Nuk është hera e parë që Peter Stano tejkalon kompetencat e një zëdhënësi dhe anon nga pala serbe

Nuk është hera e parë që Peter Stano tejkalon kompetencat e një zëdhënësi dhe anon nga pala serbe
Nuk është hera e parë që Peter Stano tejkalon kompetencat e një zëdhënësi dhe anon nga pala serbe

Gani Qarri

  • 22 October 2024 - 07:21

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Në fakt me gjithë deklaratat e herëpashershme se kinse Bashkimi Evropian, tanimë paska krijuar një mekanizëm të vetin, për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës, duket se nga frika, që ky sukses do ti faturohet kryeministrit Kurti dhe sjellë vota shtesë atij, në zgjedhjet e reja, që do të mbahen me 9 shkurt të vitit të ardhshëm, heqja e sanksioneve ndaj Kosovës, nuk pritet do të ndodhë derisa të mos ik edhe Borelli, kurse pezullimi i tyre, mund të realizohet vetëm pas freskimit të strukturave drejtuese me udhëheqjen e re politike dhe vendosjen e kryediplomates së nderuar zonjës Kaja Kallas në krye të BE-së!

 

-Sa i takon Peter Stano, ai realisht nuk është hera e parë, që mbanë anë dhe tejkalon kompetencat e një zëdhënësi të BE-së, i cili gati çdo herë anon nga pala serbe, madje së fundi Stano, për habi, u përpoq të shitej edhe si pronar i BE-së, duke deklaruar në emër të saj, se; "Nuk është Kosova dhe as kryeministri Kurti që vendos nëse masat do të hiqen apo jo, duke harruar se edhe Stano, është vetëm një zëdhënës i përkohshëm dhe nuk është personi që mund të vendosë për BE-në as në emër të saj, por ky vendim mund të merret vetëm nga vet shtetet anëtare të BE-së"!

Përndryshe qysh pas votimeve të qeta të referendumit, prillin e këtij viti në komunat veriore të Republikës së Kosovës dhe raportit të Përfaqësuesit të Lartë Josep Borell, më 3 qershor, se Kosova ka përmbush kërkesat e BE-së, shënimi i njëvjetorit, nga agresioni terrorist serb në Banjë të Zveçanit, ku u vra edhe polici në detyrë, tani hero i Kosovës, Afrim Bunjaku dhe veçanërisht me rastin e zhbllokimit të CEFTA-s, pas gjithë këtyre zhvillimeve të shënuara, sanksionet kundër vendit tonë, vërtetë e kanë humbur çdo kuptim dhe hapi i par parimor që pritej të ndërmerrej nga BE, ishte, heqja e menjëhershme dhe pa asnjë vonesë të mëtejme, e sanksioneve edhe ashtu të vendosura njëanshëm dhe krejt padrejtësisht nga BE, ndaj Republikës së Kosovës!

Kështu që kryeministri Albin Kurti, në kërkesën e tij për heqjen e masave ndëshkuese të cilat edhe atëherë u vendosën padrejtësisht nga Bashkimi Europian ndaj Kosovës, kishte plotësisht të drejtë, që u bë i zëshëm në takimet të cilat i zhvilloi në kuadër të Procesit të Berlinit, ku me plot arsye i kërkoi publikisht kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe jo Peter Stanos, mbështetjen për largim të tyre, e pastaj po të njëjtën kërkesë kryeministri i vendit tonë e shprehu edhe në takimin me kryediplomatin italian Antonio Tajani, gjë që edhe është detyrë dhe obligim kushtetues i kryeministrit Kurti, ndaj dhe nuk e kuptojë mbireagimin e z.Stano, kur dihet mirëfilli që Kosova as Kryeministri i saj, nuk e pyesin Stanon për aktivitetet, punët dhe kërkesat e veta në takimet bilaterale me përfaqësuesit e lartë të shteteve të BE-së, dhe vendeve tjera ndërkombëtare.

