Lexoni edhe:
VV do të mbetet partia më e votuar në Kosovë, por jo me një rezultat që kishte katër vjet më parë
Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa
Po gjithsesi, edhe pse në fushatë zgjedhore, kjo është një ndihmë e mirëseardhur financiare nga qeveria prej 100 euro për fëmijët deri në 16 vjeç dhe për pensionistët, një masë kjo e mjaftueshme për të adresuar vështirësitë ekonomike të familjeve dhe pensionistëve në Kosovë.
-Edhe pse në dukje është një veprim simbolik, ai i ndihmon familjet dhe pensionistët e vetmuar në këtë fundvit.
Mendoj se buxheti i shtetit është mjaftueshëm i qëndrueshëm për t’i përballuar këto shtesa çdo fundvit, ashtu siç ndodh në të gjitha shtetet me qëndrueshmëri fiskale.
Buxhetin e shtetit e dëmtojnë gjakderdhjet financiare përmes tenderomanisë dhe formave të tjera të paligjshme, e assesi kjo ndihmë simbolike për të lehtësuar vështirësitë ekonomike të familjeve me gjendje të rënduar sociale.
Një krizë e madhe ekonomike e paparashikuar nuk mund të evitohet me kaq mjete të ndara për qytetarët.
Andaj, çdo tendencë për ta lidhur këtë me fushatën zgjedhore është e pakuptimtë.
Shëmbullin e kryeministrit Albin Kurti duhet ta ndjekin të gjithë pasardhësit e tij në mënyrë të përhershme, në çdo fundvit, qoftë edhe ai i fushatës zgjedhore.
Kur mungojnë rritjet në përputhje me inflacionin, atëherë këto ndihma në fund të vitit kalendarik e zbusin sadopak gjendjen e rënduar socio-ekonomike të qytetarëve.
Ky vendim mund ta ketë një ndikim të vogël pozitiv, por jo të mjaftueshëm në popullaritetin politik të Albin Kurtit dhe të Qeverisë së Kosovës, duke marrë parasysh situatën e ndërlikuar ekonomike dhe politike në vend.
Fundja, përfitimin e kësaj ndihme nga shteti nuk duhet kuptuar si lëmoshë dhe as tendencë për blerje votash, por si detyrim që shteti ka ndaj qytetarëve.
Nuk e besoj që ka qytetar të vendit që shiten dhe blihen me nga 100 euro, por që ka qytetarë të ndershëm dhe të dinjitetshëm që përcaktohen në bazë të bindjeve të mëhershme dhe të përhershme politike.
Vota e qytetarëve fitohet me bindje dhe besueshmëri afatgjatë, e jo me lëmoshë apo përfitim të çastit kohor.
Ka ikur koha e blerjes së votave, sikurse vezët në treg. Qytetarët e Kosovës tashmë kanë vetëdije më të lartë dhe integritet njerëzor, sa për të vlerësuar ofertat serioze dhe programet e partive politike e jo të bien pre e mashtrimeve elektorale.
Pushtetarët duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm ndaj qytetarëve përgjatë 365 ditëve të vitit, e jo vetëm në fundvit, për shkak se nevojat e tyre janë të përditshme dhe në rritje, shkaku i ngritjes së inflacionit, e të mos flasim për pensionistët dhe të moshuarit me sëmundje të rënda kronike, të cilët kanë nevojë çdo ditë për barna dhe mjekim të vazhdueshëm e sistematik.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".