Shtetet anëtare të BE-së, të marrin vendim pozitiv, lidhur me heqjen e masave të padrejta ndaj Kosovës!

Shtetet anëtare të BE-së, të marrin vendim pozitiv, lidhur me heqjen e masave të padrejta ndaj Kosovës!
Shtetet anëtare të BE-së, të marrin vendim pozitiv, lidhur me heqjen e masave të padrejta ndaj Kosovës!

Gani Qarri

  • 30 October 2024 - 07:18

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Gëzon fakti se më në fund, siç u pa edhe me rastin e pritjes zyrtare nga Presidentja e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, në takimin e saj të përbashkët në Prishtinë me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në kuadër të turneut të saj në Ballkanin Perëndimor edhe vet zonja Von der Leyen, deklaroi hapur, se masat e padrejta ndaj Kosovës duhet të hiqen përfundimisht.

 

-Madje duke qenë se, realisht ashtu siç u shpreh edhe Presidentja Osmani, veçanërisht sa u përket të drejtave të pakicave, Kosova përveçse ka sistemin kushtetues më të avancuar në rajon, shteti ynë në vijimësi po dëshmon qasje konstruktive edhe për fqinjësi sa më të mirë me të gjitha vendet e rajonit, ndaj vërtetë ka ardhur koha që shtetet anëtare të BE-së, përfundimisht të marrin vendim pozitiv, lidhur me heqjen e masave të njëanshme dhe të padrejta ndaj Kosovës!

Për aq më tepër edhe vet presidentja e Komisionit Evropian, zonja Ursula von der Leyen, konsideroi se "Veprimet që ka bërë Kosova lidhur me CEFTA-n, kanë qenë shumë pozitive, andaj edhe nëse vërtetë nevojiten hapa të mëtejshëm në mënyrë që të arrihet tek heqja e masave, largimi i tyre duhet të fillojë, qoftë edhe hap pas hapi, por jo të ngelet në gjendjen e tanishme, gjë që vërtetë është shumë e dëmshme dhe tërësisht e pa drejtë si dhe veprim i paarsyeshëm në asnjë variant, ngase me mbajtjen n¨üe fuqi të këtyre masave, BE po shpreh supermacinë e saj dhe jo trajtimin e barabartë as zbatimin e drejtësisë sipas principeve evropiane.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursual Von der Leyen, e pyetur edhe në konferencën për media të mbajtur në Prishtinë pas takimit me presidenten e Republikës së Kosovës Dr.Vjosa Osmani, lidhur me heqjen e masave, personalisht deklaroi se veprimet që ka bërë Kosova lidhur me CEFTA-n kanë qenë shumë pozitive, andaj jemi shumë të vendosur që të gjejmë të gjitha mënyrat, mjetet dhe hapat e duhur, për të ecur përpara për qëllimin tonë të përbashkët, ashtu që të arrijmë tek një pikë ku të jemi në gjendje të heqim të gjitha masat.

Prandaj, nëse vërtetë projekt i përbashkët evropian është që edhe Kosova të bëhet pjesë e BE-së, siç u tha nga vet zonja von der Leyen edhe për hapat e mëtejmë, që ajo mendon se nevojiten, në mënyrë që të arrihet tek heqja e masave, duhet të sqarojë se cilët janë tani ata hapa, apo hapi i radhës, me të cilët Kosova do të avanconte në shtetndërtim, avancimin e integrimit evropian e ndërkombëtar dhe nuk do të diskriminohej, sipas kërkesave diskredituese të Serbisë.

Në këtë mënyrë, von der Leyen do ta ndihmonte Kosovën dhe bindte shtetet anëtare për heqjen e masave, kur dihet mirëfilli se Serbia përveç mos përkrahjes së sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, ajo vazhdon takimet e pandërprera publike me zyrtarët rus, duke provokuar hapur edhe vet presidenten e Komisionit Evropian zonjën Von der Leyen, nga vet kryeministri i Serbisë Vujeviq, siç u veprua me takimin që ai mbajti qëllimisht, me ministrin e sanksionuar nga BE të shtetit rus, të njëjtën ditë që zonja von der Leyen vizitonte Beogradin.


Shto kësaj argumentin që e tha edhe vet zonja von der Leyen, se në vitet e kaluara Kosova ka punuar shumë për të forcuar demokracinë, derisa siç dihet publikisht Serbia në gjithë Ballkanin Perëndimor, përveç sistemit të brendshëm plotësisht autokratik, është i vetmi shtet, që edhe pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, vazhdon të mbetet, sateliti më i fortë i Rusisë në Evropë.

Kosova, në anën tjetër, ka dëshmuar se është e gatshme të punojë së bashku me BE-në dhe faktorin ndërkombëtar, njëjtë siç është koordinuar dhe ka bashkëpunuar me Gjermanin dhe vendet tjera të BE-së edhe lidhur me CEFTA-në, gjë që u dëshmua se ishte veprim shumë i rëndësishëm për Kosovën, Procesin e Berlinit dhe vet BE-në, akt brilant, i cili do të duhej të ndihmonte, përfundimisht që përveç kryetares së Komisionit Evropian zonjës von der Leyen, të binden të gjitha shtete anëtare, se tanimë, ka ardhur koha ti japin fund ndëshkimit të padrejtë dhe shprehin pëlqimin e tyre për heqjen e masave të njëanshme ndaj Kosovës.

Përndryshe habit fakti se si edhe pas provokimit të qëllimshëm të kryeministrit serb, i cili pikërisht ditën e njëjtë, apo edhe vetëm ndonjë orë para se ta takonte zonjën von der Leyen, ai orkestroi takim paraprak me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov, i cili gjendet nën sanksionet e BE-së, duke detyruar presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, që në shenjë revolte, ajo ta anulonte edhe takimin që kishte paraparë të mbante me kryeministrin e Serbisë Milosh Vuceviq, BE të mos ndërmarr asnjë masë kundër Serbisë, as ti ofrojë shansin dhe mundësoj Kosovës, që të paktën të punojnë bashkë në hapat e mëtejshëm, për arritjen e heqjes së masave të cilat kanë dëmtuar qytetarët e Kosovës si dhe kanë bllokuar edhe procesin e dialogut duke e bërë atë, siç shprehet edhe presidentja e vendit Dr. Vjosa Osmani, proces të pa balancuar, të pa barabartë dhe të pa kredibilitet, për vazhdimin e mëtejmë.

Pra nëse si kusht për anëtarësim në BE, fokusi kryesor është përqendruar në procesin e reformave, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zhvillimin ekonomik, bashkëpunimin rajonal, për secilin vend aspirues, lirinë e shprehjes së lirë, të drejtat e njeriut, ato të pakicave kombëtare, etj si mënyrë për ndihmën që BE-ja vazhdon t’u ofrojë vendeve të rajonit për të arritur progres në këto fusha, atëherë Kosova, besoj se qëndron shumë më mirë se disa vende të rajonit, veçanërisht shumë më mirë se Serbia, e cila vazhdon të mbetet një vend autokratik, me kufizime të theksuara të shprehjes së mendimit të lirë, shtypit, mediave, trajtimit të pakicave dhe abuzimit me të drejtat e njeriut, ndaj Kosova në kuptimin e plotë të fjalës, si shtet i ri, meriton mbështetje dhe ndihmesë më të madhe nga BE, veçanërisht në trajtimin e barabartë në dialog me Serbinë dhe rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane dhe veriatlantike.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".