Ka ardhur koha që Lajçak përfundimisht të zëvendësohet me finlandezin Pekka Haavisto

Ka ardhur koha që Lajçak përfundimisht të zëvendësohet me finlandezin Pekka Haavisto
Ka ardhur koha që Lajçak përfundimisht të zëvendësohet me finlandezin Pekka Haavisto

Gani Qarri

  • 08 October 2024 - 07:22

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

-Pas dështimit të emisarit pro-serb Mirosllav Lajçak, që me animet e tij të hapura pro Serbisë dhe qasjet destruktive ndaj Kosovës bllokoi tërësisht dialogun Kosovë - Serbi, dhe shkaktoi mosbesim të madh për trajtim të barabartë te pala kosovare, tanimë ka ardhur koha që ai përfundimisht të zëvendësohet me finlandezin z. Pekka Haavisto, i cili edhe po përflitet si emër i mundshëm, ose edhe ndonjërin nga dy kandidatët tjerë, që vlerësohen po ashtu si kandidat të duhur dhe me përvojë, për emisar të ri special të BE-së në Ballkan.

Siç raporton edhe gazeta finlandeze "Helsingin Sanomat" emri i ish kryetarit e deputetit të Partisë së Gjelbër dhe ish-ministrit të jashtëm të Finlandës, Pekka Haavisto, është përmendur si kandidat i mundshëm për emisar të ri special të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë,si dhe për çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor, të cilin sipas informacioneve të "Helsingin Sanomat" edhe vet Finlanda është e gatshme ta promovojë për këtë detyrë.

Diplomati 66 vjeçar Haavisto, një kohë drejtoi edhe Programin e OKB-së për Mjedisin (UNEP) në Kosovë, Afganistan, Irak, Liberi, Palestinë, Sudan etj, nga viti 2016 deri në vitin 2019 ka qenë President i Institutit Evropian të Paqes në Bruksel, ndërsa këtë vit pati garuar edhe në zgjedhjet e presidenciale të Finlandës, por u mund nga rivali Alexander Stubb, që tashmë edhe është në krye të shtetit finlandez.

Pra z.Haavisto është një diplomat finlandez me përvojë të gjatë në karrierë, që më parë ka shërbyer edhe si përfaqësues special i BE-së për Sudanin, në negociatat për marrëveshjen e paqes në Darfur, një njeri që ka përvojë edhe me gjendjen dhe zhvillimet politike në Ballkan, ku ka punuar për Programin e Mjedisit të Kombeve të Bashkuara, Unep.

Sipas gazetës së lartcekur finlandeze, Havisto aktualisht ndodhet në një udhëtim zyrtar pune, dhe ai personalisht, nuk ka shprehur ndonjë koment mbi këtë çështje.

Por që siç rikujton gazeta "Helsingin Sanomat", emri i z.Haavisto është përmendur tashmë në media si një nga kandidatët e mundshëm së bashku me diplomatin e njohur danez Peter Sørensen i cili ishte ambasador i BE-së në Zyrën e Kombeve të Bashkuara e organizata të tjera ndërkombëtare në Gjenevë, si dhe ka shërbyer si Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian në Bosnje e Hercegovinë, përfshirë ish-presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, që po ashtu ka shfaqur gatishmërinë e tij, ta marrë përsipër këtë detyrë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".