Zgjedhje për vazhdimësi politike, jo për ndryshim!
Florim Zeqa
Shkruan: Florim Zeqa
Në kohën kur është intensifikuar (para) fushata elektorale e partive politike, më shumë po vërehen ngjashmëritë sesa dallimet mes tyre! Aq të përafërta janë bërë partitë politike saqë vetëm nga logot dallohen, por jo edhe nga premtimet sa megalomane, po aq edhe mashtruese, të cilat më shumë u ngjajnë patateve të kalbura në thes sesa mekanizmave politik të një vendi demokratik!
Sulmi ndaj mediave, mjerim i pushtetit autokratik
Të gjitha partitë janë të "mira" apo thënë ndryshe, janë bërë një e keqe e domosdoshme për mirëmbajtjen e sistemit aktual politik, sa të korruptuar po aq edhe të kriminalizuar vendit tonë, ku nuk funksdionon ligji dhe as drejtësia.
Dikur dallonte, sot edhe LVV nuk dallon më asgjë nga partitë e tjera. Ngase edhe ajo për katër vite në pushtet është zhytyr thellë në hajni, korrupsion, krim të organizuar, nepotizem, punësime partiake dhe abuzime me buxhetin e shtetit sikur të ishin që dyzet vite në pushtet!
Partitë opozitare po na shiten si të “virgjëra” pas qeverisjes 20 vjeçare, andaj janë mobilizuar si asnjëherë më parë për rikthimin e pushtetit! Pas mobilizimit të partive opozitare në Diasporë, Albin Kurtit i ka hyrë frika në palcë për humbjen e pushtetit!
Kësisoji LVV për ta vazhduar mandatin qeverisës dhe për të mbuluar korrupsionin e lartë qeveritar do të jetë e detyruar që ta merrë me vete në koalicion një parti politike opozitare të mbushur me afera korruptive dhe kriminale nga e kaluara qeverisëse dhe jo vetëm kaq!
LVV-së medeomos i duhet njëra nga partitë opozitare për të ripërtërirë marrëdhënjet e tendosura me SHBA-të dhe BE-në, si alibi për themelimin e Asociacionit njëetnik serb në veri dhe implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arrirtura nga qeveritë paraprake!
Duke e nuhatur këtë rrezik të madh, Albin Kurti e ka filluar një betejë të paparë ndaj analistëve dhe gazetarëve, ndaj atyre që ia nxorën në shesh të gjitha të palarat e qeverisjes së tij katërvjeçare.
Po e bën këtë për faktin se për këto katër vite e vetmja opozitë reale e Albin Kurtit ishin mediat e pavarura, përkatësisht gazetarët e guximshëm dhe intelektualët që u përballen të vetëm me qeverinë e arrogancës së numrave në Kuvend.
Riciklim i pushtetit në dëm të qytetarëve
Në mungesë të një alternative të re politike, qytetarët e vendit dhe mërgimtarët janë të detyruar (torturuar) që të votojnë përseri të njëjtat parti politike dhe liderë partiak, të njëjtat figura të tejëkonsumuara dhe ricikluara, nga njëri në tjetrin krah politik, por edhe anonimët dhe adoleshentët e afruar nëpër parti të ndryshme jo pse kanë begrand politik, por pse kanë lekë dhe biznese, prej të cilëve presin të fitojnë më së shumti materialisht liderët partiak.
Për habi, asnjëra nga partitë politike nuk kanë angazhuar në listat e tyre zgjedhore intelektualë të kalibrit dhe intelektualë nga Diaspora, por vetëm servilë dhe puthadorë të pushtetit, vagabond e militantë partiakë të cilët 24 orë në ditë rrinë në rrjetet sociale duke sharë e kërcënuar kundërshtarët politik!
Thënë edhe më qartë, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 nuk do të bëhet fjalë për ndryshimin, por vetëm për vazhdimësinë e qeverisjes me mentalitetin e njëjtë qeverisës të korrupsionit dhe krimit të organizuar pa i pasur frikën ligjit dhe drejtësisë politikanët e inkriminuar dhe të korruptuar në shtetin e kapur!
Abuzimi i ambasadave për qëllime partiake
Në tubimet kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së punëve të jashtme, znj. Donika Gërvalla-Scwarz nëpër Ambasada dhe Konsullata valojnë vetëm flamujt partiak në vend të flamujve shtetëror të Republikës së Kosovës! Paradoks ky i paparë dhe i padëgjuar në përfaqësitë e shteteve demokratike!
Kësisoji kryeministri dhe kryediplomatja pasi i shkatërruan dhe denigruan përfaqësitë diplomatike të shtetit që përfaqësojnë, i kthyen Ambasadat dhe Konsullatat e Republikës së Kosovës në çerdhe të partive politike, përkatësisht të LVV-së, pasi GUXO dhe Alternativa nuk janë subjekte zgjedhore, por vetëm leva të pushtetit të shkrira në listën e Lëvizjes Vetëvendosje!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".