Lexoni edhe:
Rumania politikisht është kundër Kosovës, dhe kjo pasqyrohet edhe te racizmi antishqiptar i tifozerisë rumune
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Siç dihet, mjerisht përkundër rrahagjokseve të Ali Ahmetit & Co, gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut, as pas marrëveshjes së 13 gushtit të vitit 2001 dhe ndryshimeve kushtetuese të 4 gushtit të vitit 2008, kur Kuvendi votoi ligjin e veçantë për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike atje, nuk u bë gjuhë zyrtare shtetërore, as gjuhë ekskluzive zyrtare lokale.
-Për aq më keq, gjuha shqipe ngeli vetëm pjesë e përgjithësuar në kuadër të “konglomeratit” të njësive rajonale me mbi 20% të banorëve, që flasin gjuhë tjetër nga ajo maqedonase, ligj që atëherë e sot, nuk është nënshkruar as nga presidenti i vendit.
Në territorin e Maqedonisë Veriore gjuhë e vetme zyrtare është një, e ajo është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik, për të gjithë territorin, kurse gjuha të cilën e flasin mbi 20% e banorëve, është gjuhë lokale zyrtare, që vlen vetëm për banorët e ati vendi, për të cilët edhe dokumentet personale, në ato njësi rajonale, aktualisht lëshohen në shkrimin cirilik e gjuhën sllavomaqedonase, si dhe në rreshtat e dytë, në gjuhën e banorëve lokal.
Andaj maqedonasit kanë shfrytëzuar këtë hallkë fatkeqe, duke e dërguar edhe kërkesë me shkrim në kushtetuese, që gjuhën shqipe ta zbresin edhe nga niveli lokal zyrtar, prej nga ekziston frika e bazuar se Gjykata Kushtetuese maqedonase mund edhe ta shfuqizojë, tërësisht nenin 9 të këtij ligji, dhe gjuha shqipe ka rrezik, të mos figurojë fare, madje edhe dokumentet të lëshohen vetëm në gjuhën maqedonase dhe shkrimin cirilik edhe në vendbanimet ku shqiptarët janë shumicë dërmuese.
Ali Ahmeti dhe të gjithë ata të cilët për mbi dy dekada nuk arritën ta bëjnë gjuhën e vet-shqipen, gjuhë zyrtare, por pranuan që gjuha shqipe si gjuha e dytë më e folur në Maqedoni, të futet në koshin e gjuhëve të 20% të banorëve me gjuhë tjetër nga maqedonishtja, tani për ti mbuluar paaftësitë dhe lëshimet e veta, i sulen Albin Kurtit, sikur Kurti të ketë marrë vendim për statusin e papërcaktuar ekskluzivisht, të gjuhës shqipe në Maqedoni, dhe tani ta ketë dërguar edhe në kushtetuese, për deklasimin e saj edhe më të rëndë.
Siç dihet nga viti 1991,neni 7 i kushtetutës, diktonte përdorimin e gjuhëve, ndërsa me ndryshimet kushtetuese të vitit 2001, si rezultat i Marrëveshjes kornizë të Ohrit, neni 7 i Kushtetutës së vitit 1991, u zëvendësua me Amendamentit V, i cili, nga atëherë (sikur) bënë rregullimin e përdorimit të gjuhëve
Por megjithëse zyrtarisht figuron se amendamenti V, rregullon përdorimin e gjuhëve, as aty edhe pas 4 gushtit të vitit 2008, nuk vendoset gjuha shqipe si gjuhë zyrtare, dhe në të thuhet: "Në tërë Republikën e Maqedonisë, si dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti cirilik"!
Për më tepër, as në vijim nuk ceket ekskluzivisht gjuha shqipe, por decidivisht thuhet; "çfarëdo gjuhe tjetër që e flasin të paktën 20 për qind e qytetarëve, është gjuhë zyrtare, në njësitë rajonale ku mund të përdoret në pajtim me ligjin".
Më tej, në aneksin B sqarohet; personat që jetojnë në njësinë vendore ku të paktën 20 për qind e banorëve lokal flasin gjuhë tjetër nga maqedonishtja mund të përdorin gjuhën zyrtare (shtetërore dhe lokale) për të komunikuar me zyrën rajonale të pushtetit qendror.
Pra as në njësitë rajonale, nuk thuhet se ekskluzivisht, gjuha shqipe-është gjuhë zyrtare, por gjuha që mbi 20% e banorëve e flasin!!!
Edhe dokumentet personale të shtetasve që flasin gjuhë tjetër nga ajo maqedonase, lëshohen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin cirilik, si dhe në gjuhën përkatëse që e flasin 20% e banorëve në njësitë lokale, në pajtim me ligjin.
Çdo shtetas i RM-së, në komunikim me zyrtarët e ministrive mund të përdor një nga gjuhët zyrtare dhe shkrimin e saj, ndërsa ministritë përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe shkrimin të cilin e përdor shtetasi.” („Gazeta zyrtare e RM”, nr. 91/01).
Pra në tërë Republikën e Maqedonisë Veriore dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare gjuhë zyrtare shtetërore, është vetëm gjuha maqedonase.
Andaj askund dhe në asnjë tekst, qoftë pas ndryshimeve kushtetuese në vitin 2001,apo 4 gushtit të vitit 2008, kur Kuvendi votoi ligjin e veçantë për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike, nuk figuron askund dhe me asnjë shkronjë, se gjuha shqipe është, ka qenë, apo është bërë ndonjëherë deri më tani, gjuhë zyrtare shtetërore!
Kështu që është koha e fundit, që shqiptarët përfundimisht të këndellen nga velloja që u ka hedhur Ali Ahmeti para syve, reagimet e të cilit janë frikë personale për unin e tij dhe mbrojtjen e vetes, nga mosbërja asgjë nga ai dhe partia e tij, për shqiptarët dhe gjuhën shqipe, vetëm pse kryeministri i Kosovës e tha të vërtetën, e cila duket se Ali Ahmetit & Co po u dhemb fort!
Fakt është se çështja e gjuhës shqipe në FYROM, nuk është e rregulluar asnjëherë me ligj, ndaj partitë sllavo-maqedone kanë shfrytëzuar këtë mangësi dhe e kanë dërguar në kushtetuese, me shpresën për ta denigruar dhe lëshuar në nivel edhe më të ulët gjuhën tonë atje.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".