Duhet t’iu qëndrojmë pranë miqve dhe t’i dëgjojmë rekomandimet, në të kundërtën na pret theqafja e madhe politike

Duhet t’iu qëndrojmë pranë miqve dhe t’i dëgjojmë rekomandimet, në të kundërtën na pret theqafja e madhe politike
Duhet t’iu qëndrojmë pranë miqve dhe t’i dëgjojmë rekomandimet, në të kundërtën na pret theqafja e madhe politike

Florim Zeqa

  • 08 October 2024 - 07:25

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Turbulencat e forta politike si pasojë e dy luftërave të hapura, njëra në Evropën Lindore (Rusi-Ukrainë) dhe tjera në Lindjen e Mesme (Izrael-Palestinë) nuk po arrijnë t’i zgjojnë nga ‘gjumi dimërorë’ liderët tonë shtetërorë, të cilët ju kanë vardisur mërgatës sonë, jo për të kërkuar ndihmë për ta shpëtuar shtetin nga invazioni i mundshëm ushtarak i Serbisë, por për t’i joshur ata për vota për zgjedhjet e fillimvitit të ardhshëm!

 

-Situata e krijuar si pasojë e dy luftërave të ashpra dhe kërcënimit permanent të Serbisë për ripushtimin e Kosovës, është duke u përcjellur me vemëndje të madhe nga të gjithë liderët e rajonit dhe ekspertët e sigurisë, të cilët po befasohen me situatën relaksuese të liderëve të Kosovës!

Sjellja kaq indiferente e liderëve tonë shtetërorë dhe partiak, të cilët ndaras po zhvillojnë fushatë elektorale nëpër shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, thuajse nuk është duke ndodhur asgjë përreth tyre, e paraqet situatën tragjikomike të paparë në situata të tilla.

Këtë e dëshmon edhe deklarata e Profesoreshës së Universitetit të Oxfordit, Jennifer Cassidy, "Nuk mund të përjashtohet mundësia e një pushtimi të Kosovës nga Serbia"!

Tutje ajo tha në konferencën e Institutit Octopus, se do të ishte ‘marrëzi’ përjashtimi i këtij opsioni, duke e arsyetuar me faktin se “kur kemi të bëjmë me një fuqi ushtarake që ka lidhje aq të afërta me Rusinë, nuk mendoj se mund ta përjashtojmë çfarëdo opsioni. Do të ishte marrëzi sikur ta përjashtonim mundësinë e një pushtimi, qoftë përmes infiltrimit të forcave sekrete apo planeve të aneksimit”, tha Profesoresha e Universitetit të Oxfordit, Jennifer Cassidy.

Jo për të shkaktuar defetizëm tek opinioni vendor, por, për të zgjuar vëmendjen e spektrit politik dhe atyre të sigurisë në Kosovë, profesoresha në fjalë na e dha paralajmërimin e parë dhe në kohën e duhur për t’u përgatitur për një sulm të befasishëm nga fqinji ynë verior, i cili është duke e pritur vetëm momentin e duhur për agresion ushtarak ndaj Kosovës.

Unë personalisht rekomandimet e Profesoreshës së nderuar, Jennifer Cassidy i shoh si profetike: “Eshtë me rëndësi që Kosova dhe shtetet e tjera të Ballkanit të mbajnë raporte të afërta me BE-në, t’i mbajnë lidhjet e ngushta”,…“Në këto kohë të destabilitetit të madh që po e shohim, edhe në Lindjen e Mesme, kur sytë nuk janë të drejtuar nga Europa, atëherë çdo gjë mund të ndodh”!

Kjo e lë të nënkuptueshme mundësinë e sulmit të madh ushtarak ndaj Kosovës dhe e bënë akoma kuptueshme fuqinë tonë ushtarake për t’u përballur me Serbinë!

Kjo deklaratë e fortë dhe e saktë e Profesoreshës së Universitetit të Oxfordit, Jennifer Cassidy e dhënë në konferencën “Ndikimi i agresionit rus në Ukrainë mbi gjeopolitikën evropiane, duhet t’ju shërbejë si këmbanë e zgjimit nga gjumi letargjik liderëve shtetërorë dhe partiak të Kosovës, që bien dhe zgjohen nga gjumi me ëndërrat e pushtetit!

Kosova e tillë çfarë është aktualisht pa një forcë ushtarake të konsoliduar, pa ekonomi të zhvilluar dhe varfëruar nga potenciali njerëzor, pa SHBA-të dhe BE-në mund të jetë “një mëngjes i lehtë” për ushtrinë serbe. Andaj, çdo nënvlerësim i situatës mund t’na kthehet bumerang i keq para zgjedhjeve të parlajmëruara të 9 shkurtit të vitit të ardhshëm!

Vetëm bashkrendimi i veprimeve me aleatët tonë strategjik mund t’na shpëtoj nga sulmi eventual!

Por, nëse vërtetë sulmi ndodhë, prapë se prapë do të jenë BE dhe SHBA ato që do t’na bëjnë më të lehtë përballimin e situatës dhe parandalimin e pushtimit klasik të Serbisë, i cili do t’i jepte fund ekzistencës së shtetit tonë dhe ndryshimit të paimagjinuar të hartës gjeopolitike në Ballkan!

Për këtë arsye dhe shumë të tjera si këto, ne si shtet i ri, i vogël dhe i pakonsoliduar mirë në aspektin e mbrojtjes, duhet t’iu qëndrojmë pranë miqve tonë perëndimorë dhe t’i dëgjojmë me kujdes rekomandimet e tyre, në të kundërtën na pret theqafja e madhe politike dhe rrezikimi i ekzistencës së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran në Ballkan!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".