Mbështetja ndaj partive opozitare, nuk do të jetë e mjaftueshme për të konkurruar të vetme me Lëvizjen Vetëvendosje

Mbështetja ndaj partive opozitare, nuk do të jetë e mjaftueshme për të konkurruar të vetme me Lëvizjen Vetëvendosje
Mbështetja ndaj partive opozitare, nuk do të jetë e mjaftueshme për të konkurruar të vetme me Lëvizjen Vetëvendosje

Florim Zeqa

  • 20 December 2024 - 07:11

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Sondazhet e fundit të shpërndara nga partitë politike në garën zgjedhore nuk ofrojnë kurrfarë garancie për rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Sondazhet më tepër bëhen për të tërhequr vëmendjen për kinse rritje të besueshmërisë në elektorat, sesa që shprehin forcën reale të subjekteve politike.

 

-Edhe po të dalë i vërtetë parashikimi i sondazhit të fundit, i cili e nxjerr Lëvizjen Vetëvendosje fituese të zgjedhjeve me 47.1% të votave, do të jetë e pamundur që LVV të formojë qeverinë e vetme me ndihmën e partive të vogla prej 9.1%.

Kur kësaj t’i shtojmë faktin se partitë e vogla mund t’i bashkohen partive opozitare për ta kundërshtuar Lëvizjen Vetëvendosje, atëherë prishen të gjitha përllogaritjet e LVV-së për të mbajtur pushtetin.

Bazuar në sondazhin e fundit, duket e pamundur që Lëvizja Vetëvendosje të ruajë këtë mbështetje të lartë prej 47.1% deri në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, për shkak se do të ndodhin ndryshime të papritura në balancën e forcave politike.

Mbështetja ndaj partive opozitare, respektivisht PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, nuk do të jetë e mjaftueshme për të konkurruar të vetme me Lëvizjen Vetëvendosje. Për këtë arsye, këto parti do të kenë nevojë për një koalicion të madh paszgjedhor.

Sondazhet reflektojnë preferencat e publikut për partitë politike në prag të zgjedhjeve, dhe mund të sjellin ndryshime të mëtejshme në balancën politike të vendit deri në ditën e votimeve, varësisht prej ofertave të partive politike.

Andaj, gjasat janë që edhe Lëvizja Vetëvendosje, pas 9 shkurtit, do të jetë e detyruar ta gjejë një partner të ri për të vazhduar qeverisjen "Kurti 3", për shkak se tani kemi një situatë të re në terren, si rezultat i mobilizimit të partive opozitare edhe në diasporë.

Përtej kësaj, është edhe një aspekt tjetër mjaft domethënës: tani nuk është më ajo euforia e vitit 2021 për ta votuar Lëvizjen Vetëvendosje, as ajo e ndëshkimit të LDK-së për shkak të Isa Mustafës!

Përjashto veriun e vendit, në të gjitha aspektet e tjera kemi realizim gjysmak apo më pak se kaq të "Qeverisë Kurti", e cila erdhi në pushtet me premtime të mëdha për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por që fundi i pushtetit po e gjen pa rezultate konkrete në arrestimin e "peshqve të mëdhenj" dhe konfiskimin e pasurisë së tyre.

“Edhe pse iku (në pension) Lumezi, nuk u kthye Elezi!”

Populli zhgënjimin e reflekton me votë, e jo më fjalë!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".