Lexoni edhe:
Kosova do të jetë njëra nga prioritetet e Administratës Trump, kjo është e faktografume nga mandati i parë
Shkruan-ANALISTI: Gëzim Mekuli
Mendoj se diskutimi mbi «përballjen» e kryeministrit Kurti me diplomacinë amerikane, veçanërisht nëse Richard Grenell merr një pozitë të lartë, duhet parë me një këndvështrim më të gjerë e më të thellë. Ne e dimë se Amerika ka një bazë të fuqishme ushtarake në Kosovë, Bondsteel, dhe kjo tregon qartë se interesat e përbashkëta mes Kosovës dhe SHBA-së janë shumë më të thella se marrëdhëniet personale apo mosmarrëveshjet individuale. Kjo nuk është thjesht një çështje e Albin Kurtit apo Richard Grenellit; kemi të bëjmë me një aleancë strategjike dhe interesa gjeopolitike afatgjata mes dy vendeve tona.
-Albin Kurti deri më sot ka ndjekur politika që janë demokratike, transparente, dhe duke u përqendruar në përmirësimin e institucioneve dhe forcimin e sundimit të ligjit. Asnjë nga veprimet e tij – duke nënvizuar edhe komunikimin publik - nuk kanë qenë jodemokratike apo ekstremiste, përkundrazi, ai ka promovuar vazhdimisht bashkëpunimin dhe përfaqësimin e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Është më e saktë të pyetemi, jo nëse Kosova ka probleme sepse Kurti është kryeministër, por se si do të ishin institucionet e Kosovës nëse nuk do të kishte një qeveri të tillë demokratike dhe të përgjegjshme.
Në vend që të fokusohemi tek një individ, politika duhet të shikohet si një proces kolektiv, ku qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre janë pjesë e vendimmarrjes. Politika e Kosovës nuk është e përqendruar tek një person apo një qeveri e vetme, por tek dëshira e popullit për zhvillim, demokraci, cilësi dhe drejtësi. Dhë këtë pasqyrim të realitetit media shqipe duhet ta përçoj me më sinqeritet, me më ndershmëri e mbi të gjitha me më shumë profesionalizëm.
Fokusimi i medias tek «konflikti» i mundshëm mes Kurtit dhe Grenellit është sipërfaqësor, retorik dhe shmang realitetin që Kosova ka telashe serioze në fusha si gjyqësori dhe lufta kundër korrupsionit, probleme të cilat janë trashëgimi e qeverive të mëparshme të korruptuara. Pra, prioriteti ynë duhet të jetë përmirësimi i këtyre institucioneve dhe forcimi i demokracisë, dhe në këtë drejtim bashkëpunimi me SHBA-në mbetet i rëndësishëm dhe i natyrshëm për Kosovën dhe për gjeopolitkën shqiptare në përgjithësi.
Albin Kurti është kryeministër i Kosovës dhe mbron interesat e popullit që e ka zgjedhur përmes votës demokratike, apo jo? Kjo është e dëshmuar qartë. Secili mund të japë komente, por është populli i Kosovës që vendos kush do ta udhëheqë. Respekti për këtë vendim demokratik është thelbësor dhe nuk duhet të cenohet nga propaganda apo retorika e jashtme ose e brendshme.
Ata që shohin përballjen e Kurtit me Grenellin si diçka të pashmangshme, mendojnë me një mentalitet disfatist dhe të kompleksuar. Për Kosovën, përparësia nuk është individi, por e ardhmja e një vendi të pavarur, me institucione të forta dhe një demokraci të shëndetshme.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".