënjejë se në luftën e Kosovës ra dëshmor Tahir Sinani!
Për meritat që ka pasur në udhëheqjen e luftës çlirimtare, pas përfundimit të luftës në Kosovë, Tahir Sinani u dekorua nga Kryeministri i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës me Urdhrin “Adem Jashari”, që ishte mirënjohja më e lartë në atë kohë!
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Tahir Sinani u emërua Komandant i Zonës së Tretë Operative të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës (TMK), por e braktisi këtë funksion sapo filloi lufta në Luginën e Preshevës. Një kontribut të jashtëzakonshëm dha edhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, si komandant dhe udhëheqës i Brigadës 116, që mbante emrin e tij. Dy vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, më 29 korrik 2001, heroi Tahir Sinani humbi jetën në malësinë e Gostivarit, bashkë me 4 luftëtarë të brigadës së tij.
Poshtërsitë e Goxhajve nxorën në sipërfaqe vetëm një aspekt të karakterit të tyre. Mirëpo për ta kuptuar “ku fle lepuri” i Dilaver Goxhajt dhe arsyet e sulmeve të tyre, më duhet t’u rikujtoj lexuesve disa çështje që kanë të bëjnë me shpifjet serbe kundër UÇK-së.
Që nga dita e bërjes publike të raportit që mban emrin e Dick Marty-t, kam përsëritur vazhdimisht se bëhej fjalë për një raport të përpiluar nga Shërbimi Sekret i Serbisë dhe kam akuzuar senatorin zviceran për “plagjiaturë”, për arsye të vënies së emrit të vet mbi një dokument që nuk e ka hartuar ai.
Analiza krahasuese e përmbajtjes së “librave të bardhë” të Shërbimit Sekret të Serbisë me përmbajtjen e raportit në fjalë është përfshirë në veprën “Mashtrimi i madh” (shkurt 2015). Rreth katër vjet pas dorëzimit në shtyp të “Mashtrimit të madh”, analiza ime u vërtetua tërësisht. Më 24 tetor të vitit 2018, në emisionin e mëngjesit në televizionin serb “TV Happy”, gjatë përurimit të librit autorial “Vendi i Vilhem Telit – Rrëfime nga Zvicra”, ish-ambasadori serb në Bernë të Zvicrës, Milan St. Protić (Protiq) ka rrëfyer për mënyrën si ia kishin dhënë Dick Marty-t “provat e përgatitura nga institucionet e Serbisë për trafikimin e organeve dhe për shtëpinë e verdhë”. Në këtë bashkëbisedim televiziv, Milan St. Protić rrëfeu se ishte ngarkuar si ambasador në Zvicër, pikërisht për të vënë kontakt me Dick Marty-n, për t’i dorëzuar dosjet e përgatitura nga institucionet shtetërore të Serbisë për raportin e titulluar “Trajtimi çnjerëzor i personave dhe trafikimi kundërligjor i organeve njerëzore në Kosovë”. Madje ai saktësoi, se “takimet e para me Dick Marty-n i kishte pasur ende pa ia dorëzuar letrat kredenciale vendit nikoqir”. Ndërkaq, në librin “Vendi i Vilhem Telit – Rrëfime nga Zvicra”, ish-ambasadori përshkruan takimin e delegacionit serb me Dick Marty-n në stacionin hekurudhor të Zyrihut (Milan St. Protić, Zemlja Viljema Tela, – Priče iz Švajcarske, Vulkan, 2018, f. 105).
Delegacioni serb përbëhej prej katër anëtarësh, që kishin ardhur nga Beogradi në Zvicër për t’i dorëzuar Dick Marty-t dosjet e përgatitura nga Shërbimi Sekret i Serbisë. Nga katër personat e delegacionit, Protić jep identitetin e dy prej tyre: prokurorët Vladimir Vukčević dhe Bruno Vakarić, të cilët kishin sajuar dëshminë e “dëshmitarit okular” (Po aty, f. 105). Për njërin nga dy pjesëtarët e delegacionit, Protić kufizohet vetëm në të dhënat se kishte qenë “pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë”. Ndërkaq, për personin e katërt theksohet “funksioni” i saj: asistente e gjykatësit” (Po aty, f. 108). Identiteti i të dyve mbetet sekret!!!
