Lexoni edhe:
E kaluara e zezë e partive opozitare është arsyeja pse Vetëvendosje mbetet akoma një dritë shprese për Kosovën
Shkruan: ANALISTI-Xhevat Meha
Këto ditë u raportua se qeveria ka vendosur që fabrika për prodhimin e municioneve, që pritet të ndërtohet së shpejti, të mos vendoset në lokacionin e ish-fabrikes për prodhimin e municioneve në Skenderaj. Qeveria këtë e ka arsyetuar duke thënë se ish-fabrika është pjesë e Kompleksit Memorial "Adem Jashari". Për ne që vijmë nga ai rajon, ky arsyetim nuk qëndron. Kjo për faktin se hapësira që ka përfshirë ish-fabrika është shumë e madhe, ka hapësira të pashfrytëzuara për nevoja të kompleksit, sa që do të mund të ndërtoheshin komplekse fabrikash, e lëre më një fabrikë.
-Fabrika për prodhimin e municioneve që pritet të ndërtohet do të jetë fabrika e parë ushtarake në shtetin e Kosovës. Vendosja e kësaj fabrike në lokacionin e ish-fabrikes do të përmbante një lidhje të shumfishtë me themelet mbi të cilat është krijuar shteti i Kosovës.
Disa arsye për këtë janë:
Do të ishte pjesë e Kompleksit të Memorialit "Adem Jashari" si fabrika e parë ushtarake që do të krijonte vazhdimësi të traditës ushtarake;
Do të krijonte lidhje me trashëgiminë e ish-fabrikes që ishte ndërtuar si pjesë e përpjekjeve për ndërtimin e shtetit të Kosovës, në kuadër të Jugosllavisë, dhe do të shërbente si shprehje respekti për ato përpjekje;
Do të ndihmonte në punësimin në këtë pjesë të Kosovës, rajon që ka vuajtur më së shumti nga shtypja serbo-jugosllave, duke krijuar vazhdimësi të entuziazmit ushtarak të qytetarëve të këtij rajoni.
Marrja e vendimit nga qeveria për të mos ndërtuar këtë fabrikë në Skenderaj është realizuar disi larg vëmendjes së qytetarëve, disi në mënyrë të fshehtë dhe jo-transparente. E pastërta thërret: "shih", e papastërta thërret: "mos shih". Kur merret parasysh shtrirja e veprimtarisë së rrjetit të fshehtë serbo-rus që vepron në Kosovë, për mua kjo nuk është rastësore, por është pjesë e përmbushjes së programeve të këtyre rrjeteve për Kosovën.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".