Alarmon analisti: ‘Trump dhe Grenell mund të rrezikojnë sigurinë e tërë Evropës dhe të destabilizojnë rajonin’

Alarmon analisti: ‘Trump dhe Grenell mund të rrezikojnë sigurinë e tërë Evropës dhe të destabilizojnë rajonin’
Alarmon analisti: ‘Trump dhe Grenell mund të rrezikojnë sigurinë e tërë Evropës dhe të destabilizojnë rajonin’

Halim Hyseni

  • 16 November 2024 - 08:51

Shkruan-ANALISTI: Halim Hyseni

Për sa i përket situatës aktuale, është e vështirë të parashikohet se si do të evoluojnë ngjarjet, duke pasur parasysh natyrën transaksionale dhe të paparashikueshme të politikave ndërkombëtare. Kosova, në këtë kontekst, nuk është një problem i madh për shumë aktorë të huaj, përveç disa shteteve si Ukraina, Gaza-Palestina, Libani dhe Irani, të cilat janë përballur me sfida më të mëdha ndërkombëtare.

 

-Sa e njoh unë Albin Kurtin, ai është një udhëheqës që nuk bën lëshime kur bëhet fjalë për kauzat e sovranitetit dhe interesat kombëtare të Kosovës. Kur këto kauza sulmohen, ai nuk tërhiqet dhe nuk do të tërhiqet asnjëherë. Qëndrimi i tij është i palëkundur dhe i qëndrueshëm, që është një element kyç në politikën e Kosovës.

Një tjetër aspekt që ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës është politika e administratës së ish-Presidentit amerikan, Joe Biden, i cili ka pasur një qëndrim të qartë antikosovar. Ky qëndrim është ndikuar gjithashtu nga Bashkimi Evropian, i cili ka qenë gjithmonë pro-Serbisë, me shpresën se do të arrijnë të fusin Serbinë në orbitën e BE-së. Por, kjo nuk është një mundësi reale, sepse pansllavizmi, që ka buruar që nga viti 1839, ka mbjellë rrënjë shumë të thella dhe nuk ka forcë që ta ndalë këtë lidhje të ngushtë me Rusinë.

Serbia nuk është e interesuar për popullin e saj dhe as për financat. Interesi i vërtetë i saj është zgjerimi i territorit. Në Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve të vitit 1986, thuhet qartë: "Serbia gjithmonë duhet të zgjerohen territorialisht, jo vetëm për shkak të popullsisë, por edhe për shkak të ndikimit të saj social". Kjo është arsyeja pse Serbia ka punuar për lidhjen horizontale të të gjithë serbëve dhe më pas për lidhjen vertikale me qendrën, Beogradin. Ky koncept i "Bashkimit të Serbëve" është një ide që rrjedh nga Vuk Stefanović Karadžić, një linguist i njohur serb, i cili ka shkruar veprën "Srbi svi i svuda" (Serbët kudo dhe gjithkund), ku argumenton se ku ka një serb, atje është shteti serb.

Në lidhje me Presidentin Donald Trump, i cili është më shumë një biznesmen, mendoj se ai do të përpiqet të shfrytëzojë mandatin e tij për të rritur pasurinë e tij dhe të familjes së tij. Megjithatë, shpresoj se ai do të përballet me kufizime të mëdha nga Bashkimin Evropian, i cili, siç e shoh, është një nga shpresat më të mira për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës. Evropa duhet ta kuptojë se nuk mund të jetë plotësisht e lirë derisa në SHBA mund të vijë një person si Grenell ose Trump, të cilët mund të rrezikojnë sigurinë e tërë Evropës dhe të destabilizojnë rajonin.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".