Në kontekst të asaj që mund të na ndihmojë të shohim “ku fle lepuri” i Dilaverit, po përmend raportin e përpiluar nga Shërbimi Sekret i Serbisë që mban emrin e Dick Marty-t. Në paragrafin e 13-të të këtij raporti thuhet:
“Sa i përket këtyre zhdukjeve (të përmendura në paragrafët paraprake – sqarim imi), duhet të nënvizojmë që një numër i konsiderueshëm familjeve shqiptare që kanë humbur një të afërm pas 12 qershorit 1999, kanë deklaruar se zhdukja ka ndodhur në një datë përpara kësaj date, nga frika se të afërmit e tyre mund të konsiderohen si ‘tradhtarë’ të ndëshkuar nga UÇK-ja. Është domethënës fakti se ligji kosovar për dëmshpërblimin e familjeve të ‘martirëve’, shprehimisht përjashton personat që kanë vdekur pas vendosjes së forcave të KFOR-it. Sa i përket ligjit për dëmshpërblimin e familjeve të të zhdukurve, që është në diskutim e sipër, qëndrimi i autoriteteve kosovare është që të përfshihen vetëm zhdukjet që kanë ndodhur ndërmjet 1 janarit 1999 dhe 12 qershorit 1999. Në të vërtetë, kjo dëshmon se deri në çfarë shkalle është e ndjeshme çështja e të zhdukurve shqiptarë. Sipas bashkëbiseduesve të shumtë që kemi pasur, kjo temë mbetet një tabu i vërtetë dhe një pengesë serioze në kërkim të së vërtetës, sepse gjuetia e ‘tradhtarëve’ shpesh ka fshehur luftën e përgjakshme ndërmjet fraksioneve të UÇK-së dhe ka shërbyer për të fshehur krimet e kryera nga pjesëtarët e UÇK-së ose të personave të lidhur me të”.
Nëpërmjet kësaj sajese, propaganda serbe përpiqej të mohonte vrasjet e civilëve shqiptarë nga forcat serbe dhe e drejtonte gishtin nga pjesëtarët e familjeve të viktimave si fajtorë që, për përfitime financiare, kanë fshehur krimet e kryera nga pjesëtarët e UÇK-së. Duke vepruar në këtë mënyrë, ata përpiqeshin të mohonin vrasjet e civilëve shqiptarë në funksion të shkatërrimit të shqiptarëve si grup i veçantë kombëtar, e që përbën akt gjenocidal, të përfshirë në paragrafin a) të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe të dokumenteve themelore të së drejtës penale ndërkombëtare.
Dëshmitë e njërës prej viktimave të dhunës seksuale, zonjës Vasfije Krasniqi – Goodman në Kongresin Amerikan, në Senatin dhe Kongresin Italian dhe në shumë institucione të shteteve të BE-së, shënon një ngjarje tepër të rëndësishme për sensibilizimin e opinionit publik ndërkombëtar dhe të institucioneve politike të shteteve demokratike perëndimore për vërtetësinë e krimit të gjenocidit në Kosovë. Duke u nisur nga fakti se dhuna seksuale, me qëllim që të shkatërrohet integriteti trupor dhe mendor i një apo më shumë pjesëtarëve të një grupi kombëtar, etnik, racial ose fetar, si i tillë, hyn në kategorinë e akteve gjenocidale të parapara në paragrafin b) të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe në dokumentet themelore të së drejtës penale ndërkombëtare (Gjenocidi nëpërmjet lëndimit të rëndë të integritetit trupor ose mendor), Shërbimi Sekret i Serbisë mobilizoi informatorët e vet në të gjitha ish-republikat e Federatës së Jugosllavisë në dy drejtime:
1. Mohimi i tërësishëm i akteve të dhunës seksuale që kanë kryer forcat e armatosura serbe ndaj shqiptarëve në luftën e fundit;
2. Në rastet kur nuk mund të kontestohen dëshmitë e dhunës seksuale, të prezantohen si raste individuale.
Strategji e tillë serbe mund të kuptohet nëse kemi parasysh, se gjenocidi përmes dhunës seksuale, si formë e lëndimit të integritetit fizik dhe mendor, ka të bëjë me faktin se në këtë kategori nuk hyn dhuna seksuale që është bërë si akt individual për shfryrje të epsheve, por vetëm aktet që kanë për qëllim shkatërrimin të cilitdo nga grupet e mbrojtura me Konventën e Gjenocidit dhe dokumentet themelore të së drejtës penale ndërkombëtare.
