Votimi pa garë dhe kërcënimi i konkurrencës në politikën e Kosovës

Votimi pa garë dhe kërcënimi i konkurrencës në politikën e Kosovës
Votimi pa garë dhe kërcënimi i konkurrencës në politikën e Kosovës

Xhevat Meha

  • 12 December 2024 - 07:29

Shkruan: ANALISTI-Xhevat Meha

Këto ditë, struktura e partisë votoi Albin Kurtin pa kundërkandidat si kandidat për Kryeministër. Nuk është diçka e papritur, sepse dihet që diçka e tillë ka ndodhur edhe me kandidatët e tjerë të partive politike. Të gjithë këta votojnë, duartrokiten dhe brohoriten me përpjekjen që të tregojnë se këta janë maksimalisht të kualifikuar. Ata janë konkurrentë të fortë për Kim Jong Un-in.

 

-Çështja është se këta kandidatë, në të gjitha partitë politike, votohet pa garë brendapartiake. Ata votojnë nga anëtarët e strukturave të partisë, të cilët vetë janë zgjedhur pa garë brenda partisë. Votimi pa garë është një përzgjedhje pa konkurrencë. Kjo është një shkelje e Kushtetutës së Kosovës. Kushtetuta përcakton sistemin tonë shoqëror dhe të ekonomisë së lirë të tregut, ku konkurrenca është një element thelbësor i rendit shoqëror kushtetues. Dikush që merr mandat pa respektuar Kushtetutën nuk mund të ndërtojë Kosovën sipas parimeve kushtetuese.

Praktika e votimit pa garë politike të përfaqësuesve të partive politike ka prodhuar gjendjen: "nga keq në më keq". Nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e deri më sot, çdo qeveri pasuese ka punuar më keq se qeveria paraprake, dhe çdo Kuvend i Kosovës pasues ka punuar më keq se Kuvendi i Kosovës paraprak. Kjo ka ndodhur si rezultat i modelit politik: "prijësi para, kopeja mbrapa", i cili praktikohet nga të gjitha partitë politike në Kosovë. Ky model nuk përzgjedh të mirët, dhe mospërzgjedhja e më të mirëve krijon praktikat: "nga keq në më keq". Ky model politik shkel, madje e shkatërron, të mirën dhe të merituarën.

Gara politike brenda partiake që mundëson konkurrencën përzgjedh më të mirët, më të merituarit. Përzgjedhja e më të mirëve ndihmon në krijimin e praktikave: "nga mirë në më mirë". Shkelja e më të mirëve dhe lartësimi i të dobëtëve është një synim i rrjetit serbo-rus që po vepron brenda partive tona politike.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".