Fajtor për gjendjen e mjeruar të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, nuk është Albin Kurti por Ali Ahmeti me shokë

Fajtor për gjendjen e mjeruar të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, nuk është Albin Kurti por Ali Ahmeti me shokë
Fajtor për gjendjen e mjeruar të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, nuk është Albin Kurti por Ali Ahmeti me shokë

Gani Qarri

  • 22 November 2024 - 07:22

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Fajtor për gjendjen e mjeruar të gjuhës shqipe në FYROM, nuk është Albin Kurti as Kosova, por Ali Ahmeti me shokë, të cilët për më tepër se 20 vite nuk bënë asgjë, që ajo të bëhej gjuhë zyrtare me përdorim të pakufizuar në gjithë territorin e Maqedonisë, njëjtë si në Kosovë ku për vetëm 4 %, të pakicës serbe, gjuha e tyre prezantohet në dokumente, tabela dhe rrugë, në gjithë territorin e Kosovës.

 


-Kështu që siç shprehet edhe profesori i nderuar A. Çeliku, duke qenë se në Maqedoninë Veriore, nuk ka ligj enkas për gjuhën shqipe, kryeministri Kurti me kërkesën që Gjykata Kushtetuese maqedonase të marrë vendim të drejtë, mbrojti gjuhën shqipe, pasi që kryeministri i Kosovës, duhet dhe ka të drejtë legjitime të mbrojë edhe interesat e shqiptarëve jashtë Kosovës, ta mbrojë gjuhën dhe vlerat tona kombëtare!


Nëse me këtë rast, sa i takon përdorimit të gjuhëve, bëjmë një krahasim sado të thjeshtë, ndërmjet të dy vendeve, as që është logjikë e drejtë që Kosova, me shumicën e popullsisë shqiptare, të quhet multietnike, kurse Maqedonia e Veriut, me 35-40% shqiptarë, edhe në fund të vitit 2024, të përballë shqiptarët me sfida për arritjen e barazisë gjuhësore dhe etnike.


Vet kjo dëshmon botërisht, se standardet e demokracisë neoliberale janë të dyfishta, dhe favorizuese për disa shtete dhe popuj mbi të tjerët, veçanërisht kur bëhet fjalë për të drejtat e grupeve etnike dhe gjuhësore, si në FYROM, ku shqiptarët akoma nuk kanë arritur, që përkundër numrit të madh, ta bëjnë gjuhën shqipe gjuhë zyrtare shtetërore, e cila do të vlente në të gjithë territorin e Maqedonisë, njëjtë si për serbët, pakrahasimisht në numër tepër më të vogël, në Kosovë.


Krejt kjo flet publikisht, se nga pushteti në Maqedoninë e Veriut, po tentohet me çdo mjet, të përdhoset gjuha e bukur shqipe, kurse Partia shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim, në vend se të reagojë kundër denigrimit të gjuhës shqipe, reagon me nervozitet, për deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, , i cili me të drejtë, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski potencoi mungesën e Ligjit për Gjuhët, veçanërisht për gjuhën shqipe, si popullsia me numrin më të madh, krahas sllavomaqedonasve në këtë shtet.


Duke qenë se në Maqedoni të Veriut nuk ka ligj për përdorim të gjuhës shqipe dhe nuk ka pasur as në të kaluarën, kryeministri Kurti pasi u pyet për Ligjine Gjuhëve në Shkup, tha se çështja e gjuhës i takon Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, pasi tri dispozita të Ligjit për Gjuhët janë dërguar në Komisionin e Venecias, dhe në Maqedoni ekziston vetëm Ligji, që e përmend shifrën 20 për qind, e që është për përdorim të gjuhëve”, ndaj dhe pret vendim të drejtë, që nuk bën përjashtime dhe respekton shumëgjuhësinë, ngase ligji në fjalë, nuk është ligj për përdorim të gjuhë shqipe, ka theksuar, bazuar në fakte, kryeministri Kurti.


Kështu që kur faktet flasin, demagogët si Ali Ahmeti duhet të heshtin, dhe përkundër reagimeve farsë të BDI-së, deklarata e kryeministrit Kurti qëndron plotësisht, është shumë me vend dhe fort e drejtë, ngase ashtu siç e pranon edhe vet BDI, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, miratuar si pjesë e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, neni 1, paragrafi 2 i ligjit thekson qartë se, njeh dhe garanton përdorimin e “Gjuhës tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, por nuk e njeh ekskluzivisht gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, në fakt njeh në mënyrë të përgjithësuar gjuhën e 20% të banorëve në njësitë rajonale, si gjuhë zyrtare lokale por nuk e cek askund, se njeh apo pranon enkas gjuhën shqipe, si gjuhë zyrtare lokale as shtetërore.


E përderisa nuk arrihet që gjuha shqipe të njihet ekskluzivisht si gjuhë zyrtare shtetërore në gjithë territorin, si e drejtë themelore e shqiptarëve”, në fjalët e kryeministrit të Kosovës, nuk ka asnjë pretendim për shtrembërim të fakteve dhe mungesë respekti, siç nuk ka as arritje të madhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut veçanërisht sa i takon nivelit të përdorimit të gjuhës shqipe!


Kurse sa i takon publikut në Kosovë, besojë se është mjaft mirë, madje edhe më i informuar se sa pretendon Ali Ahmeti me kompani, që morën në qafë djemtë më të mirë të Kosovës, të mashtruar dhe dënuar me qindra vite burg, të cilët vijojnë ti vuajnë dënimet e padrejta, në Idrizovë, realisht ky do ishte informimi i drejt i Ali Ahmetit.


BDI-në dhe Ali Ahmetin shqiptarët e kanë rrëzuar nga qeverisja, ndaj nuk e di si mund të flas akoma në emër të tyre, derisa nuk arriti as gjuhën shqipe, si gjuha e dytë më e folur në FYROM, ta bënte gjuhë të dytë zyrtare shtetërore, e cila do të përdorej pa kufizime dhe vlente në të gjithë territorin dhe tani pa fije turpi, fajëson kryeministrin Kurti, pse ia theu turinjtë duke ia thënë troç të vërtetën Ali Ametit dhe bashkëmendimtarëve të tij.

Në realitet, ligji që glorifikon pa fije turpi Ali Ahmeti, njeh në mënyrë të përgjithësuar gjuhën e 20% të banorëve në njësitë rajonale, por nuk e cek askund dhe nuk e njeh as pranon- enkas Gjuhën Shqipe-, si gjuhë zyrtare lokale as shtetërore!


Është vet Ali Ahmeti, ai i cili vetëm pak ditë para takimit të kryeministrit Kurti me atë të Maqedonisë së Veriut, deklaroi se pret që në mbledhje të diskutohej edhe për Ligjin për Gjuhët, pasi Gjykata Kushtetuese maqedonase pritet ta rishikojë dhe “me gjasë ta shfuqizojë” nenin 9 të këtij ligji, ndërsa tani kur kryeministri Kurti, deklaroi se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, njeh përdorimin e “Gjuhës tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, por nuk e njeh ekskluzivisht gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, lokale as shtetërore, ai ankohet pse e tha kryeministri i Kosovës, realitetin e hidhur, me të cilin Ali Ahmeti ka rreth dy dekada që i mashtron shqiptarët në FYROM dhe gjithandej.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".