Pikërisht për këtë arsye, preokupimi i strukturave që kanë planifikuar dhe zbatuar planin e gjenocidit është fshehja e krimeve. Meqenëse në Kosovë viktimat ishin evidente, strategjia e Serbisë dhe e mbështetësve të saj ishte zvogëlimi i numrit të viktimave dhe zhvendosja e përgjegjësisë nga shteti, në grupe dhe individë (paramilitarë), që gjoja ishin jashtë kontrollit shtetëror.
Rrëfimet publike për disa raste të dhunës seksuale në Kosovë e dëshmojnë më së miri këtë strategji. Gjatë disa dhunimeve kemi “ndërhyrjen” e eprorëve ushtarakë serbë, “duke i qortuar” ata që kryenin dhunime dhe i trajtonin si “pisa”. Madje kemi raste, kur kriminelët prezantohen si “të dehur ose nën ndikimin e lëndëve narkotike”. Në këtë mënyrë, shteti serb përpiqet t’i prezantojë si veprime individuale aktet e dhunës seksuale dhe të mohojë vërtetësinë, se synimi i kësaj dhune ishte lëndimi i rëndë i integritetit fizik dhe mendor i shqiptarëve të dhunuar, me qëllim shkatërrimin e shqiptarëve si të tillë.
Dihet se dhuna seksuale ka pasoja të rënda për viktimën. Por kur dhuna seksuale hyn në funksion të strategjisë së shkatërrimit të një grupi, siç ishin dhunimet e shqiptarëve në Kosovë, atëherë qëllimi i dhunimeve seksuale nuk është vetëm shkatërrimi i viktimave të drejtpërdrejta, por, nëpërmjet dhunimeve, synohej të lëndohej integriteti mendor edhe i të afërmve të viktimave, i tërë grupit, i të gjithë shqiptarëve. Vetëm në kuadër të këtij qëllimi mund të shpjegohen dhunimet e meshkujve dhe detyrimet e dhunimeve brenda anëtarëve të së njëjtës familje, ku prindi detyrohej të kryente marrëdhënie seksuale me fëmijën e vet dhe anasjelltas.
Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm kur përpiqemi të hedhim dritë mbi këtë formë të gjenocidit, sepse rrezikojmë të individualizojmë një krim shtetëror.
Një ngjarje tjetër që lidhet me sensibilizimin e opinionit ndërkombëtare për krimin e gjenocidit që ka kryer Serbia në Kosovë ka të bëjë me aktivitetin e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur”. Po sqarojmë lexuesit se me nismën e Shoqatës Kulturore “Zëri i Atdheut” në Montebelluna të Italisë dhe ndihmës së shoqatave dhe mërgimtarëve shqiptarë, u përkthye dhe u botuan në italisht 1000 ekzemplarë të romanit tim “Eskadronët e vdekjes”, të cilin, më 15 janar të vitit 2024, në Ditën e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Serbisë në Kosovë, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës e shpalli si librin më të mirë, që ndriçon gjenocidin ndaj shqiptarëve në luftën e fundit.
Shpërndarja falas e romanit dokumentar për krimet e tmerrshme që kanë përjetuar shqiptarët e Kosovës dhe aktivitetet në Itali të Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur”, nuk lanë indiferent mohuesit e gjenocidit të Serbisë. Fakti se Adnan Asllani, nismëtar i themelimit të kësaj qendre dhe zëvendëskryetar i saj, ishte tepër aktiv për realizimin e projektit për t’ua dhuruar shtatoren në fjalë arbëreshëve të Italisë, mund të shpjegojë një pjesë të arsyeve përse u hodhën në ofensivë kundër nesh instrumentet e Shërbimit Sekret serb.
Në vlugun e sulmeve të orkestruara ndaj meje, më 12 shtator 2024, u publikua pjesa e librit të ri “Krimi i gjenocidit – Aspekte teorike dhe studime rasti) dhe tërheqja e vëmendjes në domosdoshmërinë e përdorimit të saktë të terminologjisë lidhur interpretimin e krimeve të kryera në Kosovë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".