Përmes ftesës së fundit nga prokurorët 'specialë' për Kurtin, po tentohet të ndërhyhet në procesin zgjedhor

Përmes ftesës së fundit nga prokurorët 'specialë' për Kurtin, po tentohet të ndërhyhet në procesin zgjedhor
Përmes ftesës së fundit nga prokurorët 'specialë' për Kurtin, po tentohet të ndërhyhet në procesin zgjedhor

Gani Qarri

  • 14 December 2024 - 07:47

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Duke mos pasur mbështetje për të ndërlidhur provat me veprimet, të tre të dyshuarit, Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi, në mungesë të fakteve, me vendim të Gjykatës së Apelit, janë liruar nga arrestimi. Vendimi është marrë me arsyetimin se gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur të vërtetojë dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale, ndërkohë që asnjë masë ligjore apo disiplinore nuk është ndërmarrë ndaj tyre ose ndaj zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë.

-Andaj, një ftesë e drejtuar Kryeministrit të vendit, lidhur me rastin e rezervave shtetërore, në kohë të fushatës elektorale, pa ndonjë argument të qartë për përfshirjen e kryeministrit Kurti, dhe duke pasur parasysh lirimin e të akuzuarve me vendim të Gjykatës së Apelit, dëshmon se prokurorët e rastit po inskenojnë një aferë politike. Një aferë e tillë jo vetëm që bie ndesh me ligjin, por ngre dyshime për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar. Pyetja që lind është: Kush po keqpërdor pozitën dhe autoritetin zyrtar, kryeministri apo vetë prokurorët (politikë) të rastit?

Nuk duhet harruar se edhe në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim të ngjashëm gjyqësor, i cili më shumë dukej si një akt i porositur politik, për të pamundësuar kandidimin e Albin Kurtit në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021. Kjo histori duket se po përsëritet, pasi edhe tani, përmes ftesës së fundit nga prokurorët “specialë” politikë, po tentohet të ndërhyhet në procesin zgjedhor të vitit 2025, me qëllim ndikimin në rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Gjithashtu, përplasjet e vazhdueshme mes qeverisë dhe Prokurorisë Speciale lidhur me mosmiratimin e Blerim Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit, shtojnë dyshimet për motive politike pas kësaj ftese. Prokurorët që kanë nënshkruar vendimin, Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi, duket se kanë zgjedhur momentin më kritik — pragun e zgjedhjeve — për të nisur një proces që komprometon figurën e kryeministrit. Në këtë mënyrë, prokuroria shihet si e ndikuar politikisht dhe jo si institucion i pavarur.

Kjo ftesë politike është përshkruar si akt i nxitimshëm dhe i paraprogramuar, që synon të dëmtojë imazhin e kryeministrit dhe të ndikojë drejtpërdrejt në perceptimin publik, në favor të grupeve apo partive që qëndrojnë më afër me prokurorët e përfshirë. Përkundër kësaj, fakti mbetet se të akuzuarit janë liruar nga Gjykata e Apelit për mungesë provash dhe asnjë masë nuk është ndërmarrë ndaj tyre.

Kjo ngjarje tregon nevojën urgjente për reforma në sistemin e drejtësisë dhe hetimin e prokurorëve të rastit për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Kryeprokurori dhe prokurorët e përfshirë duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre që minojnë besimin e qytetarëve në drejtësi dhe ligj.

Nëse vazhdojnë këto inskenime, rrezikohet jo vetëm procesi zgjedhor, por edhe vetë sistemi demokratik i vendit. Ndaj, përgjegjësit për këto manipulime politike duhet të japin llogari para ligjit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".