Për aq më tepër nuk e di me urdhër apo edhe në emër të kujt flet ky njeri, derisa Stano nuk është gjerman as italian, madje ai nuk ka as autorizim, të flasë për asnjërin nga këto dy vende kryesore të BE-së, të cilat i kanë përfaqësuesit e vet legjitim, për të dhënë përgjigje, nëse ato një gjë të tillë, e shohin me vend dhe të arsyeshme, kur dihet publikisht se kryeministri i Kosovës, u ka kërkuar funksionarëve shtetëror të Gjermanisë dhe Italisë e jo Stanos, Borellit apo Lajçakut dhe as udhëheqjes politike të BE-së, derisa ajo, vetëm edhe pak kohë, i ka ngelur të kryesohet nga Borell e ndoshta edhe nuk do të përfaqësohet më, as përmes këtij zëdhënësi absurd dhe të njëanshëm!

Deklarata e Stanos, bëhet edhe më e papërgjegjshme, krejtësisht naive dhe tejet e papranueshme, kur dihet mirëfilli se edhe në raportin e shefit të tij, kryediplomatit në ikje të BE-së, Josep Borell, qysh me 3 qershor, pra para më tepër se 4 muajve, është rekomanduar qartë, heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, kështu që unë vërtetë nuk e kuptojë se pse përgjigjet kot ky njeri, derisa askush, të paktën në këtë rast, nuk ka kërkuar mendimin e Stanos, kurse përgjigjen në kërkesën e kryeministrit Kurti, për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, e kanë dhënë drejtpërsëdrejti vet personat adekuat në diskutimin bilateral, si kancelari Olaf Scholz ashtu edhe z. Tajani.

Por pasi që heqja e masave nuk ndodhi as pas zhbllokimit të CEFTA-s, hapi i parë parimor i BE-së do duhej të ishte, që pa asnjë vonesë të mëtejme, të suspendohen masat e vendosura padrejtësisht ndaj Kosovës dhe ato, edhe pa dëshirën e Stanos, ti vendosen urgjentisht Serbisë, e cila edhe pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Kosovës, kundër kryeterroristit Millan Radojçiq & Co edhe një vit pas aktit terrorist në Banjë të Zveçanit, përkundër agresionit të hapur dhe vrasjes në pritë të policit në detyrë, tani hero i Kosovës, Afrim Bunjaku, jo vetëm që nuk pranon ti dorëzoj kryeterroristin Milan Radojçiq dhe pjesëmarrësit e tjerë të agresionit të armatosur, por ata vazhdojnë të gëzojnë mbrojtjen e shtetit serb dhe të jetojnë të lirë në Serbi, gjë që vërtetë, nuk ndodhë në asnjë vend tjetër në botë, ndërsa BE dhe faktori ndërkombëtar, për habi, vazhdojnë të heshtin!

Peter Stanos megjithëse nuk i kërkoi askush, për asgjë, asnjë përgjigje, ai serish përsëriti si papagall, frazën tanimë të mësuar përmendësh se si nuk na qenka Kosova dhe kryeministri i saj që vendos nëse masat do të hiqen, derisa edhe vet përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borell në raportin e lëshuar qysh më 3 qershor, jo në emër të Peter Stanos por në emër të BE-së, deklaron përmbushjen e kërkesave të BE-së nga ana e Kosovës, kështu që vendimi për këtë çështje, edhe ne e dimë me siguri të plotë, se nuk do të merret as nga z. Stano, por nga shtetet e bllokut në Këshillin e BE-së, edhe nëse ato, ende nuk janë hequr, nga frika se ky suksese do ti atribuohej kryeministrit të Kosovës z. Albin Kurti, dhe ai do të shpërblehej me vota shtesë në zgjedhjet e reja, të parapara të mbahen me 9 shkurt, të vitit të ardhshëm në Kosovë!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".